Ilir Meta: Pushteti i Edi Ramës është fashizëm! Me 25 prill populli të dalë në votime të rrëzojë klikën

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një dalje për mediat nga zyrat e presidencës, ka sqaruar sulmin e policisë bashkiake dhe të shtetit mbi FRD, e cila kishte kontratë me qera  si dhe akuzoi hapur Edi Ramën dhe Erion Veliaj për dhunim të Kushtetutës dhe partive të opozitës.

Presidenti sqaroi se policia kishte penguar Kreun e Shtetit dhe stafin shoqërues të hynin brenda, një veprim krejt skandaloz nga ana e qeverisë.

Pasi sqaroi me dokumenta se pse Bashkia dhe qeveria ushtruan dhunë mbi një parti politike të opozitës, Ilir Meta foli me tone të forta kundër kryeministrit Rama, i cili përveç te FRD, dje provokoi dhe përdori bandat kriminale kundër PD e Lulzim Bashës. Ato banda në Elbasan, shtoi Presidenti, kishin dalë përkrah kryeministrit e më pas dhunuan opozitën.

Presidenti tha i vendosur se ai nuk do të ndalet përpara kësaj klike në pushtet që ka uzurpuar dhe blerë gjithçka, bile në tërësi edhe pronarët e medias. Ai shtoi se kjo është një qeveri fashiste dhe se duhet që populli të dalë në votime me 25 prill për të rikthyer demokracinë. Njerëzit nuk duhet të shesin votën.

Ilir Meta sqaroi se në Tiranë mafia ndërkombëtare po pastron paratë e krimit me mafien vendase dhe kryeministrin Rama.

Presidenti deklaroi haptazi dhe prerë se Kryetarin e Shtetit nuk e ndal asgjë dhe asnjë të mbrojë demokracinë, të cilën po e dhunon e shkatërron Edi Rama, sepse e di që mafia ndërkombëtare me Edi Ramën duan ta kthejnë Shqipërinë vend për pastrimin e parave të krimit e drogës.

Lexoni deklaratë për mediat e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta 

15 mars 2021

Situata e paligjshme, që ndodhi në selinë e Frymës së Re Demokratike dhe sulmi i dhunshëm ndaj kësaj force politike opozitare, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj për zgjedhjet e 25 prillit 2021, është një tjetër tregues i sjelljes tërësisht të papërgjegjshme dhe provokuese të mazhorancës, me qëllim dëmtimin e aktivitetit kushtetues dhe ligjor të kësaj force politike pjesëmarrëse në zgjedhje, por njëkohësisht edhe një dëshmi e përpjekjeve të saj sistematike për të minuar pluralizmin politik në vend.

Ky sulm, siç u ndoq nga të gjithë shqiptarët, bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës.

Të gjitha veprimet e Kryetarit të Bashkisë dhe administratës së tij, ndaj Frymës së Re Demorkatike, janë kryer në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe ligjin, në shpërdorim të detyrës dhe funksionit public, që ata mbajnë dhe pa asnjë akt zyrtar të shkruar, që të legjitimojë veprimtarinë e tyre.

E gjithë veprimtaria e Kryetarit të Bashkisë:

  • Është në shkelje të hapur të të gjitha parimeve mbi të cilat ushtron veprimtarinë e saj administrata shtetërore;
  • cenon hapur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, dhe

 minon frymën demokratike dhe të barazisë para ligjit, që duhet të karakterizojë, periudhën para dhe gjatë zgjedhore, për të gjitha subjektet.

Por le të kalojmë tek faktet:

  1. Në ambientet e FRD-së, ishte ngjitur diku në korridoret e saj një letër, pa origjinë, pa nënshkrim titullari, pa vulë institucioni dhe pa numër protokolli, përveç një fjale “Ekstra” e datës 03.03.2021, me qëllim që ta bënin këtë letër të dukej si një akt zyrtar për të justifikuar veprimet e dhunshme dhe arbitrare, që ishin planifikuar, me qëllim terrorizimin e kësaj force politike dhe të forcave opozitare në tërësi.

Përmes kësaj letre që nuk plotëson asnjë element minimal të një akti administrativ, në kuptim të ligjit, i kërkohej FRD-së, “Lirimi i ambienteve për nevoja të Bashkisë Tiranë”.

Kjo letër përveçse nuk plotësonte kriteret minimale të një akti të thjeshtë administrativ, nuk citonte në përmbajtjen e saj, asnjë bazë ligjore apo referencë mbi të cilën mbështetej ky njoftim.

  1. Më pas rezulton se, Partisë Fryma e Re Demokratike, t’i jetë shkëputur energjia elektrike, dhe në ambientet e saj janë paraqitur punonjës të Policisë Bashkiake, që kanë bllokuar hyrjen në këtë forcë politike në ambjentet e saj, ndërkohë që Kryetari dhe disa drejtues të tjerë të kësaj force politike ishin të bllokuar brenda zyrave të saj.
  1. Ky ka qenë momenti kur Kryetari i FRD-së, ka njoftuar mediat, drejtuesit e partive politike, drejtuesin e KQZ-së dhe Kryetarin e Bashkisë Tiranë, përmes një deklarate urgjente për shtyp, siç ka njoftuar gjithashtu edhe Presidentin e Republikës.
  1. Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, duke vënë re një tensionim absurd

kam ndjekur me vëmendje dhe hap pas hapi të gjithë situatën dhe kam vendosur për të kontaktuar jo vetëm drejtpërdrejt Kryetarin e FRD, por njëkohësisht edhe për të parë e verifikuar situatën e paprecedentë, që po ndodhte aty.

  1. Kam vendosur të ndryshoj axhendën dhe të vizitoj selinë e kësaj force politike dhe pasi kam mbërritur në selinë e FRD-së, kam kontaktuar me dejtuesit e kësaj force politike dhe jam drejtuar për në zyrën e kësaj partie, për të biseduar me Kryetarin e saj dhe drejtuesit e tjerë të FRD-së, lidhur me këtë situatë të krijuar. Në momentin, që jemi drejtuar për në hyrjen kryesore të godinës dera ka qenë e mbyllur dhe e rrethuar me policë bashkiakë me uniformë dhe pa uniformë, sikur aty të ishte një skenë flagrante krimi dhe jo të ishte selia e një partie politike të ligjshme.
  1. Stafi shoqërues i Presidentit të Republikës, ka kërkuar që të hapet dera për të bërë mundësuar hyrjen e Presidentit të Republikës dhe stafit që e shoqëronte, bashkë me drejtuesit e FRD-së.
  1. Fillimisht është hapur dera dhe është lënë të hyjë vetëm Presidenti i Republikës, ndërkohë që ende pa u futur Presidenti në këtë godinë, stafi i Policisë Bashkiake i shoqëruar me disa funksionarë publikë civilë, në mënyrë të dhunshme kanë penguar me forcë e dhunë fizike, stafin që shoqëronte Presidentin e Republikës, përfshirë edhe disa nga drejtuesit e FRD-së.
  1. Ky ka qenë dhe momenti që unë si Kryetar i Shtetit, kam reaguar ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake të cilët me veprimet e tyre, kanë penguar Presidentin e Republikës të ushtrojë funksionet, përgjegjësitë dhe rolin e tij Kushtetues.
  1. Edhe pasi ngjarja u bë publike dhe ndërhyrjes sime si Kreu i Shtetit, në korridoret e FRD-së është dërguar një shkresë edhe kjo e korrigjuar e Policisë Bashkiake për lirimin e mënjehershëm të selisë së FRD-së. Edhe kjo shkresë e pareferuar në asnjë akt ligjor dhe që nuk përmend asnjë arsye të ligjshme se përse bëhej fjalë, ndërkohë që në këtë akt përmendet fakti se “FRD paska zaptuar ambientet e Bashkisë Tiranës”
  1. Ky është një tjetër falsifikim i Bashkisë Tiranë, pasi Fryma e Re Demokratike, as nuk është futur me forcë dhe as ka zaptuar ndonjë ambient apo zyrë publike.
  1. Dhe kjo sepse, Fryma e Re Demokratike ndodhet në këtë seli që prej datës 23.03.2016, mbi bazën e një Marrëveshjeje të lidhur me Bashkinë Tiranë me Nr. 5216/2 prot dhe Nr. 03/1, datë 23.03.2016 “KOONTRATË HUAPËRDORJE”, përmes të cilës në bazë të ligjit nr.8580 , datë 17.12.2000 “Për Partitë Politike “, i ndryshuar. Sipas kësaj marrëveshje Bashkia Tiranë, ka marrë përsipër përmbushjen e detyrimit ligjor për të pajisur Frymën e Re Demokratike me Selinë Qëndrore dhe Zyrat Vendore, sipas ligjit.
  2. Pra Fryma e Re Demokratike, ka ushtruar dhe vijon të ushtrojë aktivitetin e saj publik dhe politik, që prej datës 23 mars 2016 në këtë seli, pra prej 5 vitesh, përmes një marrëveshje ligjore dhe nuk ka zaptuar asnjë centimetër pronë publike, siç pretendonte akti i paligjshëm i Bashkisë Tiranë i datës 12 mars 2021.
  1. Në këtë marrëveshje ligjore të lidhur midis FRD dhe Bashksië Tiranë, e cila është firmosur nga vet Kryetari i Bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj në nenin 7 të saj citohet shprehimisht se:

Neni 7

“ Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve” 

     “Palët bien dakord që të gjitha mosmarrëveshjet e mundshme që mund të lindin gjatë zbatimit të kësaj kontrate, të zgjidhen me mirëkuptim, në rast të kundërt kompetente për zgjidhjen e tyre, do të jetë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.”

  1. Ndërkohë që në nenin 8 të kësaj Marrëveshje, i siguron një mbrojtje të posaçme FRD dhe Bashksië Tiranë, pasi në këtë nen pika 8.1, parashikon shprehimisht se: “Për gjithçka që nuk është shprehur posaçërisht në këtë kontratë, zbatohen dispozitat përkatëse të Kodit Civil dhe Legjislacionit në fuqi”, dhe konkretisht Kodi Civil dhe Ligji mbi Partitë Politike.
  1. Referuar këtyre akteve të nënshkruara midis palëve dhe zbatimit të ligjeve të përmenduara në vet marrëveshjen e lidhur, Bashkia Tiranë, nuk ka asnjë autoritet ta zgjidhë me vetgjyqësi këtë çështje, por nëse do ta konsideronte këtë një mosmarrëveshje, ajo, pra BASHKIA TIRANË, duhet t’i drejtohej Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, siç kanë rënë vet dakord me marrëveshje.

Dhe ky hap do të duhej të merrej vetëm, pasi të ishin konsumuar dhe shteruar me drejtuesit e kësaj Partie të gjitha mundësitë e zgjidhjes me mirëkuptim.

  1. Çdo veprim tjetër i kryer, për urdhërimin e lirimit të ambienteve, është i paligjshëm, antikushtetues dhe përmban elementë të veprës penale, të shpërdorimit të detyrës dhe zgjidhjes së konflikteve përmes vetgjyqësisë.
  1. Vetëm pas presionit të madh publik dhe mediatik, Bashkia Tiranë, në datë 13 mars 2021, i ka dorëzuar në mënyrë zyrtare FRD-së një shkresë formale të nënshkruar dhe vulosur me protokoll të rregullt, nga autoritet e Bashkisë. Kjo shresë i referohet një Urdhri të nxjerrë në orët e vona të natës të datës 12 mars nga Kryetari i Bashkisë Tiranë. Përmes kësaj shkrese kërkohet “lirimi i ambjente”, brenda 10-ditëve, por çuditërisht të dy këto akte, si Urdhëri i Kryetarit të Bashkisë, ashtu dhe njoftimi i zyrtarëve të kësaj Bashkie, nuk i referohen as Marrëveshjes që ka Bashkia me FRD-në, që prej shkurtit 2016 dhe as Ligjit nr.8580 , datë 17.12.2000 “Për Partitë Politike”.

 

 

SHKARKO APP