Edi Rama tërhiqet nga votimi i ligjeve kundër medias

Partia Socialiste ka hequr sot nga votimi në seancën e Kuvendit dekretin e Presidentit Ilir Meta, për kthimin e ligjeve të medias.

Vendimi është njoftuar nga kreu i grupit të deputetëve të PS-së, Taulant Balla. Numri dy i PS-së tha se dekretet e presidentit do të votohen në një moment të dytë. Balla u shpreh se Partia Socialiste do të presë opinionin e Komisionit të Venecias për dy ligjet.

Këshilli i Europës kritikoi ligjet e qeverisë “Rama”, të cilat cenojnë lirinë e medias dhe kërkoi nga Komisioni i Venecias të bënte një interpretim ligjor për paketën e njohur me emrin “Anti-shpifje”.

Edhe pas miratimit të paketës ‘Anti-Shpifje’ ne kemi komunikuar me partnerë të rëndësishëm të Shqipërisë. Ne jemi anëtarë prej vitesh në Këshillin e Europës. Dua të ndaj me ju se me reporterët, kemi qenë në komunikim të vazhdueshme për disa çështje dhe kemi vendosur që të kërkohet një opinion më i thelluar nga institucioni që ne shqiptarët e kemi gjithëpranuar, jo vetëm ne, sikur se është Komisioni i Venecias. Dua t’ju informojë se sapo më ka ardhur komunikim nga Komisioni i Venecias. Komisioni i Venecias ka pranuar që ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar në sesionin e 21 marsit. Gjatë muajit shkurt përfaqësues të Komisionit të Venecias do të vinë në Tiranë për të dialoguar me ne, me këdo. Votimi i dekretit për mediat audiovizive, diskutimi për të të shtyhet, deri sa Komisioni i Venecias të na sjellë raportin e vet, më 20-21 mars”,- tha Balla.

Ligjet u miratuan nga PS në fund të muajit dhjetor dhe u kundërshtuan ashpër nga shoqatat e mediave në Tiranë dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve. Kritikat nuk kanë munguar dhe nga Zyra e OSBE për Lirinë e Medias në Vjenë, si dhe eurodeputetët të Parlamentit Europian.

Presidenti Ilir Meta nuk i dekretoi dy ligjet e qeverisë “Rama” me argumentin se cenojnë parimet kushtetuese dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së fjalës. Pavarësisht kësaj, PS deri më sot shprehej e bindur se do të rrëzonte dekretin e Presidentit dhe do ri votonte ligjet pa asnjë ndryshim.

Presioni ndërkombëtar për ligjet e debatueshme ka bërë PS-ja të tërhiqet në momentin e fundit nga votimi i ligjeve problematike.

https://arkiva.kohajone.com/eurodeputeti-votimi-i-ligjeve-kunder-medias-godet-demokracine-dhe-negociatat-ne-shqiperi/

SHKARKO APP