Kush dreqin ta mësojë punën e ujit të pusit me sahat, zoti Rama?!

Kryeministri prezantoi aksionin e ri të qeverisë, atë të ujit të pijshëm. Dihet se mungesa e ujit të pishëm është një tmerr që lodh këdo qytetar në Shqipëri. Jo vetëm që mungon, por edhe kur vjen ta sjellin faturën e sahatit sa thua ke furnizuar ndonjë fabrikë birre. Vendosja e rregullit në linjat e ujit të pishëm që furnizojnë ndërmarrjet e ujësjellësit, është i mirëpritur. Ka plot që vjedhin apo nuk kanë fare sahat dhe paguajnë aforfe. Vendimi i kryeministrit në këtë drejtim duhet inkurajuar. Por duhet që pushteti qendror dhe ai vendor të gjejnë shtigje apo rrugë për të siguruar uji 24 orë, natyrisht kundrejt pagesës sipas matësit.

Deri këtu nuk ka asnjë lajthitje kryeministri Rama. Por Edi Rama ka habitur jo pak qytetarë kur deklaroi se edhe ata që kanë pus në shtëpi, do duhet të vënë matësa për ujin që nxjerrin nga aty, ose në të kundërt do të përballen me gjoba dhe burg.

Çfarë tha Kryeministri Rama ditën e djeshme në lidhje me çështjen:

“25 000 puse nga të cilat 265 kanë leje. Kjo është një barbari për shkak edhe të braktisjes së punës nga shteti. Brenda vitit 2018, çdo konsumator që përdor apo dëshiron të përdorë ujërat nëntokësorë, pra ujin e pusit duhet të jetë i pajisur me autorizim. Do të bëhet patjetër formalizimi i të gjithë puseve të përdorura nga qytetarët dhe do të mbyllen ato që janë të paformalizuar”.

Tani na duhet të pyesim kryeministrin Rama: Kush dreqin ta mësoj këtë idiotsi të paparë? A e di kryeministri se në fshatra nuk ka ujësjellës ose janë ndërtuar dhe nuk furnizojnë me ujë? A e di Edi Rama se fshatarët për të mbijetuar hapin puse për tu furnizuar me ujë? A e di kryeministri se në vend që ti furnizojë shteti kundrejt pagesës, fshatarët harxhojnë edhe korent për të marrë uji të pishëm nga nëntoka? A e di Rama se fshatarët harxhojnë lekët e kursimeve për të gjetur ustallarë për t’iu hapur pusin që të pijnë apo lajnë rrobat apo pastrojnë shtëpinë? E di zoti Rama se duhet qeveria ti furnizojë me ujësjellës, por derisa nuk ua çon, çfarë idiotsie është kjo se “marrin ujin e nëntokës” ndaj duhet të paguajnë dhe se u dashka vendos matesa në puse?!

Po a e kryeministri se ka edhe puse me kovë uji? E si do ti masë, me kova uji do ti peshojë? Apo do vijnë taksidarët e qeverisë dhe sa herë nxjerrim një kovë me uji do të peshojnë ujin e kovës?

Nuk kisha dëgjuar një budallallëk të tillë, kurrë! Nëse kryeministri na e sjell ujin me ujësjellës deri në shtëpi, si në qytete dhe ne duam të hapim prapë puse, atëhere ka të drejtë. Por kur nuk kemi uji, nuk kemi as drita, si mundet një vendim i tillë i qeverisë. E di Rama se si jetojmë në fshat; nuk kemi punë, nuk ka drita, uji nuk na sjellë, ndihmë sociale nuk ka, punë nuk ka.

Po pse nuk na jep llogari kryeministri për nëntokën tonë e cila shfrytëzohet dhe ku vidhet nafta, qymyrguri, bakri, bile edhe ari, nga disa kompani mike të kryeministrit?!

Ajo është pasuri e të gjithë shqiptarëve e cila ikën, vidhet dhe ndahet me ju qeveritarë në Tiranë. E keni parë Bulqizën zoti kryeministër, nëntoka nxjerr qindra milionë euro, kurse mbi tokë ndodhet një skamje, tmerr dhe pa asnjë të ardhme ekonomike? E ke parë Ballshin e Marinzën? Poshtë del “ari i zi”, kurse sipër na vjen vdekja nga era e pisët dhe ndotja?

Kjo puna e vendosjes së matësve të ujit në puse është idiotsia e idiotsive që kam dëgjuar!

Preng Llesh Marku

Shkodër

 

SHKARKO APP