Lulzim Basha: “Peshkun e Madh” e pamë kur kërcente nga belaja te Fevziu!

Në lidhje live nga selia e PD, lideri i opozitës Lulzim Basha foli sot për inceneratorët në një intervistë me gazetarin Enkel Demi në Abcnews. Basha akuzoi qeverinë për keq-menaxhim të situatës së pandemisë, ndërsa shtoi se shumë biznese janë në një krizë të thellë ekonomike.

Po ashtu kryedemokrati rikujtoi planin me pesë pika të propozuar nga PD, duke theksuar se nëse do të ishte marrë në konsideratë nga qeveria atëherë shumë familje do të ishin ndihmuar.

I ndalur tek inceneratorët, Basha tha se qytetarëve shqiptarë i janë marrë 75 milion euro për tre inceneratore, dy prej të cilëve sipas tij nuk ekzistojnë.

Gjatë intervistës lideri i opozitës gjatë bisedës me gazetarin Enkel Demi tha Tirana, Fieri nuk kanë inceneratorë edhe pse paratë sipas tij janë marrë.

“As Tirana, as Fieri nuk kanë inceneratorë edhe pse paratë janë marrë. Pyetja është ku shkuan paratë dhe përse u morën pa tender, pa asnjë tender. Këto janë pyetje për të cilat qeveria duhet japë përgjigje. Kanë marrë 75 milion euro, por kanë investuar 20%, ku është pjesa tjetër e parave. Por megjithëse janë investuar kaq shumë, Shqipëria është e zhytur në plehra.

Shqiptarëve i janë marrë 75 milion euro për tre inceneratore, dy prej të cilëve nuk ekzistojnë. Këto tre inceneratorë janë mjaftueshëm për  të plehrat e Shqipërisë, Greqisë, apo edhe një pjesë të Italisë. Pyetja është, kush është peshku i madh në Shqipëri?! Unë mendoj që peshkun e madh e pamë të kërcente nga belaja në një nga studiot në Shqipëri.

Mendoj se të gjitha këto na çojnë tek një person që ka një pushtet dhe është Edi Rama. Kush tjetër mund ta bëjë gjë të ndodhë”, tha Basha./Abcnews.al

SHKARKO APP