EDITORIAL/Rama, dajak mbi popullin. Qeveria më e rrezikshme se pandemia!

Dhuna dhe arrestimet e protestuesve paqësorë sot në sheshin “Skënderbej” janë prova më e qartë se sa larg ka shkuar paligjshmëria qeverisë. Dhjetëra protestues, pas tre muajsh izolim, vendosën të dalin në shesh për të kundërshtuar masat bllokuese të qeverisë. Pa flamuj politikë, duke respektuar distancën sociale dhe masat sanitare, njerëzit kërkuan atë që ua garanton Kushtetuta dhe çdo konventë ndërkombëtare; të lëvizin të lirë si dhe të kenë mundësi të punojnë për të ushqyer familjen. Kërkesës më normale njerëzore qeveria ju përgjigj me pranga, arrestime dhe tërheqje zvarrë të atyre që guxuan të dalin nga shtëpitë. Përplasja u filmua live nga mediat që ishin në protestë. Arroganca dhe dhuna policore u shfaq në këtë mënyrë në ekranin e çdo shqiptari që këto ditë jeton mes frikës dhe pasigurisë për të ardhmen në shtëpinë e tij. Mesazhi që qeveria u jep qytetarëve të saj është i thjeshtë, si çdo mesazh totalitar: Mos guxoni të protestoni, në të kundërt u pret dajaku dhe prangat. Rrini në shtëpi dhe do dilni vetëm kur t’ju jap leje kryeministri!
Që pas viteve ’90, e drejta për të protestuar ka qenë një nga të paktat liri të demokracisë, që shqiptarët e kanë shfrytëzuar më së shumti. Sot qeveria na tregoi se këtë të drejtë e kanë humbur, njëlloj siç po humbasin punët, të ardhurat financiare, bizneset dhe liritë e tjera të një shoqërie normale.
Kushdo sot mund të pyes si arritëm këtu?
Përgjigja është e thjeshtë; askush nuk reagoi kur qeveria mbylli vendin vetëm me një mesazh në Facebook të Edi Ramës. Askush nuk reagoi kur autoblindat me ushtarë zaptuan rrugët e Tiranës. Askush nuk foli kur përballjen me pandeminë nuk e morën në dorë ekspertët, por çdo gjë ju la Edi Ramës, i cili normalisht futi në karantinë të drejtat e njeriut. Asnjë qytetar dhe faktor politik nuk protestoi kur Parlamenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme edhe me disa muaj.
Ndaj sot që prangat dhe dhuna po shfaqen në mes të Tiranës nuk ka vend çudi, sepse kryeministri e ka ndarë mendjen: Do ta mbaj pushtetin me vota të vjedhura dhe me dhunë policore. Një qeveri që vodhi vota, që ka një parlament të paligjshëm dhe që ka një mijë akuza për bashkëpunim me krimin, e ka të pashmangshme përfundimin te dhuna ndaj qytetarëve dhe arrestimet. Të gjithë e dinë se cilat janë arsyet që arritëm këtu. Ajo që nuk dihet është se si do të dalim nga kjo situatë, ku qeveria po rezulton më e rrezikshme për qytetarët edhe sesa vet pandemia.

Për Edi Ramën pandemia ishte hall javët e para kur nuk dihej çfarë po ndodhte dhe ku do të arrite. Tani që situatën thotë se e ka “nën kontroll”, koronavirusi është mundësi për qeverisur ashtu siç ka ëndërruar gjithmonë. Për të mbajtur pushtetin me forcë e sa më gjatë, ku qytetarët po kërcënohen me krizën ekonomike dhe urinë, por sot qeveria u tregoi edhe dajakun si alternativë qeverisëse. Ky është modeli rilindas dhe në kohë pandemie nuk mund të ofrojnë më keq dhe më shumë se kaq. Problemi është çfarë do bëjë opozita? Deri kur do të vijoj të shoh e qetë, jo thjeshtë rënien e shtetit sepse ai ka kohë që është shkërmoqur, por rënien e vlerave dhe të drejtave të njeriut.
Opozita nuk mund të hesht më për hir të Reformës Zgjedhore apo ndonjë ndërkombëtari interesaxhi për hallet e veta. Opozita duhet të dalë në skenë dhe të udhëheq popullin. Opozita nuk mund të struket buzë Lanës, por duhet të pushtojë Bulevardin me flamurin kuq e zi në dorë.
Tiranitë rrëzohen me forcën e popullit. Populli po pret. Opozita të dalë nga zyrat!

Editorial/ Rama, dajak mbi popullin. Qeveria më e rrezikshme se pandemia!

SHKARKO APP