Kryeministri Edi Rama në Beograd: Sot është dy vjetori i hedhjes së dronit

Në ditën e dytë të vizitës në Serbi, kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Serbi-Shqipëri, që po zhvillohet në qytetin e Nishit. Në fjalën hyrse të takimit, Rama ka folur për ndryshimin pozitiv të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri i ka kujtuar opinionit serb se dy vite më parë mes dy vendeve u ndezën debate për hedhjen e dronit në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

“Sot është dy vjetori i dronit. 14 tetor, dy vjet më parë e mbani mend atmosferën. Kush mund ta përfytyronte atmosferën sot. Marrëdhëniet tona janë zhvilluar në drejtimin e duhur, në drejtimin e njerëzve. Kufijtë duhet t’i kthejnë në ura bashkëpunimi”,- tha kreu i qeverisë.

Rama është ndalur në rëndësinë që kanë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Ai tha se bashkëpunimi është hapi i duhur për integrimin e rajonit në Bashkimin Europina.

“Sfida jonë më e madhe nuk është të bëjmë biznes bashkë, sfida jonë është që bashkëpunimin ta përçojmë te administrata, e cila duhet të bashkëpunojë në funksion të bizneseve”,- tha Kryeministri Edi Rama.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Forumin Ekonomik të Nishit:

Mirëdita!Më lejoni ta filloj duke ju kujtuar të gjithëve që sot është data 14 Tetor.

Në 14 tetor të dy viteve më parë luhej ndeshja e futbollit midis Shqipërisë dhe Serbisë, këtu në Beograd. Ju e mbani mend mirë se çfarë atmosfere u krijua dy vjet më parë. Kush nga ne, dy vjet më parë, në atë atmosferë, do të mund të parafytyronte atmosferën e këtij takimi sot.

Ky takim sot është prova më e shkëlqyer se si marrëdhëniet tona, pavarësisht dallimeve që ne kemi, janë zhvilluar në drejtimin e duhur, në drejtim të njerëzve në dy anët tona, të njerëzve që janë në fund të fundit, arsyeja themelore e nevojës për t’i zhvilluar këto marrëdhënie.

Dua t’i shpreh një falënderim shumë të sinqertë dhe jo formal, Markos, me të cilin jam takuar më parë në Durrës dhe që ka qenë motori i gjithë kësaj sipërmarrjeje kaq të bukur, që ka sjellë këtu, kaq shumë njerëz nga të dy anët, për t’i dhënë jetë Dhomës së përbashkët të Tregtisë Shqipëri-Serbi.

Dua të falënderoj, patjetër dhe Luanin, nga ana e tij, që ka bërë si gjithmonë, gjithçka, sëbashku me Inesin, për të realizuar këtë kurorëzim të rëndësishëm të një përpjekjeje që është vetëm në fillimin e saj.

Sëbashku me Aleksandrin jemi shumë mirënjohës për atë që me të drejtë Kryeministri e quajti shefen tonë, Ellen Goldstein, e cila është Drejtorja Rajonale e Bankës Botërore, që na ka asistuar me shumë pasion, sëbashku me ekipin, për t’i dhënë jetë një plani të përbashkët veprimi, me synimin e lehtësimit të rrugës së ndërveprimit tregtar dhe ekonomik, duke e kthyer në një plan detyrash të përbashkëta për qeveritë, për uljen e sa më shumë barrierave që pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe rritjen e volumit tregtar mes vendeve tona, me synimin që kjo të shtrihet në të gjithë rajonin.

Është shumë e qartë që një nga arsyet pse ne prodhojmë më shumë histori, saç mund të tresim, është se jemi të vegjël dhe kur vjen puna të mendojmë për tregun, tregjet tona janë shumë të vogla të ndara nga njëri-tjetri, në një botë që është gjithmonë e më egër nga pikëpamja e konkurrencës. Por, nëse ne arrijmë që kush investon në Tiranë, Beograd, Prishtinë, Podgoricë e kështu me radhë, të mos investojë thjesht brenda kufijve të një tregu të vogël, por të investojë në një treg të gjerë rajonal, kemi garantuar një kapërcim historik për njerëzit, në funksion të zhvillimit të ekonomisë dhe mirëqenies së tyre.

Në fund të ditës, qëllimi ynë është që kufijtë që na ndajnë, t’i kthejmë në ura që na bashkojnë dhe në këtë rrugë të përbashkët të integrimit europian, ne të integrojmë ekonomitë tona dhe t’i japim jetë sa më shpejt, një tregu të përbashkët që të jetë tërheqës për të gjithë sipërmarrësit tanë, por dhe për vetë investimet e huaja.

Eliminimi i tarifave doganore patjetër që kërkon harmonizim me politikat e mbështetjes së biznesit, përmirësimit të klimës së biznesit, të nxitjes, edhe politike, për të shtuar qarkullimin e mallrave dhe të njerëzve, por lajmi i mirë është se këtë punë e kemi nisur mbarë dhe në Samitin e Parisit e kemi prezantuar sëbashku si një udhërrëfyes për zhvillimin ekonomik dhe tregtar rajonal.

Dëgjova një shprehje shumë të bukur, dje, nga dikush që më tha se në Serbi tre gjëra nga të cilat duhet të ruhesh; avionët e NATO-s, tanket e Rusisë  dhe administrata e Serbisë. Faktikisht, ju siguroj që problemi më i madh i yni është administrata dhe ne jemi të vetëdijshëm për ketë problem. Sfida më e madhe në këtë proces nuk është t’ju bëjmë juve bashkë, sepse ju bëheni bashkë me një lehtësi të jashtëzakonshme. Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare dhe ato shkojnë në një mënyrë jashtëzakonisht nganjëherë të ndryshme nga rrjedhat e politikës.

Por sfida jonë është si të bëjmë bashkë vullnetin administrativ dhe si ta përçojmë tek administrata, për të qenë në shërbimin tuaj, për të shpejtuar njohjen e ndërsjellë të dokumenteve doganorë, për të thjeshtuar procedurat e kalimeve nëpër kufi të mallrave, për të mos detyruar kompanitë që të kërkojnë dy palë letra, një palë nga njëra anë, një palë nga ana tjetër, nga gjithfarëlloj institucionesh dhe agjencish. Dhe për të bërë sot, mes nesh, sëbashku, atë që nesër do jemi të detyruar ta bëjmë brenda Bashkimit Europian, për t’u sjellë në këtë hapësirë me njëri-tjetrin, siç duam nesër të sillemi në hapësirën e Bashkimit Europian. Për këtë nuk na pengon as Brukseli dhe asnjë nga proceset e integrimit. Të fitojmë kohë dhe ta bëjmë këtë pa pritur që të shkojmë në BE, për t’u sjellë si europianë me njëri-tjetrin dhe për të pasur një marrëdhënie europiane në të gjitha nivelet mes shteteve tona.

Nga ana tjetër është bërë një hap shumë i rëndësishëm, i cili shikoj me kënaqësi që po materializohet, për njohjen e diplomave. Por përsëri, kush është problemi? Problemi nuk është qeveria, është burokracia. Ndërkohë e kemi të domosdoshme që të harmonizojmë forcat edhe ne në nivelin qeverisës. Siç ju po i jepni sot jetë Dhomës së përbashkët Tregtisë, ne t’i japim jetë një strukturë të përbashkët që të ndjekë nga afër gjithë problematikat që me siguri do të krijohen mes jush dhe administratave tona.

Unë mund t’ju numëroj këtu shumë ligje që Shqipëria ka miratuar për të lehtësuar investimet, mund t’ju numëroj shumë masa që kemi miratuar për të lehtësuar marrëdhënien mes sipërmarrësve dhe shtetit, por në fund të ditës, ajo që mbetet është sfida për ta kthyer administratën në mbështetëse dhe shërbëtore të sipërmarrjes, duke luftuar një mendësi të trashëguar që sipërmarrësi është kundërshtar i rrezikshëm, i cili duhet mbajtur nën kontroll dhe është një lopë për t’u mjelë dhe jo një figurë kyçe e gjithë shoqërisë tonë sot.

Ne duhet t’i trajtojmë sipërmarrësit dhe duhet ta bindim shoqërinë për sipërmarrësit që janë njësoj si sportistët, njësoj si këngëtarët, njësoj si të gjithë ata që shoqëria i nderon apriori. Kështu do ndihmojmë edhe më të vegjlit që të duan të bëhen sipërmarrës, njësoj siç duan të bëhen futbollistë, këngëtarë, aktorë apo politikanë. Ndërkohë që figurën e sipërmarrësit, ne e kemi kthyer në një gogol, i cili shikohet vetëm si një person i dyshimtë, që gjithmonë ka diçka për të fshehur dhe ku administrata duhet patjetër të gjëje se çfarë fsheh kjo figurë. Kjo është një pengesë shumë të madhe. Pastaj, ne ankohemi pse të rinjtë duan të gjithë të punojnë në shtet dhe pse, kur vjen puna për t’u bërë sipërmarrës, kanë vështirësi, të cilat, sipas meje, fillojnë pikërisht këtu, tek raporti me figurën e sipërmarrësit.

Në Shqipëri, sot operojnë 100 subjekte serbe, tregtare apo në aktivitet të drejtpërdrejtë. Janë subjekte modeste, por operojnë në ndërtim, në industri, në turizëm, në shërbime dhe ju siguroj që, nëse do t’i pyesni, do thonë vetëm fjalë të mira për atmosferën në të cilën punojnë, do thonë me siguri se ndihen shumë mirë dhe nuk shohin asnjë problem për faktin që janë nga Serbia.

Ndërkohë që kapitali i investuar është shumë nën potencialin e tij dhe përben vetëm 0,8 % të të gjithë stokut tonë të investimeve të huaja. Ndërkohë që në volumin e shkëmbimeve tregtare më erdhi për të qeshur kur dëgjova Aleksandrin që tha shifrën. Një tjetër problem i madh që kemi ne, janë shifrat. Është shumë e vështire edhe brenda vendit të gjejmë shifra me të cilat biem dakord e jo më të harmonizojmë shifrat me njëri-tjetrin. Por, sidoqoftë, shifra që Aleksandri tha nuk është shumë larg shifrës që ne kemi, që në vitin 2015 janë 180 milionë euro. Është shumë pak, por ama mjafton si shenjë që kjo jo vetëm është e mundur, por është tanimë e domosdoshme që ne të zhvillojmë më tutje, një proces ku të dyja vendet të jenë vende destinacion për sipërmarrjen. Një proces ku t’i japim jetë, – ju, jo ne, por ne të bëjmë të tonën, – sa më shumë bashkëpunimeve dhe kompanive të përbashkëta për të operuar në tregjet tona, por për të operuar edhe më gjerë, në tregun rajonal dhe pse jo, edhe më tutje.

Dua ta mbyll me një shprehje që më pëlqen shumë, të një shkrimtari të madh serb, Ivo Andriçit: “Midis frikës dhe shpresës se diçka mund të ndodhë, ka gjithmonë një hapësirë dhe shumë janë ata që e kalojnë jetën e tyre pikërisht në këtë hapësirë të errët, në pritje, ku nuk ndodh asnjëherë asgjë”.

 Unë besoj se sipërmarrësit, për nga natyra, janë ata që midis frikës dhe shpresës zgjedhin gjithmonë shpresën, se po zgjodhën frikën, falimentojnë. Ndërsa politikanët zgjedhin frikën, sepse nuk rrezikohen nga frika e falimentimit. Ju jeni për ne, vërtet potencial i madh i një shembulli të jashtëzakonshëm që mund të ndërtohet, duke iu treguar të gjithëve, duke iu treguar edhe politikës se duhet të jetë shumë më pranë shpresës dhe shumë më larg frikës dhe mbi të gjitha nuk duhet të vegjetojë në hapësirën mes shpresës dhe frikës.

Luan Bregasi më thotë gjithmonë sa biznesmenë kanë vdekur nga infarkti dhe më thotë si nuk vdiq që politikan nga infarkti. Sigurisht të shkosh drejt shpresës do të thotë të kesh një zemër shumë të fortë dhe të rrezikosh, ndërkohë që të jetosh në hapësirën midis frikës dhe shpresës do të thotë që kurrë mos të kërcënohesh nga infarkti. Ky është edhe dallimi i madh.

Unë ju jam shumë mirënjohës që jeni këtu dhe ju siguroj që jeni shembulli më i shkëlqyer i faktit se sa përpara janë njerëzit dhe se sa mbrapa është ende sot politika, që duhet të eci me hapin e njerëzve dhe mbi të gjitha, në mos t’i udhëheqë, të mos i pengojë ata. Premtimi im është simetrik, i barabartë me atë të Aleksandrit, – se sa do t’ju ndihmojmë kjo është për t’u parë, – por pa as më të voglin dyshim do të jemi krah për krah jush, që ju mos të pengoheni në rrugën drejt shpresës.

Shumë faleminderit!

http://www.kohajone.com/2016/10/14/vucic-rama-mysafir-i-nderuar-ne-serbi/

http://www.kohajone.com/2016/10/13/rama-me-shqiptaret-e-lugines-se-presheves-ju-nuk-do-te-jeni-me-kurre-vetem/

SHKARKO APP