Këshilli i Europës, mision në Tiranë për krizën politike dhe 30 qershorin
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) do të dërgojë në Tiranë një mision fakt mbledhës për krizën politike. Dy anëtarët e asamblesë, raportuesit Andrej Hunko nga Gjermania dhe Joseph O’Reilly nga Irlanda do të monitorojnë nga afër situatën e krijuar në vend. Në njoftimin e KiE në Strasburg thuhet se misioni do të merret posaçërisht me krizën politike në Shqipëri, reformën në drejtësi, vijimin e zgjedhjeve lokale, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias.
Vizita e ekipit monitorues do të kryhet në datat 28-30 tetor 2019. Gjatë qëndrimit në Tiranë, dy politikanët e Asamblesë Parlamentare të KiE do të takohen me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, krerët e partive politike, drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues të KQZ. Një takim i veçantë do të zhvillohet dhe me përfaqësues të komuniteti ndërkombëtar në Tiranë.
Në këtë mision, paraqet interes rikthimi i ndërkombëtare në çështjen votimeve të 30 qershorit. Qeveria “Rama” e cilëson si proces të mbyllur vlefshmërinë e këtyre votimeve, ndërkohë në njoftimin e KiE flitet për “vijim të zgjedhjeve lokale”. Kujtojmë se ishin institucione të Këshillit të Europës, ku bëjnë pjesë 47 vende përfshirë Shqipërinë, të cilët shprehen rezerva dhe bojkotuan vëzhgimin e 30 qershorit.
Kjo vizitë ka rëndësi dhe për zbatimin e reformës në drejtësi, pasi do të verifikojë nga afër shqetësimet për mungesën e gjykatave kryesore dhe vonesat në zbatimin e kësaj reforme.