“Djalin ma vranë në Durrës”, babai i Ervis Martinajt shpërthen ndaj drejtësisë: E dinë të gjithë, përveç Prokurorisë!
Babai i Ervis Martinaj, Mustafa Martinaj, ka dalë sot para Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar jo vetëm si dëshmitar, por si një prind që akuzon hapur sistemin e drejtësisë për heshtje dhe mosveprim.
I thirrur për çështjen e pronave të të birit, ai e ka shndërruar daljen e tij në një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve që, sipas tij, “nuk duan ta zbardhin të vërtetën”.
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës. Si nga e di? Jam babai i tij!” – deklaroi ai me tone të forta.
Një deklaratë që trondit jo vetëm për përmbajtjen, por për atë që nënkupton: një krim i rëndë që, sipas familjarit më të afërt, nuk po hetohet siç duhet.
Mustafa Martinaj zbuloi se ka dhënë shpjegime edhe pranë Byroja Kombëtare e Hetimit, madje me iniciativën e tij personale.
“Kam ardhur vetë. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet për një shpërndarje përgjegjësish dhe mungesë serioziteti në hetim.
Por ndoshta deklarata më e rëndë është ajo që lidhet me dorëzimin e një babai përballë një sistemi që ai nuk e beson më.
“Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje,” tha ai, duke shtuar se është invalid dhe me probleme shëndetësore.
Kjo fjali përmbledh dramën e një familjeje, por edhe një realitet më të gjerë: kur drejtësia perceptohet si e pafuqishme, qytetari ndjen se i mbetet vetëm heshtja.
Në thelb, rasti i Ervis Martinaj mbetet një nga misteret më të mëdha kriminale në Shqipëri – një zhdukje që ende nuk ka një përgjigje zyrtare të qartë, ndërsa familjarët flasin hapur për ekzekutim.
Dhe pyetja që mbetet pezull është e thjeshtë, por e rëndë: Nëse “e dinë të gjithë”, pse nuk e di drejtësia?
KOHA JONË SONDAZH

