“Do ta presim gjuhën”. PD: Vëzhguesit tanë u kërcënuan me jetë nga PS në sallën e KQZ

Partia Demokratike ka denoncuar sot kërcënimin e vëzhguesve të saj brenda ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste.

Ditën e sotme në KQZ u bë rinumërimi i 114 kutive të Beratit, në të cilat rezultuan se kishte parregullsi. Marash Logu, përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ tha se përfaqësuesit e PS-së në grupet e numërimit të këtyre votave, kanë kërcënuar me jetë numëruesit dhe vëzhguesit e Partisë Demokratike.

Logu tha se kërcënimi është bërë nga Joana Melengu, zyrtare e Bashkisë së Beratit, e cila ishte pjesë e grupit të vëzhguesve socialistë të Beratit. Melengu është e njëjta zyrtare që gjatë fushatës elektorale u kap në furgonin me ushqime që u çoheshin qytetarëve në Berat për t’u marrë votën. Logu tha se kur përfaqësuesit e opozitës kërcënohen brenda KQZ, “imagjinoni se çfarë ka ndodhur më 25 prill”.

‘’Sot dhe ditën e djeshme në tavolinën e numërimit shtetasja Joana Melenku vëzhguese e PS, kryetare e njësisë administrative nr.2 në Berat ka kërcënuar një vëzhgues të PD. Do ta shohësh kur të dalësh jashtë, do ta pres  gjuhën. Joana Melëngu, është e njëjta. Kjo fjalë duhet mbajtur këtu se ka lidhje me këtë proces. Joana Melenku që kërcënoi vëzhguesin e PD, më 20 prill 2021 u kap në flagrancë duke ndarë ndihma ushqimore në këmbim të votës. Me paturpësi, në shkelje flagrante të ligjit, shantazhon e kërcënon një vëzhgues të PD. A e kuptoni zotërinj çfarë po ndodh këtu? Shtetasve ka kërcënuar me jetë vëzhguesin e PD. E Njëjta që më 20 prill shpërndau ndihma ushqimore. Nuk kemi frikë ti denoncojmë këto fakte, s’doni ti pranoni‘’- tha Logu.

Ditën e sotme KAS ka përfunduar rinumërimin e 114 kutive të Beratit. Rezulton se LSI nuk e  merr mandatin pasi është rritur me vetëm 15 vota dhe diferenca është ngushtuar nga 77 në 58 vota.

Marash Logu deklaratë për mediat

SHKARKO APP