LETËR E HAPUR/ Ambasadori Lu, të paktën na duaj sa do një muxhahedin

Nga Andi Bejtja

I nderuar Ambasadori Lu! Afërsisht para një viti ju shkruajta një letër të hapur fill pas masës arbitrare të arrestit ndaj Presidentit të TV Agon Channel F. Beketi. Ishte letra e parë e imja dhe e fundit.

E bëra se besoj se e dua Amerikën, them pak më shumë se Ambasadorja Vllahutin, duke besuar se si një nismëtar i dekriminalizimit, por tashme inaktiv për motive që mund ti dini vetëm Ju, do të kthenit një përgjigje për çështje që lidheshin jo thjesht me të drejtën e pagës dhe profesionit të qindra punonjësve të Agon TV, por edhe me atë dhunim skandaloz që iu bë drejtësisë për çështjen Beketi nga Kryeministri, të cilit Ju sot po tentoni t’i jepni jo thjesht Flamurin e Reformës në Drejtësi, po me veprime që kalojnë çdo limit sovraniteti po tentoni me dashje a pa dashje, t’i jepni vetë Fronin e Drejtësisë si koncept.

E bëra atë letër të hapur i shtyrë më shumë dhe nga miku im Fatos Lubonja, i cili me dinjitet të jashtëzakonshëm në këtë çështje, ka qenë gjithmonë më shumë i preokupuar për paratë që duhet të nxjerrin shqiptarët e varfër për të paguar “dëmin Beketi”, që në fakt është “dëmi Rama”, se sa për rrogën e tij a timen.

Ju kujtoj edhe njëherë se ky “dëm” erdhi si pasojë e raporteve hitleriane që tregoi Kryeministri Jo vetëm me drejtësinë po me gjithë segmentet e shtetit…

E Teksa Ju shoh tani që takoni një nga një deputetët e opozitës për t’i bindur të votojnë Reformën në Drejtësi, duke e lënë Edi Ramën të bëjë rolin e Ambasadorit Amerikan dhe vetë rolin e sekserëve të Rilindjes, them se bërë gabim atë botë që nuk kthyet përgjigje…

Ku i dihej… Nejse çfarë iku, iku… Nuk Ju mbaj mëri, sepse dy njerëz nuk i përgjigjen letrave të mia; Ju dhe gruaja ime.

Po të paktën, të paktën kur të vije ajo faturë dëmi material, ajo faturë e hakmarrjes së një Kryeministri dhe prishjes të të gjitha raporteve me Lirinë dhe Demokracinë, ajo fature si pasojë dhe e moskokëçarjes tuaj…. Të lutem shif mos negocion pak me Uashingtonin që t’i paguani Ju ato lekë, se që t’ju duam akoma, është mirë të na vërtetoni që një shqiptar e doni të paktën sa ç’doni një muxhahedin.

SHKARKO APP