Lulzim Basha: Plan prej pesë pikash për të shmangur falimentimin e biznesit në Durrës

Kryedemokrati Lulzim Basha në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar prezanton 5 masa për efekt të menjëhershëm ndaj biznesit të dëmtuar materialisht dhe financiarisht nga tërmeti.

Sot inspektova disa prej sipërmarrjeve në Durrës, ndërsa pasditen e djeshme u takova me përfaqësues të Asamblesë së Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Durrësit. Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Ndërprerja dhe reduktimi i aktivitetit ekonomik, dëmet në struktura, makineri dhe inventar, fatura financiare, pezullimi i punës nga një numër jo i vogël të punësuarish banesat e të cilëve janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë; këto janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet sipërmarrja“,- shkruan Basha në një postim në Facebook.

Pas diskutimeve më biznesin në Durrës, Dhomën e Tregëtisë së këtij qyteti dhe ekspertë të ekonomisë, Basha ka paraiqitur dhe një plan prej 5 pikash që do të ndihmojë daljen nga kriza të biznesit.

Plani prej pesë pikash i PD dhe Opozitës së Bashkuar

1. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
4. Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Gjithashtu i bëj thirrje sistemit bankar të riskedulojnë këstet e kredive në periudhën e rindërtimit për operatorët ekonomikë në zonat e prekura. Kjo paketë e thjeshtë dhe realiste është ndihma më e mirë që mund ti jepet sipërmarrjes për rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në zonat e goditura. Nga kjo varen mijëra vende pune dhe të ardhurat e dhjetëra mijëra familjeve“, shprehet Lulzim Basha.

SHKARKO APP