Rama kthen Kuvendin në gjykatë, frikë nga arrestimet e SPAK

Partia Socialiste ka miratuar në Komisionin e Ligjeve ndryshimet e reja në Rregulloren e Kuvendit, që i ndalojnë Prokurorisë arrestimin e një deputeti apo ministri për çfarëdo akuze që rëndon mbi zyrtarët e lartë. Ndryshimet në Rregullore detyrojnë prokurorinë që për çdo kërkesë ndaj deputetëve dhe ministrave, të japë sqarime më parë në Këshillin e Mandateve dhe të Rregullores. Provat që Prokuroria ka ndaj një deputeti apo ministri do të shqyrtohen dhe vlerësohen nga deputetët e këtij Këshillit, të cilët më pas do të vendosin nëse Prokuroria ka të drejtë apo jo. Një ndryshim i tillë në Rregulloren e Kuvendit praktikisht rrëzon gjithë sistemin e drejtësisë. Sipas Kushtetutës, kërkesat dhe provat e Prokurorisë ndaj të një pandehuri dërgohen në gjykatë. Kjo e fundit vendos nëse hetimet dhe akuzat e Prokurorisë janë të ligjshme ndaj jep masën për personin që është hetuar. Kështu ndodh parimisht me çdo proces gjyqësor në Shqipëri. Por me nismën e Partisë Socialiste, për deputetët dhe ministrat nuk do të vendosë më gjykata, por Parlamenti. Praktikisht nëse një deputet apo ministër akuzohet për korrupsion, apo vepra të tjera të rënda penale, prokurorët para se t’i drejtohen gjykatës për arrestimin apo ndalimin e zyrtarit, duke t’i drejtohen Këshillit të Mandateve, që është një institucion politik me anëtarë të shumicës qeverisëse. Deputetët, do të marrin në dorë provat e Prokurorisë, madje dhe gjithë sekretin hetimor dhe më pas do të vlerësojnë nëse kolegu i tyre duhet arrestuar apo jo. Një procedurë e tillë ligjore përveç se rikthen edhe një herë imunitetin e deputetëve, duke i bërë ata të paprekshëm nga drejtësia, i jep Kuvendit edhe një rol që nuk e ka në asnjë vend tjetër normal. Anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores zakonisht janë njerëz politik, të cilëve në mënyrë anti-ligjore Partia Socialiste u jep kompetencat e trupit gjykues. Për ta shpjeguar më mirë atë që ka miratuar dje Partinë Socialiste, mjafton të kujtojmë rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Prokuroria shqiptare, pas përgjimeve të autoriteteve italiane dhe dyshimeve për shkelje të rënda ligjore nga ish-ministri, kërkoi nisjen e hetimeve dhe arrestimin e tij. Por kërkesa e tyre u bllokua me një procedurë të paqartë ligjore nga kolegët socialistë të ish-ministrit në Këshillin e Mandateve duke marr rolin e një gjykate. Socialistët thirrën në mbledhje prokurorët që kërkonin gjykim për ish-ministrin dhe në vend të kësaj, deputetët, i bënë gjyqin prokurorisë duke e cilësuar kërkesat e tyre të pabaza. Këtë procedurë ekstraligjore, ku u përfshi direkt kryeministri Edi Rama me presione ndaj prokurorisë, tashmë socialistët kanë vendosur ta fusin edhe në Rregulloren e Parlamentit duke ndaluar çdo kërkesë të tillë. Praktikisht Prokuroria nuk mund të arrestojë asnjë deputetët apo ministër, nëse nuk merr lejen nga Qeveria. Ose do të arrestojë ato emra që don kryeministri.

Ndryshime të tilla ligjore, përveç se kthejnë edhe një herë  mbrojtjen politike ndaj të akuzuarve për vepra të rënda, venë në pikëpyetje edhe gjithë investimin e bërë për reformën në drejtësi. Nëse qeveria dhe partia në pushtet ndalon prokurorinë të hetojë zyrtarët e lartë më pushtet, për çfarë duhej reforma në drejtësi? Kjo lëvizje e fundit e mazhorancës tregon edhe një problem tjetër të qeverisë. Pas 6 vitesh qeverisje, me shumë ministra dhe ish-ministra të akuzuar për vepra të rënda korrupsioni, qeveria “Rama” parashikon goditje të njerëzve të saj nga drejtësia. Ndaj dhe hapi i parë që është hedhur është rikthimi i imunitetit duke siguruar deputetët, ministrat dhe ish-ministrat se as SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë nuk i prekin dot pa lejen e Edi Ramës.

Praktikisht reforma ka rënë me këtë ndryshim Rregullore të Kuvendit dhe se prokuroria do të mund të arrestojë vetëm ata deputetë e ish-ministra që iu jep leje kryeministri Rama. /A.Marku/

Ja ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit:

– Prokurori i paraqet kërkesën dhe provat për arrestim të deputetit ose ministrit Kryetarit të Kuvendit.

– Kryetari ia përcjell kërkesën Këshillit të Mandateve, i cili vë në dijeni kuvendin dhe deputetin për kërkesën.

– Kuvendi cakton dy relatorë të çështjes, një nga opozita dhe një shumica. Të gjitha provat i bëhen të ditura subjektit të akuzuar dhe i caktohet dita kur do të shqyrtohet kërkesa.

– Prokurori duhet të sqarojë kërkesën për arrestimin e deputetit ose ministrit, t’i nënshtrohet një seance me pyetje nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe nga i akuzuari ose nga avokati i tij.

– Deputeti ose ministri ka të drejtë të marrë paraprikisht provat dhe kërkesën e prokurorit. Pasi ka pasur kohën e nevojshme për t’u informuar, për të bërë pyetje dhe për t’u sqaruar, ai ka të drejtën të mbrohet nga një avokat dhe të paraqesë mbrojtjen e tij, me shkrim ose me gojë, Këshillit të Mandateve. Çdo anëtar i këshillit ka të drejtë ta pyesë deputetin.

– Pas përfundimit të seancës, në Këshillin e Mandateve, dy relatorët e çështjes hartojnë raportin e tyre dhe ia paraqesin Kryetarit të Kuvendit dhe Këshillit të Mandateve.

– Brenda 2 javëve, Kuvendi duhet të miratojë raportin e Këshillit të Mandateve, me votim të hapur. Në seancë plenare, deputeti i akuzuar ka të drejtë të flasë i pari, më pas Kryetarët e grupeve paralamentare dhe në fund sërish deputeti i akuzuar ka të drejtë të japë sqarimet e e tij brenda 10 minutave.

– Brenda shtatë ditëve, Këshilli i Mandateve merr vendimin nëse lejon ose jo arrestimin e deputetit. Ky vendim i paraqitet deputetëve dhe publikut.

SHKARKO APP