Ditmir Bushati: Ju tregoj shtatë hapat për t’u anëtarësuar në BE
Nga DITMIR BUSHATI, ish-ministër i Jashtëm
Ka një ngazëllim të pakuptueshëm në lidhje me Rezolutën e miratuar në Parlamentin Europian ku theksohet përmbushja nga Shqipëria e 15 kushteve të caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian përpara mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për debatin për Shqipërinë në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian.Duhet thënë se çdo deputet apo grupim politik në Parlamentin Europian është në të drejtën e vet për të pasur një vlerësim politik për Shqipërinë. Por, në kuptimin ligjor, Parlamenti Europian nuk ka kompetencë për të përcaktuar e numëruar listë me kushte apo detyra shtëpie për nisjen e negociatave. Kjo është një kompetencë e vendeve anëtare të BE-së, të cilat vendosin me unanimitet bazuar mbi propozimin e Komisionit Europian.Parlamenti Europian ka miratuar disa herë Rezoluta në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave me Kosovën, por vendet anëtare të BE-së ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar.
Në rastin e aderimit të Shqipërisë Parlamenti Europian ka për ta thënë fjalën e tij në momentin e shqyrtimit të Traktatit të Aderimit, siç e ka thënë edhe në rastin e shqyrtimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Natyrisht, shqetësimet e shprehura nga eurodeputetë është mirë të sqarohen e të trajtohen në rrugë shtetërore, diplomatike dhe parlamentare.
Nëse grupimet tona politike nuk “eksportojnë” politikën e ditës te grupimet politike respektive në Parlamentin Europian, një pjesë e mirë e këtyre shqetësimeve trajtohen lehtësisht. Këtë mësim, ndryshe nga ne, disa vende të rajonit e kanë mësuar me kohë. Sepse në dallim nga Komisioni Europian dhe vendet anëtare, eurodeputetët nuk kanë grupe ekspertize për verifikimin e reformave në terren. E pra, thelbi është tjetërkund. Ndaj nuk duhet të ngatërrojmë radhën dhe rolin e çdo institucioni europian në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me vijimin e përmbushjes së detyrave të shtëpisë.
HAPI I
Fillimit të negociatave i paraprin përgatitja nga ana e Komisionit Europian dhe miratimi nga vendet anëtare të BE-së të “Kuadrit Negociues”. Ky dokument përcakton parimet, thelbin dhe procedurat mbi të cilat do të zhvillohet i gjithë procesi. Vendet anëtare kanë përcaktuar një katalog me disa detyra, mënyra e adresimit të të cilave nga ana e Shqipërisë duhet të reflektohet në dokumentin e “Kuadrit Negociues”. Ndërkohë që Komisioni do të ndërveprojë me vendet anëtare për miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm, ne nuk duhet të rrimë në pritje. Por duhet gjithashtu të përgatisim kuadrin tonë negociues, i cili do të shërbejë si platformë udhërrëfyese në këtë proces, shoqëruar me fuqizimin e kapaciteteve administrative dhe financiare. Në këtë dokument ne duhet t’u përgjigjemi edhe shqetësimeve kryesore, edhe detyrave të lëna nga vendet anëtare të BE-së, duke dëshmuar përgjegjshmëri, vullnet politik dhe qartësi për rrugën e vështirë të reformave që duhet të ndërmarrim. Ky dokument duhet t’i nënshtrohet një konsultimi e diskutimi të vërtetë politik e shoqëror.
HAPI II
Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e procesit, do të shërbejë si platformë ballafaqimi e dy “Kuadreve Negociuese”, atij të BE-së dhe Shqipërisë. Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare është e ndërlidhur me përmbushjen e disa detyrave të lëna nga vendet anëtare të BEsë për Shqipërinë. Detyra, që kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, rishikimin e legjislacionit të medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, reduktimin e fenomenit të azilkërkimit, progresin dhe funksionimin e strukturave të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për përmbushjen e këtyre detyrave Komisioni Europian do të raportojë sërish para vendeve anëtare.Na duhet një plan veprimi për përmbushjen e detyrave të mësipërme. Plani duhet të jetë publik, të adresojë përgjegjësinë institucionale të aktorëve të përfshirë në proces dhe të jetë i afatizuar.
HAPI III
Faza tjetër është ajo e shqyrtimit të përputhshmërisë së legjislacionit dhe kuadrit institucional, ku Shqipëria do të prezantojë planet për arritjen e përputhshmërisë në mënyrë progresive. Pasi të kryhet ky shqyrtim (‘bilateral screening’), Komisioni Europian përgatit raportin e shqyrtimit për grup kapitujsh (‘clusters’) e çdo kapitull negociimi, ku vlerësohet gjendja e rendit ligjor në raport me atë të BE-së, shkalla dhe planet për përputhshmëri të plotë, sikundër kapacitetet administrative dhe korniza institucionale. Komisioni Europian u paraqet vendeve anëtare të BE-së atë që njihet ndryshe si ‘screening report’. Nëse vendet anëtare vlerësojnë se Shqipëria nuk është e gatshme për të marrë përsipër angazhimet që burojnë nga kapitulli negociues, ato përcaktojnë disa kushte për t’u përmbushur për hapjen e kapitullit. Në këtë rast, Komisioni sërish duhet të paraqesë para vendeve anëtare të BE-së një raport për përmbushjen e kushteve paraprake për hapjen e negociatave për kapitull. Pas shqyrtimit e miratimit të raportit nga vendet anëtare ftohet Shqipëria për të paraqitur pozicionin negociues për kapitull. Ndërkohë që vendet anëtare miratojnë pozicionin negociues të BE-së për kapitull.
HAPI IV
Vetëm pas ezaurimit të hapave të mësipërme mbahet Konferenca Ndërqeveritare për Hapjen e Kapitullit, ku palët ballafaqojnë pozicionet e tyre negociuese. Nëse në pozicionin negociues të BE-së për kapitull specifikohet se niveli i përputhshmërisë së Shqipërisë me standardin europian (‘acquis’) është i kënaqshëm dhe se nuk është e nevojshme që të zhvillohen negociata të mëtejshme, atëherë negociatat për kapitull mbyllen përkohësisht.Praktika na tregon se në shumicën e rasteve, BE-ja përcakton disa kushte që duhen përmbushur nga vendi kandidat në mënyrë që negociatat për kapitull të konsiderohen të mbyllura. Në këtë rast përsëritet e njëjta procedurë dhe skemë bashkëpunimi, si te kushtet për hapjen e kapitullit, ndërmjet Shqipërisë, nga njëra anë, dhe Komisionit Europian e vendeve anëtare, nga ana tjetër. Gjithashtu, mbyllja e çdo kapitulli bëhet përmes organizimit të Konferencës Ndërqeveritare.
HAPI V
Negociatat përfundohen me marrëveshje ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së për të gjithë kapitujt. Deri në momentin që një gjë e tillë deklarohet formalisht nga krerët e vendeve anëtare të BE-së është e mundur rihapja e kapitujve në rastet kur nuk përmbushen angazhimet e ndërmarra, pasi i gjithë procesi i negociimit zhvillohet mbi bazën e parimit “për asgjë nuk është rënë dakord, derisa për çdo gjë të bihet dakord”. Me mbylljen e negociatave përcaktohet edhe data e mundshme e aderimit në BE.
HAPI VI.
Pas mbylljes së negociatave, hartohet Traktati i Aderimit që nënshkruhet nga palët. Traktati i Aderimit do të duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Parlamenti Europian dhe të gjitha parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të BE-së. Siç ka vende që ia nënshtrojnë Traktatin e Aderimit referendumit popullor, praktika e deritanishme tregon se një gjë të tillë bën edhe vendi kandidat.
HAPI VII.
Pas përmbylljes së procedurave të ratifikimit vendi bëhet zyrtarisht anëtar i BE-së. Shpjegimi i mësipërm shpresoj që të ndihmojë sadopak për të kuptuar se kushtëzimi demokratik do të na shoqërojë në çdo hap të procesit të integrimit europian. Për shembull, Mali i Zi ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2012 dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm 3 kapituj në 8 vjet. Serbia ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2014 dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm 2 kapituj në 6 vjet. Progresi i kufizuar në reforma nga njëra anë, dhe mungesa e optimizmit për procesin e zgjerimit nga ana tjetër, flasin qartë.
Me metodologjinë e porsamiratuar, në rast të mospërmbushjes së standardeve, procesi mund të ngrijë, të kthehet në pikën e nisjes dhe fondet e alokuara nga BE-ja të pezullohen. Nuk duhet të ushqejmë asnjë iluzion se procesi i anëtarësimit në BE do të jetë i lehtë. Për çdo hap që do të hedhim nevojitet konsensus nga vendet anëtare të BE-së. Ndaj, nuk mund të pretendojmë cilësi dhe ritëm reformash pa bashkëpunim politik dhe mirëkuptim institucional.
Na duhet të dalim nga labirinti i vetëmashtrimit që nuk prodhon rezultate të prekshme e të kontribuojmë secili sipas përgjegjësisë që na takon, për një Pakt për Europën, ku të përcaktojmë një herë e mirë shtyllat dhe rregullat e sjelljes politike për këtë proces jetik për fatet e vendit. Na duhet pronësi për reformat!