Elvis Rroshi, kryebashkiaku i Kavajës jep dorëheqjen. Priten të tjerë pas tij

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi ka dhënë sot dorëheqjen nga detyra. Vendimi për largimin nga detyra është publikuar nga Rroshi në një status në rrjetin social Facebook.

Ai thotë se nuk është dënuar asnjë herë në Gjermani, por nga kërkimet që kanë bërë avokatët e tij rezulton se është dënuar edhe si minoren, gjatë kohës që ishte emigrantë në Itali. Roshi nuk jep detaje se përse ka qenë ky dënim në moshën 16 vjeç, por shton se ky fakt i ri e detyron atë të japë dorëheqjen nga detyra.

Roshi është ndër kryebashkiakët më të akuzuar nga Partia Demokratike për të kaluar me precedentë penalë. Ai ka refuzuar të gjithë akuzat dhe ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë dënim të rëndë në adresë të tij.

Largimi i Roshit është i pari nga drejtuesit e lartë pas miratimit të ligjit të dekriminalizmit. Veç tij ka dhe disa emra të tjerë që përfliten për probleme ligjore në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Pas Rroshit pritet të ketë edhe largime të tjera nga detyra.

Ja statusi i tij në rrjetin social Facebook

“U bënë vite që mbi mua hidhen papushim akuza sikur jam kriminel, trafikant dhe gjithë të zezat. Unë u mësova me këto që për mua u kthyen në energji plus për të fituar zgjedhje dhe ndryshuar Kavajën. Po familja ime nuk e ka të lehtë asnjëherë me këtë sulm papushim. Me vjen tmerrësisht keq për shqetësimet që iu ka shkaktuar kjo histori.
E kam ditur se këtë punë do kisha me Partinë Demokratike, qysh ditën e parë që shporra Sali Berishën dhe ordinerët e vet nga Kavaja që e zhytën në zhul dhe mjerim njëzet vjet rresht. Arsyeja e vërtetë e sulmeve të tyre ndaj meje ka qenë kjo dhe s’ka për të ndryshuar asnjëherë. Po sot unë kam një arsye shumë më të fortë se kjo për të lajmëruar dorëheqjen time!

Që në momentin kur ligji i dekriminalizimit hyri në fuqi, u lidha me avokatët e mi që të siguroja përgjigje me dokumente ndaj çdo sulmi te Shqup-it për jetën time në emigracion. Të gjitha dokumentet që mora nga të gjitha shtetet ku ka kaluar rruga ime e emigrimit, provojnë qartësisht atë që unë kam thënë: Asnjëherë i dënuar askund, përveçse i përzënë si dhjetëra mijëra shqiptar në vitet e para të emigracionit për probleme dokumentesh.
Kam ikur fëmijë nga Kavaja dhe kam kaluar vështirësi të mëdha dhe situata të jashtëzakonshme. Lufta për mbijetesë në fillim pa ditur asnjë llaf italisht dhe duke lëvizur për të bërë çdo lloj pune ka qenë libër më vete. Po nuk më ka bërë as kriminel, as trafikant, as hajdut dhe as shkelës të ligjit. Prandaj kam dalë ballëlart përpara qytetarëve të Kavajës dhe opinionit publik kur i jam përgjigjur shpifjeve monstruoze të Sali Berishës. Në fillim më vinte të vija ulërimën nga shpifjet dhe akuzat pastaj u mësova dhe e përqeshja me përbuzje luftën e tyre me mua.

Po sot duhet te ndaj publikisht me keqardhjen më të madhe, një informacion që më ka kapur në befasi të plotë dhe ndryshon gjithçka. Avokatët e mi më kanë informuar, se papritur dhe pa kujtuar rezultojë të jem dënuar si minoren! I bie të jem dënuar pa dijeninë time në Itali në kohën kur isha ende në kampin e refugjatëve. Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë. E vetmja gjë që mund të kujtoj është se na patën shoqëruar njëherë në polici në tufë nga kampi pas një sherri të madh. Mua me ndanë veç se isha minoren dhe kur më morën në pyetje nuk dija akoma as pesë fjalë italisht. Por as kam qenë ndonjëherë në gjyq as kam bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë minorenesh, që rezulton në kartelën time penale kur sapo kisha mbushur 16 vjeç.
Kjo është e vërteta tronditëse që sapo kam marrë dijeni. Por s’ka pike rëndësie e vërteta që tregoj unë sot. Faktikisht pa e ditur këtë dënim s’kam pasur si ta deklaroj.

Ndërsa pasi jam venë në dijeni, kjo për mua është bërë një çështje që i përket drejtësisë jo politikës. Prandaj unë nuk mund të vazhdoj i qetë detyrën time si deri dje, për sa kohë pafajësia ime nuk është më një e vërtetë e provuar ligjërisht përballë çdo shpifësi.
E kam të pamundur të vazhdoj të kryej detyrën time si Kryetar i Bashkisë së Kavajës edhe sikur kundërshtarët e mi të mos e merrnin vesh kurrë këtë informacion.
Dua t’i kërkoj sinqerisht falje qytetarëve të Kavajës po edhe Kryeministrit Edi Rama, të cilët më kanë besuar dhe mbështetur dhe sot duhet të marrin këtë informacion të padëshirueshëm. Po të gjithë duhet ta dinë se nuk kam fshehur asgjë që dija.

Ndoshta do vijë dita që këto fjalë që duken si llafe që i merr era, do t’i provojë drejtësia. Në radhë të parë për hatër të familjes time dhe dy gocave të mia, po dhe për hatër të gjithë atyre që nuk i besuan kurrë shpifjet ndaj meje dhe më mbështetën pa rezerva. I falënderoj të gjithë dhe kërkoj falje që duhet të largohem kokulur nga detyra.
E kam bërë këtë detyrë me gjithë forcat e mia. Kam punuar ditën dhe natën. Kam qëndruar afër çdo kavajasi në nevojë për shërbimin dhe ndihmën e bashkisë. S’kam kursyer asgjë dhe tani që largohem i shokuar nga kjo që më ndodhi papritur, kam vetëm një ngushëllim: Kavajën që rindërtuam nga gërmadhat në 4 vjet e gjysmë! Një qytet që ka hyrë në rrugën e një ndryshimi të madh dhe që gdhihet i pastër dhe në darkë është plot jetë.

Nuk e kisha menduar kurrë këtë ndarje me qytetin dhe njerëzit si kryetar bashkie. Po as nuk e mendoj që ta mbyll këtë histori pa fituar në rrugën e drejtësisë pafajësinë që meritoj. Kjo është tani beteja ime për dy gocat e mia dhe për gjithë qytetarët e Kavajës.”
Faleminderit te gjitheve..

Reagon Kryeministri: Gjithkush që ka një dënim gjykate, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për dorëheqjen e kreut të Bashkisë së Kavajës. Ai thotë se “gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka”.

Nga Edi Rama

Kur e kemi zgjedhur Elvis Roshin si kandidat për Kavajën, kemi marrë si për të gjithë dëshminë e penalitetit. E cila ka rezultuar e bardhë. Po ashtu, kur e kemi mbështetur rikandidimin e tij, kemi sqaruar në rrugë operative të gjitha akuzat e bëra ndaj tij. Dhe asgjë nga çfarë kanë pretenduar akuzuesit e tij publike deri me sot, nuk ka rezultuar e vërtetë.
Duke i njohur dhe respektuar gjithnjë vështirësitë që të rinjtë shqiptarë kanë kaluar përmes dallgëve të larta të jetesës emigracionit, kam besuar dhe besoj se historia e Elvisit, apo Ervinit, ka qenë thjesht njëra nder historitë e panumërta të djemve që janë përplasur nëpër ato dallgë, duke jetuar mes ëndrrës për t’ia dalë dhe makthit të rikthimit mbrapsht. Ndërrime emri për të mos u kthyer mbrapsht, përzënie për qëndrim pa leje, kalime ilegale kufiri e me radhë, janë akte të paligjshme që në vitet ’90 i kanë bërë shumëe e shumë emigrantë në rrugën drejt ëndrrave të tyre.
Prandaj edhe nuk e kam fshehur përçmimin tim ndaj hipokrizisë ekstreme të atyre që kanë shumë gjera për t’u  turpëruar apo fshehur nga jeta e tyre në politikë dhe i turreshin kryetarit të Bashkisë së Kavajës me gjithfarë shpifjesh e akuzash. Ashtu sikundër nuk kam pasur pse ta fsheh respektin për punën e jashtëzakonshme të Elvis Roshit për Kavajën, e cila sot është kthyer në një shembull të shkëlqyer transformimi.
Por fatkeqësisht sot, një verifikim i thelluar ka nxjerrë në dritë një fakt deri tani krejt të panjohur dhe të papërfolur ndonjëherë për Elvis Roshin, për të cilin nuk është lënë gënjeshtër pa treguar. Elvis Roshi është dënuar në moshë të mitur në Itali nga gjykata e të miturve! Jam i keqardhur, por aspak i lëkundur në bindjen time se kur hyn në mes një problem me drejtësinë, vendimmarrja s’ka si të ketë më asnjë ngjyrë tjetër përveçse bardhezi. Kam qenë dhe mbetem i prerë në këtë pikë: Fajësinë nuk e caktojnë partitë as mediat po gjykatat. Gjithkush sulmohet me opinione kriminalizuese të pambështetura në fakte po në shpifje, meriton solidaritet. Ama gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka. Fakti në këtë rast që Elvis Roshi nuk e ka vuajtur asnjë ditë dënimin sepse ka qenë në moshë të mitur, nuk mund të ndryshojë gjë. Kjo ka qenë linja ime në këtë aspekt shumë më përpara se sa të kalonte ligji i “dekriminalizimit”, kjo është linja jonë edhe sot. Asgjë nuk ndryshon në raport me hipokritët e lartpërmendur dhe po ashtu asgjë nuk do të ndryshojë në pikën e lartpërmendur. Dhe ndryshe nga partia përballë që tjetër thotë e tjetër bën me papastërtitë e hatashme që ka në grupin e saj parlamentar, deri edhe duke justifikuar shkeljen haptazi të ligjit të “dekriminalizimit” nga një deputet i saj, në familjen tonë politike nuk ka llafe përballë fakteve të provuara. Kush gjendet në shkelje të kësaj linje as nuk mund ta marrë, as nuk mund ta mbajë një detyrë me mbështetjen tonë.
Kam besuar dhe me siguri do të besoj gjithnjë se të trajtosh një njeri si kriminel për vepra që nuk i ka bërë, është kriminale. Ishte kriminale dje dhe mbetet kriminale sot e gjithmonë, çdo shpifje, akuzë, fabrikim që synon të kriminalizojë një person për shkak të detyrës. Edhe Elvis Roshin! Besoj po ashtu se edhe vetë dorëheqja e Elvis Roshit sot, u jep të gjithëve një tjetër provë të qartë se në Partinë Socialiste në këta 32 muaj qeverisje ka fituar një parim i panegociueshëm:
Kur një fakt i provuar nxjerr në pah një problem që i takon drejtësisë, pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne.
Duke e konsideruar të përfunduar shërbimin e Elvis Roshit si kryetar i Bashkisë së Kavajës, do të vazhdoj ta mbështes me gjithë zemër projektin ambicioz të Rilindjes Urbane të Kavajës.

SHKARKO APP