Kryeministri hap 4 mijë vende pune fiktive vetëm që të vjedhin vota

-Qeveria rrit numrin e punësimeve fiktive në administratë para zgjedhjeve. Hapen 4 mijë vende brenda një muaji për qëllime elektorale. Ministria e Arsimit njofton punësimin edhe te 1 mijë mësuesve para nisjes së fushatës. Dy javë më parë qeveria miratoi hapjen rreth 3000 vendeve pune në 60 bashkitë e drejtuara nga socialistët. Lekë pafund nga buxheti i shtetit për fushatën elektorale në favor të PS.

Këshilli i Ministrave miratoi dje punësimin e 1 mijë mësuesve me kontratë të përkohshme për vitin arsimor 2020-2021. Qëllimi, sipas relacionit shpjegues të qeverisë, lidhet me përballimin e situatës së krijuar në trupën e mësimdhënies për shkak të koronavirusit. Dy javë më parë, qeveria mori një tjetër vendim që lidhet me shtimin e numrit të punonjësve. Në të gjithë bashkitë e vendit, të cilat drejtohen nga PS, u shtua numri i punonjësve me kontratë të përkohshme në rreth 3 mijë veta. Në pamje të parë vendimet e qeverisë duken sikur janë të shqetsuar për popullin. Qeveria brenda pak javëve ka arritur të punësojë 4 mijë punonjës dhe kjo nuk është pak në kulmin e krizës ekonomike dhe kur shifrat e papunësisë janë rritur me 50 mijë vetëm gjatë vitit 2020.

Por pas optimizmit ka një sërë pikëpyetjesh që lidhen me nisjen e një fushate për punësime elektorale. 1 mijë mësues janë një shifër e madhe, po të kemi parasysh se për drejtoritë arsimore në të gjithë qarqet bëjnë nga vetëm 5-10 emërime gjatë gjithë vitit. Të gjithë ata mësues të rinj që kanë qenë në listë pritje prej vitesh për të hyrë në marrëdhënie pune, sot kanë gjetur zgjidhjen e problemit të tyre. Por çështja shtrohet me çfarë çmimi? Punësimet bëhen vetëm 7 muaj para zgjedhjeve dhe janë të përkohshme, fiks për vitin elektoral që i duhen Partisë Socialiste. Bashkë me 1 mijë mësuesit, Rilindja ka marrë dhe votat e familjarëve të tyre dhe vendimi i djeshëm i qeverisë duket një strategji e pastër elektorale për manipulimin e votave. E njëjta gjë vlen dhe për administratën vendore, e cila rezulton e fryrë si kurrë më parë. 3 mijë vende pune në një muaj dhe para zgjedhjeve janë një lëvizje që vetëm me nevojat e administratës nuk lidhen. Shqipëria ka një administratë vendore dhe lokale të fryrë. Nga Bashkimi Europian është kërkuar shpesh ulja e numrit të administratës, pasi nuk justifikohen shpenzimet e buxhetit me numrin e punonjësve dhe shërbimeve që ata ofrojnë. 7 muaj para zgjedhjeve Rilindja jo vetëm nuk ul numrin, por i fryn shifrat në maksimum duke punësuar dhe njerëz atje ku nuk duhet. Deri diku është normale që në arsim të ketë investime, por në 60 bashkitë e drejtuara vetëm nga PS, çfarë nevojë emergjente ka për 3 mijë punëtorë të përkohshëm?  Shumica e këtyre njësive vendore nuk bëjnë investime dhe as kanë shkëlqyer në shërbime. Ndaj dhe 3 mijë nëpunës të rinj duken si punëtorë marrë enkas për votat që u duhen socialistëve në 25 prill 2021. Kjo skemë e punësimeve elektorale nga PS u denoncua nga PD dhe LSI në vitin 2017. Raporti për manipulimin e fushatës katër vite më parë fliste për 3600 punësime fiktive. Sot jemi 7 muaj para zgjedhjeve dhe brenda muajit shifra është çuar në 4 mijë. Deri në muajin prill nuk është çudi që kryeministri Edi Rama të punësojë gjithë shqiptarët në administratë, vetëm që të arrijë shifrën 800 mijë vota.   Të gjithë ata që i shohin shifrat e reja të punësimit në arritje të qeverisë duhet të shqetësohen sepse e gjitha është një mashtrim. Kontratat janë kolektive dhe të përkohshme dhe mbrojnë sapo mbaron fushata elektorale. Një skemë e tillë nuk është ulje e punësimit, por rritje e mashtrimit elektoral dhe vjedhje e votave. Qytetarët po punësohen që të paguhen me lekët e taksave të të gjithëve, vetëm që në fund ata dhe familjarët e tyre të votojnë për PS-në në zgjedhje. Skema e vjedhjes së votave me vende pune, i shtohet asaj të formularëve dhe detyrimin e votimit me dhunë të administratës së përhershme. Në këtë mënyrë mbi 100 mijë punonjësit e administrues janë ose të shantazhuar për të votuar PS, ose punësohen nga PS vetëm për zgjedhje, siç tregojnë vendimet e fundit. Por këto nuk janë manipulimet e vetme. Ndryshimi i qendrave të votimit për qytetarët dhe amendimet e fundit të PS në Kodin Zgjedhor tregojnë se rilindja do bëj çdo çmenduri për të vjedhur zgjedhjet. Jemi vetëm në fillim të fushatës dhe manipulimet sapo kanë nisur.

Por duhet që SPAK apo prokuroria të hetojë këto veprime haptazi antiligjore dhe të vendos para përgjegjsisë autorët e kësaj masakre elektorale.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP