Ditmir Bushati, një vizionar rajonal dhe europian
Në kulmin e debatit për pazarin Thaçi-Vuçiç, ku po flitet për marrjen e Luginës së Preshevës (një pjesë) dhe faljen palës serbe të liqenit të Ujmanit, Trepçës dhe pjesës veriore të Mitrovicës historike kombëtare, këtë të shtunë (datë 25 gusht 2018) ka folur Ditmir Bushati, ministri shqiptar i jashtëm. Kishte dhënë disa shenja mosdakordsie me Thaçi-Vuçiç, këto ditë, por si sot nuk kishte asnjë zyrtar shqiptar që mund të ishte kaq i qartë, stroik, dhe njëkohësisht vizionar. Edhe kombëtar.
Ministri Bushati flet se është kundër ndarjes apo siç e pagëzon Thaçi, “rishikimit të kufinjve”. Bushati thotë se “Nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo se si do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo. Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në “konflikte të ngrira”, si pasojë e tolerimit të “parimit të rivendosjes”, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon. Statusi i Kosovës është konfirmuar që me “Parimet Udhëzuese” të Grupit të Kontaktit, kur katër nga pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përkatësisht SHBA, Francë, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia, bashkë me Gjermaninë dhe Italinë parashtruan qartësisht se Kosova “duhet të mbetet multietnike dhe zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës”.
Po në këtë dokument u sanksionua gjithashtu se “nuk do të ketë kthim të Kosovës në situatën para vitit 1999, asnjë ndarje dhe as bashkim me ndonjë vend tjetër”. Në vijim, sovraniteti i Kosovës është konfirmuar në parimet bazë të “Planit Ahtisaari”, me shpalljen e pavarësisë në 2008-n dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e konsideroi pavarësinë e Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Duke vazhduar përsëri në lidhje me këto bisedime ai vazhdon: “Në këtë prizëm, inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, në pajtim me detyrimet që ka Serbia dhe në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane. Po ashtu, duhet pasur parasysh se çka është vendosur tashmë në kuadër të Paketës së Ahtisaarit, e mishëruar në Kushtetutën e Kosovës, nuk do të mund të tjetërsohet përmes një marrëveshjeje të re. SHBA, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit për të siguruar që shoqëritë mbeten të hapura. Kjo mbetet një sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Rajoni ynë ka pësuar ndryshime të mëdha në dekadat e fundit, në sajë të fuqisë transformuese të BE-së. Dalja nga ky kurs do t’i kushtonte shqiptarëve dhe të gjithë rajonit”.
Ndërsa për zhvillimet politike në Maqedoni, ai pohon se Shqipëria respekton dhe nuk ndërhyn asnjëherë në punët e vendeve fqinje. Por me një delikatesë diplomatike i kujton palës maqedonase se barazia shqiptar-maqedonas duhet të sanksionohet në Kushtetutë.
Duke iu rikthyer tezës se presidentit kosovar Hashim Thaçi për Luginën e Preshevës, ai thekson se duhet të kërkojmë që Serbia të zbatojë dhe realizojë të njëjtat të drejta për shqiptarët e Luginës së Preveshës, siç kanë serbët në Kosovë.
Pra ministri shqiptar Bushati është kaq i qartë dhe vizionar kur flet pazaret Thaçi-Vuçiç, sa duhet realisht që kjo të jetë dhe linja politike në Kosovë.
Jemi dy shtete të pavarura, por jemi një Komb dhe çdo centimetër tokë është edhe e kosovarëve, edhe shqiptarëve të Shqipërisë.