Kryemadhi takim me gratë në Ersekë: Vendit i duhet një qeveri që mban premtimet dhe është pranë njerëzve kur ata kanë nevojë

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me gratë në Ersekë. Në fjalën e saj, kryetarja e LSI u ndal në situatën që po kalon vendi me reshjet e borës. Ajo u shpreh se sa here që qytetarët kanë nevojë për institucionet, shteti nuk u garanton asnjë shërbim dhe kryeministri zhduket.

“Teksa po vinim rrugës për këtu në Ersekë, e ndërsa kishim problemin sa të kalonim këto pjesët e vështira të rrugës, sepse kishte stuhi dëbore, po diskutonim dhe lindi pyetja se si është e mundur që ky Kryeministri ynë në ikje, ditët që janë me diell, e kemi nga 7 orë ne televizion si një show-man, sikur të jetë ‘Domenica In’, që shikonim në kohët tona, e që dilnin në orën 10 të paradites dhe mbaronin në orën 7 të pasdites, ndërsa kur ka përmbytje, kur ka stuhi dëbore, kur ka rrugë të bllokuara, kur ka pandemi, ky njeri nuk del, ky njeri nuk flet. Përkundrazi, zhduket”,- deklaroi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI shtoi se vendit i duhet një qeveri që të gjendet pranë njerëzve sa herë që ata kanë nevojë. “Në qoftë se ne nuk kemi një qeveri që iu gjendet pranë njerëzve, nëse ne nuk kemi një kryeministër, një drejtues që u gjendet pranë njerëzve, mban fjalën dhe premtimet, atëherë për çfarë na duhet më? Ky duhet ti japë fund teatrit të tij, që për mua tashmë është bërë de mode. Ne na duhet të komunikojmë dhe të jemi në kontakt me të gjithë njerëzit tanë, pasi një nga problemet tona kryesore është shkëputja. Shkëputja e politikës nga njerëzit, shkëputja e politikës nga gratë dhe vajzat, nga të rinjtë dhe të rejat. Prandaj, edhe shpërngulja e fëmijëve tanë është çdo ditë e më shumë edhe më prezentë”,- deklaroi kryetarja e LSI.


SHKARKO APP