Lirohen të arrestuarit për pasojat e tërmetit. Ndërsa shkaktarët e vërtetë fshihen në Durrës e Thumanë

Policia dhe Prokuroritë e Tiranës, Durrës, Krujës dhe Lezhës katër javë më parë nisën me shumë zhurmë arrestimet për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Në Tiranë dhe Durrës u arrestuan më shumë se 40 zyrtarë, ish-zyrtarë dhe ndërtues që sipas prokurorisë kanë abuzuar me lejet dhe cilësinë e ndërtimeve që u morën jetën 51 personave. Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga tërmeti shumica e arrestimeve të prokurorisë janë cilësuar të paligjshme nga gjykatat. Dje, Gjykata e Apelit vendosi lirimin e ish-kreut të Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku dhe ish-kreun e Komunës së Kasharit, Besnik Fuçia duke i lënë me masën detyrim paraqitje. Më herët, në seancën e datës 18 janar, gjyqtarët liruan dhe 15 të arrestuar të tjerë për pasojat e tërmetit në Tiranë. Në Durrës po ashtu lista e gjatë me rreth 20 të arrestuar dhe të shpallur në kërkim, pas lirimeve nga gjykatat e apelit ka përfunduar me vetëm 5 persona që mbahen në burg dhe të tjerë që janë shpallur në kërkim. Në Lezhë dhe në Krujë u fol për lista me shumë emra që do të arrestoheshin së shpejti. Por ende edhe sot nuk ka asnjë person të arrestuar për viktimat dhe dëmet e tërmetit. Shumica e të arrestuarve ishin punonjës të legalizimeve, inspektoreve të bashkisë, arkitektë, ndonjë biznesmen dhe si funksionarë lartë “politikë” u klasifikuan dy ish-krerët komunave të Tiranës, Besnik Fuçia dhe Fatbardh Plaku. Duket rastësi, por të dy ishin përfaqësues të Partisë Demokratike. Ndërkohë nga hetimet u lanë jashtë kryetarët e bashkive, shefat e urbanistikës dhe po “rastësisht” gjithë funksionarët e Partisë Socialiste që kanë qenë në pushtet dhe janë aktualisht në zonat ku pati më shumë dëme të tërmetit. Në Durrës, që është dhe qyteti më shumë dëme nga tërmeti dhe abuzime me ndërtimet, hetimet u fokusuan vetëm te ndërtesat në zonën e plazhit, ndërkohë që edhe brenda në qytet dëmet kanë qenë kolosale. Argumentet që ka dhënë gjykata për lirimin e thuajse gjithë të akuzuarve janë se hetimet janë të paplota dhe aktet e ekspertimit të dëmeve të paqarta.

Kujtojmë se në Durrës, dy ditë pas tërmetit Policia Bashkiake me urdhër nga lart u vu në lëvizje për të shembur gjithë ndërtesat e dëmtuara dhe pastrimin e territorit. Ky aksion në kulmin e tragjedisë së tërmetit, në fakt hoqi nga duart e prokurorisë dhe provat për një sërë ndërtesash pa standardet. Bashkë me shembjen e pallateve nuk ka më as prova të forta kundër atyre që dhanë lejet dhe as kundër firmave të ndërtimit që kanë abuzuar me cilësinë. Ndërkohë që pati arrestime masive në Durrës dhe në Tiranë, gjykata shprehet se prokuroria nuk ka arritur të përcaktojë saktë përgjegjësinë penale të shumicës të arrestuarve. Sigurisht hetimet për tragjedinë e tërmetit të 26 nëntorit kanë vështirësi edhe ligjore. Më herët, prokurorët kanë deklaruar se mungojnë edhe ligjet specifike për të klasifikuar veprën penale dhe do të kërkojnë dhe ndryshime ligjore. Pavarësisht pengesave ligjore, janë një sërë faktesh publike që dëshmojnë se një pjesë e viktimave të tërmeti i 26 nëntorit mund të ishin shmangur, nëse institucionet do të kishin vepruar me përgjegjësi. Në Durrës dhe gjithë zonat ku pati viktima dihet se kush i ka dhënë lejet, dihet se cili është roli i kryebashkiakëve dhe gjithë zyrtarëve të tjerë që lejuan kasaphanën urbane. Çuditërisht pjesa e zyrtarëve që kanë përgjegjësi direkte për masakrën e ndërtimeve nuk janë thirrur për hetimet. Madje dhe kur janë kryer veprime ligjore, arrestohen ish-kryekomunarët e PD dhe nuk janë marrë në pyetje ata të PS-së, në zonat e të cilëve ka pasur po njëlloj dëme nga tërmeti. Jo vetëm hetimet kishin anshmëri politike, por edhe kur janë arrestuar përfaqësuesit e PD-së, Gjykata ka vendosur se arrestimet janë të paligjshme. Diferencimi politik edhe në këtë hetim lë shijen e një spektakli të shëmtuar, ndërkohë që pavarësisht ngjyrave politike ata që kanë abuzuar duhet të përgjigjen. Ndëshkimi për pasojat e tërmetit është jo vetëm drejtësi për ata që humbën jetën, por edhe një mesazh për gjithë zyrtarët e tjerë dhe ndryshimin njëherë e përgjithmonë të rregullave të ndërtimit në vend. Hetimi për viktimat e tërmetit është dhe një provë institucionet e reja të drejtësi. Një provë që, deri më sot, duket e dështuar./Q.Xhani/

 

SHKARKO APP