Haradinaj: Rama na vuri BLLOKADË
Sherri mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për “Minishengenin” nuk është ndalur as gjatë festës së Krishtlindjes. Kryeministri Haradinaj, në një intervistë për mediat në Kosovë deklaroi dje se debatet mes Tiranës dhe Prishtinës janë të padobishme dhe se dy shtetet duhet të bashkëpunojnë me shumë për të mbrojtur interesat e tyre.
Me një gjuhë të moderuar dhe duke kërkuar ndjesë për sherrnajën ku qeveria e Shqipërisë futi Kosovën duke bërë marrëveshje me presidentin serb, Haradinaj deklaroi se ka folur vetëm për të mbrojtur interesat e shqiptarëve. Ndryshe nga Edi Rama, që në jo pak raste e ka cilësuar gënjeshtar dhe e ka sulmuar personalisht, Haradinaj duke kërkuar ndjesë thotë se “Edi Ramën e kam vëlla”, por shton se “nuk mund të mos flasë sa herë interesat tona preken”.
Duke risjellë në vëmendje marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, e cila kishte indirekt dhe mbështetjen nga një pjesë e qeverisë në Tiranë, Haradinaj analizon dhe marrëveshjen e Mini-shengenit. Kryeministri i Kosovës argumenton se qeveria e tij i vuri disa muaj më parë taksë gjithë produkteve serbe edhe me qëllimin për të hapur tregun ndaj biznesit dhe ekonomisë së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, qeveria e Kosovës detyronte Serbinë për shkak të ekonomisë të detyrohej të ulej në bisedime në qeverinë e tij dhe nga ana tjetër i jepte mundësi ekonomisë shqiptare të hynte në gjithë tregun e Kosovës. Por sipas Haradinajt, në vend të qeveria e Tiranës të shfrytëzonte situatën dhe të dilte në krah të Kosovës, firmosi marrëveshjen rajonale me Serbinë për hapjen e tregjeve të përbashkët. Shpjegimi në këtë mënyrë i projektit të Mini-shengenit, veç efekteve politike për Kosovë sjellë dhe bllokadë të ekonomisë së saj. Pas deklaratave të Ramush Haradinaj, kryeministri Edi Rama ka publikuar një shënim të gjatë në Facebook. Në festën e Krishtlindjeve, Edi Rama ka gjetur kohë t’u përgjigjet gjithë kritikëve që këto ditë e kanë akuzuar për “tradhti” ndaj Kosovës. Replika e kreut të qeverisë nuk i drejtohet një emri konkret dhe synon t’u përgjigjet gjithë kritikuesve. Kryeministri thekson se marrëveshja rajonale me Serbinë ka mbështetjen e SHBA dhe BE edhe pse deri më sot nuk ka asnjë qëndrim të qartë publik që e vërteton këtë. Gjithashtu, kryeministri u kujton atyre që e quajtën Esat Pashë se ai është politikani i parë që ka folur për pavarësinë e Kosovës në Beograd.
Ja se ç’shkruan ndër të tjera dje kryeministri Rama: Mua mallkimet e ofendimet Tuaja, sado Ju të hidheni përpjetë, nuk më bëjnë dot as tradhëtar e as Esat Pashë, ashtu sikundër lëvdatat e komplimentat në raste të tjera, nuk më bëjnë hiç asfare, as hero e as Ismail Qemal! Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe e thashë mu në Pallatin e Serbisë, shqip, atë që mendoja e që mendoj sot e gjithë ditën për Kosovën. Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta njohë si shtet, sepse është edhe në të mirën e saj të çlirohet nga fantazmat e të shkuarës. Pikë!”- shkruan Rama.
Por i shpejtë ka qenë Petrit Vasili që deklaroi se “Edhe tradhtar, edhe Esadist edhe shumë i lodhur ky kryeministri pazarxhi i Shqipërisë. Edhe per Krishtlindje do dëgjojmë shtërzimet e fikura të kësaj mushke shterpë politike? Që këtu e deri në Amerikë tradhtar është dhe tradhtar do të mbetet dhe kete ” meritë” ai e ka fituar vërtet me “meritë” se e shiti Kosoven si askush në këto 2000 vjet. Këtë “meritë” të tradhetarit as ja merr dhe as ia do njeri, ta mbajë dhe do ta mbajë gjithë jetën”.
Ndërkohë që para Ramës kanë qenë ministra dhe kryeministra të tjerë që e kanë ngritur çështjen e Kosovës në kryeqytetin e Serbisë. Pavarësisht deklaratave në Facebook, kryeministri nuk u jep përgjigje shqetësimeve të opinionit publik në Prishtinë dhe Tiranë, se çfarë përfiton konkretisht nga marrëveshja me Serbinë, pikërisht Shqipëria? Nëse marrëveshja është kaq pozitive, siç thotë kreu i qeverisë, përse nuk bindi liderët e Kosovës për dobinë e saj, por i vendosi para faktit të kryer? Para takimit të Durrësit, Edi Rama, Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Zaev kanë zhvilluar dy takime të tjera në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut. Koha ka qenë e mjaftueshme që kryeministri i Shqipërisë të bindte Haradinjan, por edhe opinionin publik në Shqipëri se po bënë veprimin e duhur në politikën e jashtme. Sot që Kosova ka mbetur jashtë kësaj marrëveshje dhe reputacioni i saj është dëmtuar nga vet qeveria e Tiranës është e pamjaftueshme të thuash se po sulmohet padrejtësisht Edi Rama. Dëmi në raportet mes dy shteteve është bërë dhe kushdo që nesër të jetë në qeverinë e Kosovës do të duhet të përballet me pasojat e veprimeve të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Argumenti kryesor që Edi Rama po u jep shqiptarëve këto ditë për të mbështetur marrëveshjen është se paratë do të vijnë nga Serbia dhe tregtia që do bëhet me vendet e rajonit. Nëse nisma ka qëllime vetëm ekonomike, si ka mundësi që këto kohë, me vetëdije Shqipëria nuk shfrytëzoi hapësirën ekonomike që u la bosh nga bllokimi i mallrave serbe në Kosovë? Me efektet që ka dhënë marrëveshja, deri tani, kemi hapur tregun për mallrat e Serbisë dhe siç thotë Haradinaj, i kemi vënë bllokadë ekonomisë së Kosovës.
Edi Rama duhet të niset për Prishtinë të flasë me kryeministrin Haradinaj, që duket do të jetë edhe muaj të tjerë kryeministër, siç po shkojnë punët mes LDK dhe Vetëvendosjes.
M. Xhani