Kim Mehmeti: Vetëvendosja do të gabojë rëndë nëse do bëhet si “Rilindja” e Shqipërisë!
Nga Kim Mehmeti –
Fitorja e vërtetë e Kosovës nuk ka të bëjë me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, por me të vërtetën se ajo përfundimisht ia zbardhi fytyrën politike mbarë shqiptarisë dhe u çlirua nga pengmarrësit e saj: nga ‘Klani Pronto’ dhe “pleqtë” e LDK-së që pamëshirshëm asaj ia “thithnin” gjakun rinor.
Andaj edhe mund to thuhet se VV e shpëlau pjesën më të madhe të premtimit dhënë rinisë dhe popullit të Kosovës. Tani mbetet që vendin ta pastrojë nga plehu politik, që është duke e “qelbur” dhe që e ka mbuluar atë. Dhe duhet përsëritur se VV-sjen sot do mund ta dëmtojnë rëndë, krenaria e pakontrolluar e fitimtarit dhe pritshmëria e madhe e popullit si dhe rezistenca e individëve të punësuar nëpër institucionet shtetërore e nëpër media, e të cilët nuk vlejnë gjë pa “hajdutët” e tyre partiakë.
Siç duhet theksuar, se VV do gabojë rëndë nëse do bëhet si “Rilindja” e Shqipërisë: nëse do mbetet në pushtet duke mos bërë asgjë më shumë se sa për çdo ditë të na e rikujtojë sa e kanë dëmtuar vendin dhe sa të paaftë e të këqij kanë qenë humbësit e zgjedhjeve.
Por sidoqoftë, Kosova i dëshmoi mbarë shqiptarisë se ajo nuk është Shqipëri që duron dikush ta tallë atë duke qeverisur me batuta, se ajo nuk është as Maqedoni ku heshtjen shkaku i injorancës e mosdijes e shet si urtësi, pra ajo dëshmoi se ishte dhe mbeti boshti më i shëndosh patriotik e politik i shqiptarisë.