Intervistë ekskluzive për ”KOHA JONË” e nënkryetarit të PD, Agron Gjekmarkaj: Berisha u bë sot anëtar i LSI, kurse ajo u pasurua me një “nongrata”!
Në një intervistë ekskluzive për ”KOHA JONË”, nënkryetari i PD-së, deputeti Agron Gjekmarkaj thotë se ish-kryeministri Sali Berisha sot u bë anëtar i LSI-së, kurse ajo u pasurua me një ”non-grata”. Sali Berisha dhe LSI-ja pranuan sot se për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashkitë e vendit, janë bashkë në një koalicion, të cilin e quajtën “Shtëpia e Lirisë”.
Intervista e plotë për ”KOHA JONË”
Pyetje 1: Primaret e djeshme të Berishës, a mendoni se do ju prishin punë më 6 mars si PD?
Agron Gjekmarkaj: PD hyn në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit për të fituar në të gjitha bashkitë. Këto janë zgjedhje të pjesshme me një mandat 13 mujor. Ne do të prezantohemi me kandidat cilësor, përfaqësues të denjë të komunitetit. Mos të harrojmë se të gjitha këto bashki janë pa kryetar prej ligjit të dekriminalizimit, i cili ndëshkoi alenacën e Edi Ramës me botën e krimit. Në zgjedhje çdo votë është e rëndësishme. Tani koalicionit të krimit kundër PD-së, ua bashkua edhe koalicioni “non-grata”. Unë besoj që vullneti qytetar do ta mundë agresionin atipik nën të cilin ndodhet PD-ja. Koalicioni “non-grata” i ka shpallur luftë PD-së dhe Amerikës, jo Edi Ramës. Llogarinë se kujt i shërben ky koalicion, bëjeni vetë ju të KOHA JONË.
Pyetje 2: LSI u hodh në sulm total ndaj Bashës, pas një miqësie politike të para 25 prillit. E keni tradhtuar LSI?
Pragmatizmin në politik në shërbim të kauzave nuk e kemi shpikur ne shqiptarët. Frontet opozitare i krijojnë rrethanat. Ato në vendon tonë nuk kanë munguar. LSI është një parti e majtë. Koalicioneve me të, jo pak herë PD-ja ka paguar kosto tek militantët e saj, dhe me këtë nuk dua t’u bie betejave të përbashkëta që PD-ja ka bërë me ata. Në vitin 2017 në një fushatë agresive, LSI-ja mori shumë vota të PD-së. Në 2021 këto vota u kthyen tek PD-ja. Të marresh votat e tua të vërteta nuk është tradhëti. Të sulmosh PD-së dhe Bashën nuk më duket se është tradheti e PD-së dhe e Bashës. Duhen pyetur sulmuesit për motivet dhe kush ka tradhëtuar kë?
Pyetje 3: Dyshja Berisha-Meta, a do të sjellë automatikisht në dyshe Rama-Basha?
Po ta vini re, Rama po e sulmon PD-në dhe Bashën me argumentet e Berishës, madje me shifrat e tij, megjithëse Basha është kryetar legjitim i PD-së, i njohur si i tillë nga anëtarësia e PD-së, nga institucionet dhe nga faktori ndërkombëtar. Berisha dhe Meta tanimë janë bashkë edhe zyrtarisht, jo me vetëm emocionalisht! Berisha sot u bë anëtar i LSI-së, e cila u pasurua me një “non-grata”. Rama po mbështet Berishën pa ndrojë e komplekse. Pra kemi një trekëndësh tranzicionin Berisha- Rama-Meta sëbashku, dhe PD-më e cila po ndahet nga e shkuara dhe tranzicioni në emër të së ardhmes dhe Shqipërisë. Trekëndëshi është e kaluara, është ”non-grata”.