Korrupsionin dhe lekët e vjedhura rilindasit i matin me metër

Shfaqja e kryeministrit Edi Rama në emisionin “Opinion” ka sjellë shumë reagime negative tek qytetarët. Kritikat e para janë për tonet e përdorura, fyerjet ndaj mediave dhe sjelljen jo normale të një kryeministri përballë gazetarëve. Por veç aspektit estetik dhe formës sesi u zhvillua debati, intervista e kreut të qeverisë ka ngjallur reagime për mospërgjigjen ndaj kritikave dhe justifikimin sa herë që anëtar të Rilindjes kapen në shkelje ligji.

Befasia e parë e publikut është shmangia e përgjegjësive nga ana e kryeministrit sa herë që akuzohej apo i kërkohej llogari për diçka. Gazetarët dhe më pas kreu i PD-së që ndërhyri në emisionin thanë hapur se në çështjen e përpunimit të mbetjeve ka korrupsion galopant. Miliona euro janë dhënë nga buxheti i shtetit vetëm për një kompani, pa tender. Kryeministri nuk pati përgjigje konkrete se kush ishte biznesmeni që qëndronte pas miliona eurove që i ka dhënë nga buxheti i shtetit. Nuk pati përgjigje as për mënyrën sesi është bërë procedura dhe përse mes shumë kompanive zgjidhet vetëm një, e cila ka vetëm 1 mijë euro garanci.  Kryeministri nuk ju përgjigj asnjë për çështjeve që lidhen me një nga skandalet me të mëdha financiare të viteve të fundit.

Befasia e dytë në intervistën e dhënë mbrëmë ishte garancia që jep Edi Rama se ai nuk është politikan i korruptuar dhe se nuk ka vjedhur. Të vetmen gjë që përsëriti disa herë është “është e provuar shkencërisht se njerëzit e gjatë nuk vjedhin!”. Në këtë mënyrë u tha qytetarëve se me që ai është i gjatë 2 metra dhe 1 centimetër, nuk ka gjasa që kryeministri të jetë politikan i korruptuar. Nuk dihet se ku e ka nxjerrë këtë përfundim shkencor Edi Rama. Studime të tilla bëjnë zakonisht revistat e modës, që thonë se modelet e gjatë janë më të suksesshëm në karrierë. Mund të jenë dhe më tërheqës në ambiente sociale, por studim që thotë se të gjatët nuk vjedhin apo nuk korruptohen, ngjan pak si shumë e çuditshme për të qënë e vërtetë. Edhe nëse mund të ketë studime të tilla, mënyra sesi kreu i qeverisë e hedh për diskutim këtë çështje ngjan me debatet antropologjike të para Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënin diferencime klasore të racave mbi bazë të përmasave të trupit, kafkës etj.

Por le ta lëmë mënjanë debatin shkencor dhe burimet se ku Edi Rama gjen të dhëna të tilla. Socialistët besojnë çdo gjë që thotë kryeministri dhe normalisht, me garancinë e gjatësisë në selinë rozë dhe në qeveri kanë nisur një problem shumë i madh. Nëse të gjatët si kryeministri nuk prekin me dorë para të pista dhe afera korruptive, atëherë kush  e bën korrupsionin në radhët e Rilindjes? Sepse që ka korrupsion dhe afera të dyshimta këtë nuk e vë njeri në diskutim. Që në Rilindje ka korrupsion kjo gjë është e sigurt, po aq sa është e sigurt që Edi Rama është më i gjati në qeveri. Me kriterin e shpallur në “Opinion”, Edi Rama bashkë me 2 metrat që i garantojnë pafajësi edhe nga SPAK dhe reforma në drejtësi, doli nga lista e të dyshuarve. Me logjikën e kreut të qeverisë, fajtorët duhen kërkuar mes të shkurtërve që i qëndrojnë afër në qeveri dhe në parti. Ne nuk po akuzojmë njeri, por nëse gjatësia është kriteri i vjedhjes, Erion Braçe duhet të jetë personi më problematik për korrupsionin. Pas tij, sigurisht në bazë të asaj që thotë Edi Rama dhe jo ne, i dyti në listë është Arben Ahmetaj. Ish-ministri i Financave dhe ministri aktual i Rindërtimit nuk ka fatin të jetë i gjatë 2 metra, sipas standardit të Edi Ramës. Lista zgjerohet më pas dhe me ish-ministra si Niko Pelshin, Damian Gjiknurin, dhe të tjerë, të cilët nga dje kanë nisur të masin mirë centimetrat, mbi bazën e kritereve të Edi Ramës.

Pas deklaratës në “Opinon”, kryeministri ka futur qytetarët në një dilemë të madhe, sepse nuk dha asnjë të dhënë shkencore për mënyrën sesi matet korrupsioni të femrat. Nuk e dimë nëse kriteri i gjatësisë vlen dhe për ministret apo kufizohet vetëm te burrat e Rilindjes. Gjithsesi Edi Rama dha kriteret mbi të cilat duhet të punojë edhe SPAK-u në të ardhmen. Hetimet tani nuk do nisin me dosje dhe akuza, por me metër në dorë.  Sepse dhe korrupsioni brenda rilindjes nuk matet me shumë apo pak abuzime, nuk matet as me miliona apo miliarda. Sasia e abuzimeve dhe parave të vjedhura tani matet me metër.

 

 

SHKARKO APP