Gjergj Luca, përjetëson Mimika Lucën, nga kujtesa e artit tonë skenik, në një fondacion bamirësie

Nga Albert Vataj

Ka emra që nuk mbeten vetëm në kujtesën e roleve, por shndërrohen në orientim moral dhe kulturor për brezat që vijnë. Emri i aktores së madhe Mimika Luca tashmë nuk i përket vetëm historisë së teatrit dhe kinemasë shqiptare, por edhe një vizioni të ri humanitar e kulturor, të mishëruar në Fondacionin “Mimika Luca”, një nismë e themeluar nga i biri, Gjergj Luca, si akt përkushtimi, amaneti dhe përgjegjësie shoqërore.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Sot deklaroj të hapur fondacionin e artit dhe të promovimit me emrin e nënës time, Mimika Luca. Gjaku nuk bëhet ujë, krenaria e familjes time në shërbimin tuaj. Me këmbë të mbarë, Mimika e dashur!” – u shpreh Gjergj Luca në daljen e tij publike, duke e shndërruar një ndjenjë intime birësore në një mision publik me impakt afatgjatë.
Ky fondacion nuk është thjesht një strukturë bamirësie. Ai përfaqëson realizimin e një premtimi moral, por edhe ngritjen e një institucioni që synon të mbështesë financiarisht aktet e solidaritetit social, të promovojë dijen, artin dhe kulturën, si dhe të kthehet në një hapësirë reale shprese për talentet e reja që kërkojnë një mundësi për të ecur përpara.

Swiss Digital Mobile Reklama

Atë që për dekada me radhë nuk e kanë përmbushur institucione të tëra shtetërore e vendore, Fondacioni “Mimika Luca” synon ta realizojë përmes veprimit konkret: mbështetjen e drejtpërdrejtë të njeriut, të krijuesit dhe të ëndrrës.
Në këtë nismë, Gjergj Luca sjell në dritë edhe një nga ëndrrat më të bukura të nënës së tij: dëshirën për të interpretuar rolin e Nënë Terezës, humanistes së madhe shqiptare. Një ëndërr që, ndonëse nuk u realizua në skenë, gjen përmbushje simbolike dhe substanciale në misionin humanitar të fondacionit. Mimika Luca, aktorja e dhjetëra roleve në teatër dhe film, pedagogia që formoi breza të tërë, gruaja e përkorë dhe e palodhur e artit skenik, tashmë jeton si energji mbështetëse për ata që e shohin aktrimin si fat dhe aspiratë jetësore.
Përjetësimi i emrit të saj në një fondacion humanitar është një akt respekti jo vetëm për figurën e Mimika Lucës, por edhe për trashëgiminë kulturore nga e cila ajo vinte: familjen e Frashërinjve, rilindësit e mëdhenj të mendimit kombëtar, si dhe për bashkëudhëtarin e jetës dhe artit, Ndrek Lucën, një nga shtyllat e skenës shqiptare.
Ky vizion do të marrë formë konkrete përmes mundësive financiare të vëna në dispozicion nga Gjergj Luca, por edhe përmes hapësirave kulturore si kinematë në Fish City, të menduara jo thjesht si salla projektesh filmike, por si laboratorë krijimi, ku talentet e reja do të mund të hedhin hapin e tyre të parë drejt skenës së madhe të artit.

Gazetari Bled Mane, në këtë prezantim, theksoi se Fondacioni “Mimika Luca” nuk do të jetë vetëm bamirës, por edhe kulturor dhe arsimor, duke ndihmuar njerëzit në nevojë dhe studentët e talentuar, në frymën e dëshirës së pedagoges Mimika Luca, e cila gjatë karrierës së saj akademike formoi dhjetëra breza artistësh.
Prezantohet gjithashtu edhe “Kinostudio Shqipëria Dje”, një ambient me dy kinema, i konceptuar si një tempull i hapur për aktorë, regjisorë dhe krijues të rinj. Një derë e hapur për artin skenik në dimensionin e kohës së sotme, e lirë nga censura, dogmat dhe mekanizmat e tjetërsimit të vlerave krijuese. Edhe këshilli artistik, sipas këtij vizioni, nuk do të jetë një strukturë kontrolli, por një hapësirë dialogu, ku rebeli Gjergj Luca dhe kontraversi Bled Mane përfaqësojnë një qasje të hapur dhe sfiduese ndaj krijimit.

Dy kinematë nuk do të jenë thjesht salla filmi, por hapësira teatri, komedie dhe shfaqjeje, ku do të realizohen filma me metrazh të shkurtër dhe sipërmarrje të tjera filmike. Këto projekte nuk synojnë vetëm pasurimin e traditës së filmit shqiptar, por krijimin e një zinxhiri vetëfuqizues, ku çdo vepër e realizuar gjeneron mbështetje për të tjera nisma, duke zgjeruar tempullin e kinemasë shqiptare me emra të rinj, me vepra të reja dhe me ëndrra të realizuara.
Fondacioni “Mimika Luca” është, në thelb, një dëshmi se arti nuk mbaron në skenë, por vazhdon në jetë, si përgjegjësi, si solidaritet dhe si besim tek njeriu, te vlerat, përkushtimi dhe pasioni.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?