Komisioni Evropian kundër qeverisë: Ligji për mediat është shqetësues edhe pas ndryshimeve të fundit
Komisioni Evropian tha sot se projektligji për shtypin në Shqipëri, megjithë ndryshimet që i janë bërë ditët e fundit, përsëri ngre shqetësime.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian, i pyetur nga “Zëri i Amerikës” mbi projektligjin, që ka ngjallur debate të mëdha në Shqipëri, tha se edhe varianti i fundit nuk merr parasysh një sërë rekomandimesh që janë bërë nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Është e rëndësishme, thotë zëdhënësi, që të gjitha rekomandimet, të cilat u ritheksuan të martën edhe nga Komisionierja e Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović, të merren parasysh para se projektligji të kalojë për miratim përfundimtar.
Komisioni Evropian, tha zëdhënësi, e ka rishikuar paketën ligjore mbi shtypin duke ofruar komente dhe duke shprehur shqetësime gjatë gjithë procesit të hartimit të saj. Komisioni Evropian u ka bërë thirrje autoriteteve të marrin në konsideratë vërejtjet e OSBE-së dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, në mënyrë që ligji i ri të jetë në përputhje me standardet evropiane të lirisë së shprehjes.
Rekomandimet përfshijnë ndër të tjera, që rregullat e reja të kufizohen vetëm tek media audio vizive on-line, duke nxitur vetë-rregullimin, dhe që ankesat ndaj medias t’i nështrohen procesit të pavarur gjyqësor, si dhe të ketë transparencë më të madhe për pronësinë mbi mediat.
https://arkiva.kohajone.com/ambasada-e-be-drafti-i-medias-u-ndryshua-por-jo-sipas-rekomandimeve-tona/