LSI: Qytetarët pa shtëpi pas tërmetit, kurse qeveria mashtron

Një vit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 për banorët që humbën shtëpitë situata nuk ka ndryshuar. Qeveria flet çdo ditë për rindërtim, për miliona euro që janë hedhur nga buxheti i shtetit, por deri më sot shtëpitë e rindërtuara ekzistojnë vetëm në letër. Në qytetin e Durrësit ata që humbën banesat janë sistemuar në apartamente me qera prej 12 muajsh. Ndërsa në fshatrat e zonës së dëmtuar banorët vijojnë të jenë në çadra dhe kasolle. Kryeministri dhe ministrat shfaqen sa për të bërë foto në themelet e ndonjë ndërtese që nuk dihet kur do përfundojë dhe banorët i lënë në mëshirë të fatit.
Dje për të parë nga afër situatën ishte në Durrës kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe drejtues të degës së kësaj partie në Qarkun e Durrësit, Elona Guri dhe Kontjana Kuçi. Banorët e mbetur në mëshirë të fatit deklaruan se qeveria nuk ka mbajtur premtimet dhe punimet për ndërtimin e banesave të tyre ende nuk kanë nisur. Banorët deklaruan se kanë marrë vetëm premtime nga kryeministri dhe ministrat, asgjë konkrete për problemet e tyre. Kryetarja e LSI tha se banorët nuk kanë asnjë letër të firmosur nga Bashkia e Durrësit, Ministria e Rindërtimit apo qeveria. “Kryeministri thotë do t’a shemb unë këtu dhe ti ik. Po në qoftë se ti nuk bën një kontratë, në qoftë se ti nuk ke një letër e nënshkruar nga bashkia ose qeveria, ministria e Rindërtimit, çfarë rëndësie ka, pra në qoftë se nuk e nënshkruan personi që do ta riparojë, të jesh e bindur që nesër pasnesër ti nuk ke asnjë gjë në dorë. Kanë nja 30-40 vjet ata të liqenit të Fierzës. Me vendim të komitetit ekzekutiv e kanë bërë ata”,- deklaroi Kryetarja e LSI. Në një nga lagjet e Durrësit, Kryemadhi vizitoi 120 familje të një pallati që ekspertiza e ka nxjerrë të pabanueshëm. Së bashku me qytetarët drejtuesit e LSI denoncuan faktin se qeveria nuk u ka dhënë bonus qeraje për pallatin e dëmtuar dhe as një zgjidhje se ku do të banojnë apo kur do të rindërtohen.
Ndërkohë që drejtuesit e LSI denonconin faktet skandaloze nga zonat e Durrësit, dhjetëra forca policore kanë ndërhyrë në takimin me qytetarët. Me argumentin se po zhvillohej tubim politik dhe se një pjesë e qytetarëve nuk kishin maska, policia tentoi të largoi banorët dhe gjobiti drejtuesit e LSI-së. Sigurisht ndërhyrja e policisë u bë me urdhër dhe nuk ishte halli i maskave. Qëllimi ishte provokimi i takimit dhe heqja e vëmendjes nga situata dramatike që është në Durrës. Banorët kërcënohen çdo sekondë nga banesat e dëmtuara që mund të shkaktojnë tragjedi. Të tjerë që humbën shtëpitë po jetojnë me qera duke u mbijetuar me mes qindra vështirësive ekonomike. Ndërsa shumë prej tyre e kanë humbur shpresën dhe pa të ardhme dhe shtëpi po zgjedhin të ikin nga Durrësi dhe nga vendi. Në këtë situatë dramatike të një qyteti të shkatërruar, qeverisë i djeg thënia e të vërtetave dhe denoncimi i qytetarëve. Ndaj dje qeveria nxirrte si lajm gjobën ndaj Monika Kryemadhit dhe jo faktin dëshpërues se mijëra banorë janë lënë në mëshirë të fatit nga institucionet.
Banorët e Durrësit humbën pasurinë dhe pronat e tyre. Një vit më pas me gënjeshtrat dhe mashtrimet e qeverisë po humbasin dhe shpresën për kthimin e jetës së tyre në normalitet. Paratë e buxhetit po përdoren për projektet që vetëm qeveria e di se ku janë, sepse banorët janë ende pa shtëpi dhe në mes të katër rrugëve.
Kryeministri kur bën ndonjë shtëpi të re e propogandon sikur qeveria po bën namin, ndërkohë që janë me qindra e qindra familje pa shtëpi dhe në mëshirë të fatit në çadra apo me qera qesharake, kur nuk dihet se ku shkuan qindra milionë euro të akorduar nga Europa.
Mili Xhani

SHKARKO APP