LSI: Edi Rama më 26 prill përfundon te SPAK-u

-Kryeministri e di mirë se sapo të rrëzohet nga pushteti nuk kanë për ti folur as Endri Fuga e Elisa Spiropali, pasi Arben Ahmeti dhe Erion Veliaj dihet se do ta kthejnë kokën në anën tjetër të rrugës, kur ta shikojnë Ramën rrugëve pa shoqërues. Se kështu ia bëri Fatos Nanos në korrik 2005 edhe vetë Edi Rama. Historia vonon, por përsëritet në PS!

Rritja e dozës së sulmeve të qeverisë dhe gjithë Rilindjes ndaj opozitës nuk ka të bëjë vetëm me fushatën zgjedhore, por dhe panikun e qeverisë për ndëshkimin që e pret, pas humbjes së pushtetit. Ikja e qeverisë “Rama” do t’i hapë rrugën hetimit të një sërë skandalesh që kanë për autor zyrtarë të lartë qeverisës, duke nisur nga kryeministri, ministrat dhe deri të drejtorë të rëndësishëm që kanë futur duart në buxhetin e shtetit. Burime nga LSI thonë se pas zgjedhjeve të 25 prillit Edi Rama përfundon si person nën hetim nga SPAK dhe kjo është arsyeja pse kryeministri ka nisur sulm frontal dhe kërkon të vjedhë zgjedhjet, pasi e sheh këtë fushatë si një betejë për “jetë a vdekje”.
Sipas LSI, në tetë vite qeverisje, Edi Rama nuk ka një, por disa skandale flagrante ligjore dhe financiare, të cilat mund të jenë objekt i institucioneve të reja të drejtësisë, nëse këto të fundit do të jenë plotësisht të pavarura. Afera e koncesioneve të inceneratorëve me vjedhjen e 75 milionë eurove është skandali më i fundit që çon përgjegjësinë ligjore në zyrën e kryeministrit. Lista e dosjeve që përfshijnë si të dyshuar kryesor kreun e qeverisë vijon me çështje të tjera po kaq të nxehta dhe flagrante. Vetëm dosja e koncesioneve përmban deri në 10 raste ku kreu i qeverisë ka ndërhyrë direkt në favorizimin e klientëve dhe oligarkëve që kanë marrë miliarda lekë. Afera korruptive e shembjes së Teatrit Kombëtar dhe dhuna ndaj artistëve është një tjetër dosje për të cilën janë informuar prej kohësh dhe institucionet e specializuara ndërkombëtare në BE dhe SHBA dhe ku Edi Rama rezulton ideator personi përgjegjës. Dosjet e vjedhjes së votave në Dibër dhe në Shijak janë vetëm dy nga rastet kur përfshirja e Edi Ramës në skemën e manipulimit dhe komunikimi me persona me precedentë penalë është e faktuar nga përgjimet e prokurorisë. Vetëm fakti që kryeministri komunikon me drejtorë dhe njerëz me precendentë penalë për vjedhje votash do të mjaftonte që hetimet të nisnin nga zyra e tij. Prokuroria e kapur nga Rilindja nuk shkoi përtej “arrestimit” të disa komisionerëve të vdekur, por një prokurori e pavarur dhe e pandikuar nga askush mund ti rimarrë dosjet duke vendosur nën hetim pikërisht kreun e qeverisë.
Seria e dosjeve të nxehta kundër Edi Ramës dhe njerëzve afër tij vijon dhe me çështjen e kanabizimit të vendit. Historia e mbjelljes së vendit me hashash dhe kthimit të Shqipërisë në pikën rajonale të mbjelljes së kanabisit dhe trafikut të kokainës, nëse do të hetohet seriozisht, nuk përfundon vetëm me ndonjë ish-ministër, por me vetë kreun e qeverisë. Afrimiteti i kryeministrit me persona me precedentë penalë, deputetë, kryetar bashkie, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të afërt të tij, është një tjetër dosje që implikon direkt kreun e qeverisë. Kjo pasi bashkëpunimi i Edi Ramës me këta elementë nuk ka qenë vetëm politike, por dhe në çështje të tjera që lidhen me afera dhe shpërdorim të buxhetit të shtetit.
Dosjet që mund ta ngarkojnë me akuza penale kreun e qeverisë janë pa fund dhe tashmë që mandatit i tij qeverisës po mbaron, hetimi i tyre nga SPAK është një kërcënim që rrezikon kryeministrin vetë, si dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Por veç dosjeve penale, kreu i qeverisë ka dhe një mal me shkelje ligjore që lidhen me aktivitetin si kryeministër.
Dhe Edi Rama, e di mirë, sipas LSI se sapo të rrëzohet nga pushteti nuk ka për ti folur as Endri Fuga e Arben Ahmeti, por do kthejnë kokën në anën tjetër duke bërë sikur nuk e shikojnë Edi Ramën pas datës 26 prill.
Kështu ia bënë edhe Fatos Nanos në qershor 2005.
Mili Xhani

SHKARKO APP