FOTO/ Nafta në Shpirag, Rama: Rezultatet në fund të vitit, Fond Sovran për administrimin e pasurisë kombëtare
Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të martë zonën naftëmbajtëse të Shpiragut, ku sipas tij, synohet nxjerrja e një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Sot në Shpirag, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës”, u shpreh Rama.
Postimi i plotë
Sot në Shpirag, ku zbulimi i rëndësishëm i kryer 6.1km në thellësi të tokës naftëmbajtëse, mbart bashkë me premtimin e madh të nxjerrjes së një pasurie të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, edhe sfidën e testit përfundimtar teknik të vlerësimit të qëndrueshmërisë së presionit të fluksit të gazit e të naftës, deri mbi sipërfaqen e tokës.
Në fund të këtij viti do ta mësojmë edhe këtë, ndërkohë që po punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë në rast suksesi të testit final një pasuri kaq të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë.
Paçim fat tanimë kur kjo përpjekje thuajse dhjetëvjeçare, po i afrohet orës vendimtare të së vërtetës.