Propozimi: LDK-ja kryeministrin, ndërsa Vetëvendosja presidentin dhe kryetarin e Kuvendit

Në Kosovë ndonëse zgjedhjet u zhvilluan korrekt dhe pa manipulime siç nuk ndodh në Shqipëri, ende nuk po e krijojnë qeverinë e re. Sherri me sa duket edhe nga informacioni që jep Express mbetet se VV synon kryeministrin, por edhe Presidentin. 

Lidhja Demokratike ka vendosur të mos pranojë idenë që për Presidentin të flitet pas një viti. Agim Veliu thotë se tash duhet të qartësohet pozita e Shefit të Shtetit. Në të kundërtën s’ka koalicion ndërmjet partisë së parë dhe të dytë. Në Partinë e Isa Mustafës po thonë se me Kurtin bashkëqeverisin në pozita të barabarta. MPB’në po ashtu e donë për vete.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu e ka të qartë se s’ka koalicion me Vetëvendosjen nëse Albin Kurti synon ta nënshtrojë Partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

Ai ka thënë se partisë me 29 deputetë nuk i takon të marrë dy pozitat kryesore në shtet përfshirë Presidentin.

“Nuk do të ishte çkapje e shtetit nëse një subjekt politik, qoftë ajo Vetëvendosja ose LDK-ja, t’i ketë dy pozicionet kryesore në shtet, edhe Kryeministrin, edhe Presidentin. Unë nuk e pranoj as variantin që edhe LDK-ja me i pasë dy pozicionet kyçe në shtet, edhe Kryeministrin edhe Kryetarin e shtetit, sepse duhet të jetë njëfarë balance, njëfarë funksionimi normal i institucioneve”, ka thënë Veliu për Gazetën Express.

Kryetari i Podujevës ka insistuar që çështja e Presidentit të qartësohet, sepse pas një viti mund të haset në vështirësi.

“Qëndrimi i LDK-së është i qartë, ne kërkojmë që ta qartësojmë deri në fund marrëveshjen, mos të lëmë çështje që rrugës na nxjerrin probleme. Koalicioni mund të jetë i rrezikuar kur të vjen koha e zgjedhjes së Presidentit, nëse ne nuk kemi marrëveshje mes vete, si mund të bëjmë marrëveshje me tjerët që të sigurojmë votat në Kuvend”, ka thënë Veliu.

Ai ka thënë se nëse përzgjedhja për Ministrinë e Punëve të Brendshme është bërë me dijen e Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, atëherë nuk ka arsye që të ndryshohet.

“Meqë zoti Mustafa e ka zgjedh Ministrinë e Punëve të Brendshme, atëherë zoti Mustafa nuk lëviz dhe nëse është bërë zgjedhja bashkërisht me zotin Kurti, atëherë nuk ka kurrfarë arsye me ndryshu”, u shpreh ai.

Veliu ka deklaruar se Vetëvendosja duhet të zotohet që kur të vjen koha e zgjedhjes së Presidentit, duhet ta përkrahë propozimin e LDK-së për President.

“Nëse nuk kemi marrëveshje paraprake që me pasë një zotim nga ana e VV-së që propozimi i LDK-së do të përkrahet e më pastaj duhet të kërkohet mbështetje më e gjerë, sepse për Presidentin duhet të jenë në sallë mbi 80 deputetë. Nëse nuk janë 80 deputetë, atëherë i gjithë procesi dështon”, ka thënë Veliu.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se LDK-ja nuk ka asnjë emër deri më tash për President.

Të dy partitë, LDK-ja dhe Vetëvendosje, kanë harmonizuar programin qeverisës 100 për qind. Por nuk po mund të merren vesh për ndarjen e posteve kyçe shtetërore, më saktësisht atë të Presidentit, të cilin LDK-ja po këmbëngul që i takon asaj.

“Kryesuesi i Kuvendit, ai spikeri, që i thonë, është vetëm një post ceremonial, sesa që e ka ndonjë funksion, edhe nëse ka kontestime jokushtetuese, jo çkushtetuese, atëherë, edhe sipas kushtetutës, Kryesuesi i Kuvendit i takon partisë ose koalicionit që i fiton shumicën në zgjedhje dhe nëse donë me u thirrë në kushtetutë, atëherë LDK-ja është e gatshme në çfarëdo varianti për një balancë të qeverisjes të hyjë në këtë raport, meqë nuk ka zgjidhje të tjera, nuk është problem për LDK-në”, ka deklaruar Veliu.

SHKARKO APP