Gënjeu për arrestimin në Greqi, KQZ shkarkon Agim Kajmakun
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot të shkarkojë nga detyra kreun e Bashkisë së Vorës, i zgjedhur me votimet një partiake të 30 qershorit, Agim Kajmaku.
Prokuroria e Përgjithshme ka vërtetuar se Agim Kajmaku, gjatë kohës që jetonte në Greqi ka përdorur emrin Jorgo Toto, i cili rezulton i arrestuar në shtetin fqinj për falsifikim parash. Këtë fakt Kajmaku nuk e ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit kur kandidoi për Bashkinë Vorë dhe e ka mohuar deri në momentin që prokuroria verfikikoi shenjat e gishtave.
Provat e Prokurorisë së Përgjithshme u janë shpërndarë të 5 anëtarëve të KQZ-së për të shqyrtuar aktet. Në mbledhjen e KQZ-së avokati i Agim Kajmakut, Isuf Shehu tha se verifikimet e prokurorisë janë të paplota dhe se shkresat nga Greqia nuk kanë ardhur ende. Për këtë arsye, tha avokati, KQZ nuk mund të vendosë mbi bazën e disa opinioneve. “Verifikimet janë të paplota nga ana e prokurorisë. Detyra e prokurorisë janë të parashikuara qartë, te cilën ata nuk e kanë zbatuar. Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë vendim të formës së prerë ndaj subjektit Agim Kajmaku. Letërporositë nga institucionet greke nuk kanë ardhur në organin e akuzës në Shqipëri. Kështu lind pyetja a është nisur kërkesa për këtë letërporosi?! Pa patur këto përgjigje nuk kemi një procedurë verifikimi të përfunduar. Procedimi ndaj Kajmaku në Greqi është bërë plotësisht në mungesë të tij dhe në mungesë të dijenisë së tij. Ju të nderuar s’mund të merrni vendime mbi opinione qofshin këto edhe nga prokuroria”, është shprehur avokati.
Agim Kajmaku është kryebashkiaku i dytë i PS-së, pas atij të Shkodrës, që lë mandatin për shkak të problemeve me drejtësinë. Denoncimi për të kaluarën e tij të dyshimtë u bë nga PS disa muaj më parë.
Mbi vendimin e trupës së KQZ-së për mbarimin e mandatit të (tashmë) ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku ka reaguar sërish kryeministri i vendit, Edi Rama. Këtë herë, përmes një postimi në Twitter, Rama shkruan: “KQZ ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje?Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë”. Më hetër kryeministri deklaroi në një prononcim për mediat se “institucionet janë institucione”.