Konflikt i heshtur mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit
Editorialin e shikoni duke klikuar videon!
Vjosa Osmani nuk e gëlltit dot anashkalimin që i bëri Albin Kurti me palën maqedonase për skandalin e aeroportit të Shkupit, ku presidenten e Kosovës e keqtrajtuan. Në vend që qeveria e Kosovës të bënte notë të ashpër proteste në mbrojtje të Presidentes dhe shtetit të Kosovës, ishte kryeministri Kurti që bëri sikur nuk kishte ndodhur gjë, pasi kishte interesa politike personale në Maqedoni, sepse partia që ai ka mbështetur ndodhet në qeveri në Shkup.
Kjo e ka fyer Vjosa Osmanin, jo vetëm si presidente, por edhe si qytetare të cilën duhej që kryeministri Kurti ta mbronte.
Mesa duket “gjynahet lahen në këtë botë”, ndaj kur është piku i konfliktit mes Albin Kurtit dhe SHBA për çështjen e urës në Mitrovicë, e ku Kurti e ka ndarë mendjen ta hap pa miratimin e BE dhe SHBA, erdhi sot reagimi mjeshtror i Presidentes Vjosa Osmani.
Thikës së përdorur nga Albin Kurti ndaj saj në Shkup, ia ndërroi drejtimin Presidentja nga komuna e Vitisë në Kosovë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të enjten se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të hapet, por kjo duhet të ndodhë në bashkërendim dhe të mos nxisë konflikt me aleatët perëndimorë.
“Ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të mbetet e hapur dhe jo që kur të hapet të nxisë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin, sepse ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë”, tha presidentja Osmani.
Albin Kurti thotë se hapja e urës mbi lumin që shënon vijën ndarëse ndërmjet veriut të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare, do t’i shërbente lëvizjes së lirë dhe nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës.
Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që “mos ta ndërmarrë këtë veprim të pa bashkërenduar”.
“Hapja e urës për trafikun e makinave tani, rrit mundësitë për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.
“Por sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulen bashkë, institucionet e Kosovës dhe aleatët tanë të sigurisë dhe të hartojnë së bashku planin e zbatimit i cili i merr parasysh vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë dhe ju siguroj që në shumicën e rasteve dërrmuese ato janë identike sepse bashkëpunojnë institucionet tona dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të përzgjidhet momenti më i volitshëm në mënyrë që çështja e urës dhe hapja e saj të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit por i përhershëm”, tha presidentja Osmani.
Ndërkohë kryeministri Kurti ka ngrysur vetullat pas kësaj deklarate të Presidentes dhe ka vazhduar në udhën e tij antiamerikane. Ka vendosur që ajo të hapet.
Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë kanë shtuar praninë e tyre në urën kryesore mbi Ibër. Ato nuk do të lejojnë hapjen e saj, ndërsa kryeministri mendon të dërgojë policinë e Kosovës që të hap urën.
Albin Kurti është në konflikt me BE, SHBA, por nga sot edhe me Presidenten e Kosovës.