Letra e Ardian Lefter Çipës drejtuar Albin Kurtit
Kryesore E Hënë, 22 Shkurt 2021 20:25
I dashur Albin,
I nderuar Zoti Kryeministër i Kosovës sonë,
Më lejoni që në emër të familjes së Lefter Çipës, si biri i vogël i tij, t’ju shpreh falënderimet e përzemërta për homazhin dhe vlerësimin që i bëni At-it tonë në këto ditë të përcjelljes së tij në jetën tjetër.
Homazhi juaj dhe vlerësimi publik, janë një çmim i madh që vjen nga Kosova jonë, nga ai vis arbëror të cilin Ati ynë e kishte “Thelb” të zemrës.
Në dhjetra poezi dhe këngë por, veçanërisht në dy prej librave të tij të rëndësishëm: “Për Kosovën prapë do ngrihem” dhe “Këngët e Ruzanës”, Ati ynë e pati të plotë pathosin dhe frymën e një kohe të mbarë kombëtare për aspiratën gjithëshqiptare. Në fundvitet ’80-të dhe në fillim të viteve ’90-të, në një nga këngët e veta të interpretuar me aq mjeshtëri artistike nga grupi i famshëm i polifonisë shqiptare, Grupi i Pilurit, autori shkroi dhe këndoi :
”Ja koha ka ardhë,
koha arbërore,
vjen një re e bardhë,
një dëshirë Kosove!”….dhe disa dekada më herët kishte bërë të shumëdëshirueshëm distikun e vet:
”Shqipëtarët gjithë sa janë,
një djep e një Nënë kanë”.
Zoti Kryeministër,
Falënderimi ynë i përzemërt familjar, për ngushëllimin e humbjes së Atit tonë Lefter, nuk mund të ndahet nga falënderimi për homazhin e përbashkët që bëni për një bard tjetër arbëresh, Zef Kakoca. Në këtë përkim sillet vetvetiu në kujtesë dhe ndër mendje lidhja në AND-në qindra vjeçare dhe raporti mes arbëreshëve me visin tonë, Himarën dhe Labërinë. Për këtë arsye, forca që marrim prej mesazhit tuaj në dhimbjen tonë është e dyfishtë.
Faleminderit!
Me dëshirën dhe urimet për mbarësi dhe sukses të përhershëm për Ju personalisht dhe përhershmërisht për Kosovën tonë!
Me zemër
Ardian Lefter Çipa
KOHA JONË SONDAZH