Koment nga DW: Pse largohen besimtarët nga kisha?
Nga radio gjermane DW-
Shumica e krishterë në Gjermani është diçka e natyrshme për shekuj. Por anëtarët e kishës po largohen. Kishat katolike dhe protestante ende nuk kanë gjetur përgjigje, thotë Christoph Strack.
Ky është një moment historik simbolik: vetëm më pak se gjysma e gjermanëve i përkasin njërës prej dy kishave të mëdha të krishtera. Të ashtuquajturat kisha popullore, të cilat për një kohë të gjatë quheshin “kisha të mëdha”, me rreth 41 milionë besimtarë, nuk i mbledhin më shumicën e 83 milionë njerëzve që jetojnë në Gjermani.
Në vitin 1990 në Gjermani kishte 58 milionë anëtarë të kishës, pra rreth dy të tretat e popullsisë. Sot në Gjermani përveç katolikëve dhe protestantëve jetojnë edhe 4.5 milionë myslimanë, 1.5 milionë të krishterë ortodoksë dhe mbi 100.000 hebrenj. E ndërtesat më të mëdha të reja fetare që aktualisht po ngrihen në Berlin janë një tempull përfaqësues budist dhe “House of One”, si çatia e përbashkët e të krishterëve, hebrenjve dhe myslimanëve.
Këshillat e etikës në vend të kishave
Prirja e rënies së anëtarësisë prek si protestantët ashtu edhe katolikët njësoj, ndërsa kishat e reformacionit edhe më shumë. Tek të dyja konfesionet ka shumë arsye për këtë lëvizje. Njëherë ishte ngritja e kostos së solidaritetit. Më pas kisha dukej politikisht shumë e majtë ose shumë e djathtë. E ndonjëherë si shkak janë pozicione kishtare në fushën e moralit seksual ose skandalet e mëdha si ai i abuzimit seksual me fëmijë. E në fund, disa valë të largimeve mund të ndërlidhen edhe me emrat të caktuar të disa peshkopëve apo personave të tjerë, si për shembull në Këln.
Por shumë rrallë ndër largimet përmendet distacimi i personave nga vet kisha, ndonëse mund të dëgjohet edhe për largimin e personave të angazhuar që kanë punuar vullnetarisht. Më shumë duket sikur të kemi humbur njëri-tjetrin. Ndjenja e fesë dhe besimit apo edhe ndjenja për fenë dhe besimin po avullohet. Jo për shkak se të gjithë tani kanë filluar të studiojnë filozofi si të çmendur, apo pse bota mendon se tani mund t’i përgjigjet çdo pyetjeje me Google apo me ndonjë këshill etik.
E megjithatë trendi është dramatiknë një kohë kur lindin pyetje të mëdha. Pyetje kuptimore. 20 vjet më parë ishte deshifrimi i gjenomit njerëzor dhe përparimet në kërkimin e qelizave staminale. Sot është inteligjenca artificiale, sfida dramatike e ndryshimeve klimatike, çështjet themelore të drejtësisë globale dhe kombëtare në kohën ku burimet e resurseve po pakësohen. Fatkeqësisht, etika sociale, ky funksion shumë i rëndësishëm, nuk e ka rëndësinë më të madhe në kisha.
Valët e largimit
E tani edhe pandemia e gjatë torturuese, të cilën shumë ekspertë e shohin si një pararojë e sfidave të së ardhmes, mund të llogaritet midis tyre. Të gjitha këto janë pyetje kuptimore, ku pritet ndonjë përgjigje. E kur njerëzit nuk kanë më asnjë pritshmëri nga kishat, ata kërkojnë përgjigje ose rrugë shpëtimi diku tjetër.
Prandaj, një mirëdashësi fetare disi e paqartë që disa ekspertë e shohin në rritje, nuk mund të shihet si premtuese. Forma e shkruar e fesë së shkolluar ka kuptim, sepse kundërshton radikalizimin dhe egocentrzimin.
Por si pala katolike ashtu edhe ajo protestante duhet të dalin nga pozicionet mbrojtëse dhe të vendosin thekse të ndryshme. Në fjalorin e Coronës do të thuhej ndoshta, duhet të dalin përpara valës së re. Vazhdimi i status quosë nuk ndihmon.
Kjo përfshin edhe përballjen me përgjegjësitë – përballjen e vërtetë. Si sisteme pushteti që kishat ende shihen, ato me të drejtë janë gjithmonë nën vëzhgim. E kjo kthehet në zemërim kur pushteti kthehet në injorancë dhe lajthitje.
Vetëm thirrja tek Zoti nuk mjafton
Këtu përfshihen përfaqësuesit që duken të besueshëm dhe me të cilët njerëzit mund të identifikohen. Kjo përfshin gjithashtu një profil intelektual dhe guximin për të ndjekur institucione arsimore në të cilat fryma, përfshirë këtu edhe frymën e besimit ndaj Zotit, shkëlqen. Por vetëm thirrja tek Zoti nuk mjafton, nëse Zoti përdoret si instancë për pushtet.
Njerëzit kërkojnë sot kujdes shpirtëror gjithandej. Në kohën e Coronës dhe në veçanti në kohën e Krishtlindjeve lulëzon puna e këshillimeve shpirtërore përmes telefonit. Të ashtuquajturit kapelan të urgjencës janë gjithmonë aktivë në çdo fatkeqësi të madhe. Ata nuk kanë të bëjnë gjithmonë me kishat. Por tregojnë se kujdesi shpirtëror ka të bëjë më shumë me ndarjen e vuajtjeve dhe barrës, sesa thjesht me shpjegimet e një institucioni moral se çfarë duhet apo nuk duhet bërë. Po a e kanë ende kishat fuqinë për ta bërë këtë?
Nëse është kështu, atëherë kishat nuk duhet të kenë frikë. Ndoshta ndihmon një vështrim në Gjermaninë Lindore, në ato rajone të Gjermanisë ku të krishterët kanë qenë vetëm një pakicë e vogël për shumë dekada. Atje gjen tani më shumë besimtarë që nuk e kanë problem të shprehin besimin e tyre. /DW/