Kryeministri Rama: Ambasada franceze ia futi kot! BE-ja gaboi me Shqipërinë

Edi Rama ka reaguar për përgjigjen e ambasadës franceze në Tiranë, e cila tha se nuk e priste sulmin e kryeministrit shqiptar ndaj BE, e cila ka dhënë qindra milionë euro për Shqipërinë, si dhe vitin e kaluar edhe 100 milion euro për Tiranën zyrtare.

Ja si reagon kryeministri Rama në Facebook sot, ku duke iu përgjigjur gjoja një personi, shigjeton prapë BE:

Unë nuk kam sulmuar asnjë aleat dhe aq më pak Francën ne rastin konkret! As nuk e kam harruar dhe nuk e harroj që Bashkimi Europian e ka ndihmuar Shqipërinë, qyshse vendi ynë doli nga burgu i diktatures e deri me sot. Përkundrazi, e kam çmuar dhe e çmoj pa lëkundje Bashkimin Europian, për njëmijë e një arsye, përfshirë pa dyshim edhe ndihmen e paçmuar që i jep Shqipërisë tash 30 vjet.

Unë kam folur për një çështje konkrete në një situatë konkrete, lidhur me vaksinen dhe nuk i heq asnjë presje atyre që kam thënë! Lënia jashtë e vendeve të rajonit tonë në shpërndarjen e vaksinës kundër Covidit nga ana e BE, nuk ka asnjë justifikim në asnjë plan dhe këtë e kupton çdokush që bën sikur s’kupton!

Ndërsa ankesa e ambasades franceze meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë) është pa lidhje me qendrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos i jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjeket, të pakten, kur ato s’mund të përdoren të tëra mënjëherë në asnjë vend te BE!

Franca është jo vetem një nga vendet më të mrekullueshme të botës e më të përparuara të Europes në çdo drejtim, as thjesht një vend mik e aleat i Shqipërisë, po edhe një vend i veçantë në zemrën e në mendjen time, ashtu sikunder është edhe BE-ja një amanet e një destinacion i patjetersueshëm i Shqipërisë e shqiptarëve.

Ankesa e ambasadës franceze nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim, ashtu siç e drejta për të menduar ndryshe vlen si gjithnjë njësoj si për Francen edhe për Shqipërinë në këtë rast; si për hartuesit e ankeses në emër të Frances, si për mua që flas në emër të Shqipërisë.

Por ty të them miqesisht se duke e nxjerrë nga konteksti ankesen e ambasades franceze, gabon njësoj siç gaboi ambasada franceze duke nxjerrë nga konteksti ato që thashë!

SHKARKO APP