Loja e Ramës me partitë e reja, Rilindja si financuese dhe votat e “Noc Rrokut” që do marrin në 25 prill!

Nga Mili Xhani-

-Kryeministri ka urdhëruar dhe Rilindja po financon krijimin e partive të reja politike këto javë e muaj sepse mendon se do përçajë apo dobësojë PD dhe LSI, por më kot sepse nuk janë të besueshme, pasi janë të formuara për shantazh apo diversion, dhe nuk kanë mbështetje. Pra nuk kanë lindur si nevojë e brendshme e shoqërisë, por si interes i PS. Të paktën të marrin ato qindra mijë euro dhe të rregullojnë ndonjë fermë në Baldushk apo në Mullet, pasi zor se kapin ndonjë mandat deputeti.

Një numër i madh partish të reja po krijohen këto javë. Turravrap për të bërë parti me nga një çantë që niset bosh dhe kur regjistrohen në gjykat e mbushin plot. Natyrisht jo të gjitha, por shumica e sigurtë se po, marrin euro vetëm për tu krijuar dhe regjistruar në fletë votimi si diversion për opozitën reale.
Bindja Demokratike e Astrit Patozit, ishte forca e parë politike që u testua në zgjedhjet moniste vendore dhe megjithëse nuk arriti të marrë asnjë mandate kryetari, përsëri do të jetë edhe në garën e zgjedhjeve parlamentare të prill 2021. Astrit Patozi mbetet një politikan korrekt dhe demokrat, porse elektorati është i ndarë prerë me PD, LSI ose PS, ndaj nëse Patozi do rikthehej në PD dhe Basha nuk do ta pranonte, atëhere Astriti kishte shumë të drejtë në insistimin e tij politik.

Partia tjetër “Lëvizja për Ndryshim” me themeluese ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vetëm pak ditë që është krijuar dhe pretendon të hyjë në garë në gjithë vendin. Jozi është një grua pa cene në politikë dhe e pa akuzuar se nuk kanë asnjëherë në qeveri, por duket vështirë të marrë vota, ndonëse ia vlen parlamenti me emrin e saj. Por Jozi nëse kthehej në voter ku u krijua si politikane do ishte një kartë morale jo vetëm në PD, por edhe më tej. Gjithsesi edhe ajo e bëri një parti, si shprehje e zemërimit antiBasha.

Lëvizja Demokratike Shqiptare, e themeluar nga ish-deputeti i PD, Myslim Murrizi është një tjetër parti politike që po shfrytëzon mandatin parlamentare për tu imponuar në zgjedhjet e radhës. Deputetja Rudina Hajdari është drejt krijimit të një partie. Deri më sot ajo ka shpallur bashkëpunimin dhe më pas ka braktisur 3-4 projekte të reja politike, por ende nuk ka vendosur se cili do të jetë subjekti përfundimtar politik. Nisma Thurje, një lëvizje qytetare që nisi vetëm si aksion i shoqërisë civile pretendon se në këto zgjedhje do të hyjë si risi politike. Por flitet se financohen nga dy oligarkë që ti bëjnë freskë kryeministrit, pas zgjedhjeve, dhe me idenë se mund të bëjnë numra për qeveri me Ramën.
Disa emra të tjerë që kanë gati vulat e partisë janë në dilemë nëse duhet të hyjnë dhe provohen në zgjedhje apo më mirë të hyjnë në qeverinë e “Ramës” që tani, se pas 25 prillit nuk i dihet.

Në listë për krijimin e partive të reja janë edhe disa deputetë të opozitës jashtë parlamentare, që të joshur nga premtimet e kryeministrit Edi Rama janë gati të shpalli brenda ditës secili nga një parti.

Pjesa më e madhe e formacioneve të reja politike janë pa identitet, pa program, dhe pa emra që ti përfaqësojnë në elektorat. Shumica e tyre vijnë nga e djathta, por nuk mungojnë dhe subjekte që pretendojnë se janë thurur me kontributin e shoqërisë civile, por që më pas kanë degjeneruar në shtojca të skemave të Edi Ramës. Përjashtim bëjnë vetëm Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli, disi. Si dy ish-drejtues të lartë të Partisë Demokratike janë në të drejtën e tyre që të krijojnë parti politike dhe të masin mbështetjen elektorale në zgjedhje. Vetëm se ka një diferencë të madhe në qëndrimet e tyre si parti opozitare. Mund të jenë të vetmit subjekte politike që thonë se krijohen me frymë opozitare dhe në vend të sulmojnë qeverinë, turren më shumë kundër PD dhe LSI.

Pjesa tjetër e subjekteve politike që janë krijuar apo janë rrugës duke kërkuar seli dhe logo partiake, nuk ja vlejnë të analizohen gjatë. Pavarësisht emrave dhe ngjyrave këto parti kanë një të përbashkët, sulmojnë opozitën me të njëjtën gjuhë që përdor dhe Edi Rama. Ato pak subjekte që kanë dhe deputetë në Kuvend janë edhe më pro qeveritare sesa vet ligjvënësit e Edi Ramës. Votojnë rregullisht ligjet e qeverisë, flasin kundër opozitës reale me shumë se Taulant Balla dhe Elisa Spiropali dhe madje duartrokasin Edi Ramën edhe kur ai ua thotë në sy se janë një tufë budallenjsh.

Çudia është se këto subjekte që mbajnë në këmbë qeverinë duan të shiten dhe si alternativë opozitare më 25 prill, por që do marrin në 25 prill “atë të Noc Rrokut”!
Askush nuk i ndalon të kandidojnë, vetëm se më shumë ngjajnë si produkte sezonale të pjella në fermën e rilindjes, sesa një realitet natyral politik i vendit. Janë njëlloj si kërpudhat që dalin pas shiut, të ushqyera me humusin e degëve dhe gjetheve që i ranë Partisë Demokratike, dhe që sot po shurrohen nga Edi Rama. “Kuzhinieri” i Rilindjes ka treguar këto vite se ka aftësinë të gatuajë çdo lloj çorbe politike vetëm që të mos i rrezikohet tepsia.
Por të githë janë produkt i kryeministrit Rama.

Jo të gjithë me paratë e Rilindjes, por shumica po!
Por të paktën të marrin ato qindra mijë euro dhe të rregullojnë ndonjë fermë në Baldushk apo në Mullet, pasi zor se kapin ndonjë mandat deputeti.

SHKARKO APP