Kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç: “Open Balkan” ndihmon Procesin e Berlinit!

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në intervistë ekskluzive për DW, thekson, se mënyra më e mirë për të luftuar ndikimin negativ, jo vetëm nga Rusia, është anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian.    

Kryeministri i Malit tëZi, Dritan Abazoviç në bisedë me drejtuesen e Programeve të Europës në Deutsche Welle, Adelheid Feilcke

DW: Z.Kryeministër, agresioni rus ndaj Ukrainës ka alarmuar mbarë botën. Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga ky agresion dhe nga kjo luftë?

Dritan Abazoviç: Kjo është një katastrofë shumë e madhe botërore dhe Mali i Zi ka mbajtur një qëndrim të qartë në këtë situatë: ne mbështesim 100% standardet demokratike dhe promovimin e vlerave universale, në veçanti promovimin e të drejtave të njeriut. Ne jemi thellësisht të zhgënjyer nga Rusia në këtë situatë dhe i japim të gjithë mbështetjen sovranitetit të Ukrainës dhe qytetarëve të saj. Ne do të japim të gjithë kontributin tonë, njësoj siç po e bëjnë të gjitha shtetet evropiane. Politika jonë e jashtme është 100% në përputhshmëri me politikën e jashtme evropiane. Ne i kemi vendosur sanksione Rusisë dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë njësoj si vendet e tjera evropiane, deri në fund, kur shpresojmë për një paqe. Pozicioni ynë është që të ketë mundësi për dialog dhe gjithçka të përfundojë në mënyrë paqësore, sepse lufta dhe veçanërisht kjo lloj lufte në shekullin e 21-të, është vërtet e papranueshme.

DW-Interview mit Montenegros Premierminister Dritan Abazovic

DW: Le të rikthehemi tek Rusia, sepse ndikimi rus në rajon është shumë i dukshëm, në shumë dimensione. Gjithashtu edhe në vendin tuaj, veçanërisht përsa i përket një lufte hibride. Çfarë masash do të ndërmerrni për të luftuar ndikimin rus, sidomos kundër dizinformimit?

Dritan Abazoviç: Mënyra më e mirë për të luftuar ndikimin negativ, jo vetëm nga Rusia por edhe nga shtete apo grupe të tjera politike, është anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian. Kjo është mënyra e duhur për të ndërtuar institucione, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, të bëjmë institucionet tona më të forta dhe më profesionale, më të depolitizuara. Kjo është mënyra si mund ta luftojmë. Mendoj se kjo që ndodhi në Ukrainë është një sinjal shumë i fortë për ne, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, por është gjithashtu edhe një sinjal për administratën e Brukselit dhe jam më shumë se i sigurt se tani do të kemi më shumë mirëkuptim prej tyre për të shtyrë përpara procesin e integrimit jo vetëm për Malin e Zi por edhe për vendet e tjera.

Pra, nëse s’duam të qëndrojmë si një “gropë e zezë” në këtë pjesë të botës, atëherë duhet të anëtarësohemi sa më shpejt në BE dhe kjo është ambicia e kësaj qeverie. Ne duhet të zgjidhim ca probleme të brendshme, kjo është e vërtetë. Por edhe besoj se Komisioni Evropian do ta njohë këtë dhe do të hapë dyert për shtetet si Mali i Zi, duke e rigjallëruar dhe njëherë procesin e zgjerimit, me anë të disa sinjaleve shumë pozitive. Kjo është mënyra se si ne mund ta luftojmë ndikimin negativ që vjen nga ana tjetër.

DW: Keni deklaruar gjithashtu se do të mbështesni “Open Balkan”, në ndryshim nga presidenti i vendit tuaj. Përse?

Dritan Abazoviç: Për mua edhe kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë. Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon që të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është ok.

DW: A nuk është kundër konceptit të Procesit të Berlinit?

Dritan Abazoviç: Jo! Këto janë në përputhshmëri me njëra-tjetrën. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo çështje. Procesi i Berlinit, CEFTA, “Ballkani i hapur” apo çdo nismë tjetër kanë si mesazh të përbashkët bashkëpunimin rajonal. Emri është i parëndësishëm. Po çfarë na nevojitet ne? Na duhet më shumë besim, komunikim më i mirë, projekte të përbashkëta, më shumë bashkëpunim mes vendeve dhe qeverive. Këto na nevojiten. Dhe nga këndvështrimi im, gjithçka shkon në këtë drejtim, është gjëja e duhur. Na duhen më pak tensione, depolarizim i rajonit, dhe për këtë na duhet t’i besojmë njëri-tjetrit dhe jo ta shohim çdo propozim që vjen nga përtej kufirit si diçka armiqësore.

Ne nuk i shohim fqinjët tanë si armiq. I shohim si fqinjët tanë, si miqtë tanë, me shumë respekt dhe po përpiqemi të sjellim energji të reja dhe politikë të re në rajon. Mbase teza ime nuk është e saktë, por unë besoj fuqimisht tek ajo: që nacionalizmi është thellësisht i lidhur me korrupsionin. Dhe elitat politike që duan të promovojnë nacionalizmin, nuk e bëjnë këtë për patriotizëm, po për të mbajtur status quo-në dhe për të moslejuar ndërtimin e institucioneve. Sepse kur ndërtojmë institucione, dhe këtu nuk i referohem vetëm Malit të Zi por edhe rajonit, kur ndërtojmë institucione të forta atëherë marrëdhëniet mes njerëzve do të jenë më të mira, pavarësisht se çfarë shteti apo grupi fetar që përfaqësojnë. Pra, shoh një lidhje mes tyre.

DW-Interview mit Montenegros Premierminister Dritan Abazovic

DW: Si e komentoni propozimin më të fundit të Emmanuel Macron për të krijuar një bashkim politik, që në rajon është komentuar si zëvendësim i një anëtarësimi të shpejtë, pra një propozim që ngadalëson ecurinë e procesit nga ana e Brukselit? Merrni diçka në këmbim për të përmirësuar bashkëpunim, në kuadrin e këtij bashkimi politik?

Dritan Abazoviç: Më duhet të respektoj çdo lloj opinioni. Por opinioni im është se duhet pasur një përshpejtim të këtij procesi për t’i pranuar këto shtete në BE dhe jo të krijosh një “kategori të dytë” por t’i pranosh këto vende në “kategorinë e parë” të Bashkimit Evropian. E kuptoj se mbase presidenti Macron mund të ketë një vizion të tijin se si mund të funksionojë kjo, por Ukraina dhe kriza e tanishme na tregojnë shumë mirë se çfarë mund të ndodhë nëse jemi shumë të ngadaltë në proceset vendimmarrëse. Përsëris se duhet të lëvizim më shpejt drejt BE-së, pa alternativa të tjera. Dhe unë vlerësoj çdo zgjidhje apo opinion se si mund t’ia arrijmë kësaj.

DW: Si e shihni rolin e Gjermanisë në procesin e anëtarësimit dhe cilat janë përshtypjet dhe reagimet për qeverinë e re gjermane?

Dritan Abazoviç: Roli i Gjermanisë, në krahasim me atë çka përfaqëson roli i Gjermanisë prej dekadash në Malin e Zi, është shumë pozitiv. Është ekstremisht pozitiv. Gjermania i ka dhënë gjithmonë një mbështetje shumë të madhe vendeve të rajonit dhe veçanërisht Malit të Zi dhe unë jam shumë mirënjohës për këtë. Po, është e vërtetë se tani në Gjermani ka një qeveri të re dhe unë jam shumë i kënaqur, sepse një nga prioritetet kyçe të politikës së jashtme gjermane është integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Jam i gëzuar që Të Gjelbrit drejtojnë tashmë Ministrinë e Punëve të Jashtme. Të Gjelbrit janë pro procesit të zgjerimit dhe mendoj se do kjo do ta ndihmojë Malin e Zi dhe shtetet e tjera dhe shpresoj që qeveria e re gjermane do të vijojë ta mbajë të gjallë procesin e zgjerimit dhe të ketë të gjithë mirëkuptimin e nevojshëm për shtetet si Mali i Zi që janë larg në procesin e anëtarësimit dhe duan të jenë me të drejta të plota në BE.

DW: Kur folëm për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e vendit tuaj, Ju përmendët dimensionin ekonomik, si dhe luftën ndaj korrupsionit e drejtësinë në prioritetet tuaja. Po përsa i përket energjisë së rinovueshme, e cila është shumë e rëndësishme për vendin tuaj? Ka ende shumë për të bërë…

Dritan Abazoviç: Është e vërtetë dhe kjo është një nga prioritetet tona. Dhe ne do të promovojmë Malin e Zi “të gjelbër” dhe ekologjinë, në çdo aspekt. Para së gjithash, duam të promovojmë një projekt madhor në sektorin energjetik, që të ofrojmë më shumë energji të rinovueshme. Tashmë jemi në bisedime me disa kompani gjermane për impiante të energjisë diellore dhe parqet eolike. Së dyti, ne kemi ende disa vende problematike të prodhimit të energjisë, çështje që duhen zgjidhur, por padyshim jemi shumë pro energjisë së rinovueshme. Mbase është pak arrogante ta them por unë jam kryeministri i parë i gjelbër. Mbase jam kryeministri i parë i të Gjelbërve në të gjithë botën. Partia ime i përket familjes së madhe së të gjelbërve europianë. Pra ne kemi një përgjegjësi më shumë për të promovuar realisht filozofinë e gjelbër dhe idetë e gjelbra në shoqërinë tonë. Sigurisht që nuk është e lehtë për vende si Mali i Zi, sepse ne nuk kemi fuqi ekonomike si vendet e tjera, por ne kemi dëshirën e mirë dhe mendoj se në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtare dhe shtetet e tjera të promovojmë këtë lloj politike në të ardhmen.

DW: Më herët folëm për perspektivën ndërkombëtare dhe tani do doja të ndalesha tek perspektiva e brendshme, në lidhje me zgjerimin dhe anëtarësimin e vendit tuaj në Bashkimin Evropian. Ka ende shumë punë për të bërë nga vendi dhe qeveria juaj. Veçanërisht në Malin e Zi, shoqëria është ekstremisht e ndarë. Cili është koncepti juaj për të krijuar një terren të përbashkët për kombin?

Dritan Abazoviç: Mendoj se procesi i ndërtimit të një shteti është shumë i vështirë dhe shumë i gjatë, por ne duhet t’ia nisim punës. Njerëzit e Malit të Zi duan drejtësi. Dhe nëse ne e provomojmë dhe e ofrojmë këtë drejtësi, atëherë tensionet do të zbuten. Kjo është çështja kryesore për ne. Dy janë prioritetet e kësaj qeverie: i pari është sundimi i ligjit dhe i dyti, zhvillimi ekonomik. Mendoj se të dy këto prioritete janë të lidhur me njëri-tjetrin, sepse s’mund të pretendojmë të kemi zhvillim ekonomik nëse nuk kemi sundim të ligjit. Asnjë investitor s’do të ndihej i sigurt në vend pa sundimin e ligjit dhe nëse s’do të kishte një klimë të parashikueshme biznesi. Pra, këto gjera janë të lidhura ngushtësisht.

Përsa i përket sundimit të ligjit, ne kemi tashmë disa rezultate. Nga pikëpamja ime, janë rezultate historike. Kemi pas hekurave Kryetarin e Gjykatës së Lartë. Kemi pas hekurave Presidentin e Dhomës së Tregtisë. Dhe së shpejti do të nisë gjykimi për një nëpunës të lartë të policisë dhe shpresojmë të kemi edhe politikanë ose njerëz të niveleve të larta nga qeverisja e kaluar. Pra ky sundim i ligjit ka nisur të funksionojë. Është e vërtetë që ka ende shumë gjëra për të bërë. por gjërat kanë nisur të lëvizin.

Përsa i përket ekonomisë, jam shumë optimist. Shumë shpejt do të promovojmë kompani dhe investitorë të rinj në Malin e Zi. Po, gjithçka varet edhe nga aspekti gjeopolitik. Ju e dini që ekonomia jonë varet thellësisht nga turizmi. 25% e të ardhurave të Prodhimit të Brendshëm Bruto vijnë nga sektori i turizmit. Por gjithsesi unë mbetem optimist se brenda një periudhe jo të largët, mbase brenda një viti, do të kemi rezultate shumë të dukshme të këtyre prioriteteve.

DW: Do doja t’i rikthehesha çështjes së drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Me një qeveri pakice, sa larg mund të shkoni për aq kohë sa vareni nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila është akuzuar shpeshherë si mbështetëse e shumë strukturave të korruptuara. Mendoni se do të jeni në gjendje të vijoni me të njëjtën dinamikë arrestimesh dhe sa larg mund të shkoni?

Dritan Abazoviç: Nuk jam skeptik… Qeveria nuk bën arrestime. Qeveria është për të krijuar ambientin e përshtatshëm ku çdo institucion të punojë pa asnjë lloj kufizimi. Para së gjithash i referohem institucionit të prokurorisë dhe së dyti shpresoj të gjejmë konsensusin për zgjedhjen e njerëzve të rinj në sistemin gjyqësor. Përsa i përket mbështetjes së DPS-së, unë kam dëgjuar shpesh mbi këto dilema, por mbi gjithçka qëndron rezultati. Rezultatet dhe veprimet konkrete. Tani s’ka më nevojë për shpjegime. Tani njerëzit e shohin me sytë e tyre. Mund të shohin dhe mund të lexojnë se çfarë po ndodh. Askush nuk po e bllokon këtë. Kjo qeveri ka në krye të listës së saj të prioriteteve luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ky do të mbetet prioriteti kryesor. Ndonjë mënyrë tjetër për të ndaluar këtë mbështetje, që është gjithsesi një mënyrë legjitime… Por nuk jam aspak skeptik për këtë. Çdo gjë që deri tani ka qenë një vizion, ka nisur të bëhet realitet.

DW: Duke pasur parasysh që lufta kundër korrupsionit është shumë ambicioze e ju keni shumë kërcënime nga mafia e kryesisht ajo e trafikut të drogës, do doja t’iu bëja një pyetje personale: si është të bashkëjetosh me këto kërcënime të vazhdueshme dhe si i përballoni ato?

Dritan Abazoviç: Në qeverinë e mëparshme detyra dhe përgjegjësia ime ishte që të ndërmerrja disa aksione të ndërlikuara dhe unë jam shumë krenar për to. Ky ishte një sukses i ekipit dhe njerëzve të mi. Ne shkatërruam dy grupe shumë të fuqishme e të rrezikshme kriminale që vepronin prej shumë vitesh këtu dhe që iu sekuestruan sasitë më të mëdha të kokainës të trafikuara ndonjëherë jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Ballkanin Perëndimor.  Pra për një vit ne sekuestruam sasinë më të madhe që ishte kapur gjatë 20 viteve të fundit të marra së bashku. Mendoj se duhet të vijojmë në këtë rrugë. Nuk shqetësohem shumë nga ky presion dikush duhet t’i marrë përsipër përgjegjësitë. Nëse dikush mund të luftojë mafian pa pasur kërcënime por me trëndafilë të kuq… Kjo nuk do të ndodhë! Prandaj unë jam shumë krenar për çdokënd që është në ekipin tim, sepse Mali i Zi tregoi se ka ca njerëz që janë gati të marrin përsipër disa përgjegjësi dhe të pastrojnë shtëpinë. Pastrimi i shtëpisë sonë nuk do të jetë një proces i lehtë por mendoj se në fund të ditës është shumë e rëndësishme që brezat e rinj në Mal të Zi të dinë se do të kenë një mjedis më të mirë për të jetuar.

DW: Le të flasim pak për Kishën Ortodokse. Së fundi keni patur një takim me përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Serbe dhe pyetja që kam për ju është: a do të jeni ju kryeministri që do të firmosë marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe dhe nga ana tjetër a do të jeni ju i pari që do të firmosni me Kishën Ortodokse të Malit të Zi?

Dritan Abazoviç: Një tjetër çështje që vetëm në Ballkan mund të vihet në kontekst politik: një kontratë bazike me një organizatë fetare, nuk ka rëndësi se cilës fe i përket, është një procedurë e zakonshme në çdo shtet të botës. Dhe ky kryeministër nuk ka asnjë lloj problemi për të firmosur me këdo organizatë fetare e cila është e regjistruar sipas ligjit në vendin tonë. Territori nuk është pjesë e ligjit për lirinë fetare. Problemet me pronën për organizatat fetare ose për qytetarët e thjeshtë, ose për të tjera organizata, ose pronat publike… gjithçka varet nga procesi gjyqësor si për qytetarët, ashtu edhe për organizatën. Tema për të cilën po flasim është: të krijosh problem aty ku problemi nuk ekziston. Kontrata e përgjithshme apo kjo kontratë bazike, nuk mund të jetë përmbi ligjin e lirisë fetare. Ligji s’mund të dalë mbi Kushtetutën! Pra kur kemi kontratën që është në përputhshmëri me ligjin dhe Kushtetutën, atëherë s’ka asnjë problem për ta firmosur. Nuk ka rëndësi për një shtet që është laik, nuk na intereson nëse bëhet fjalë për një organizatë të vogël apo të madhe fetare, nëse ka shumë apo pak besimtarë. Ne duam të promovojmë kontekstin liberal të lirisë së besimit, ku secili besimtar të ketë të njëjtat të drejta. Asgjë tjetër! Asgjë më shumë! Dhe nëse flasim se a do ta firmos marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe? Po! Jam i gatshëm ta nënshkruaj atë pa asnjë lloj problemi.

 

Bisedën e zhvilloi Adelheid Feilcke

SHKARKO APP