Mandati i deputetit, plas lufta mes Koço Kokëdhimës dhe Gramoz Ruçit
Vendimi i Kuvendit të enjten e kaluar ku u miratua dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i mandatit të Koço Kokëdhimës ka sjellë acarimin e marrëdhënieve mes drejtuesve të selisë rozë.
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, Koço Kokëdhima ka shprehur pakënaqësinë për vendimin e Kuvendit. Ai ka kërkuar sqarime nga kreu i grupit, Gramoz Ruçi mbi arsyet se përse vendimi kaloi me procedurë të përshpejtuar në seancën e Kuvendit dhe ai nuk ishte njoftuar më parë.
Burime nga mbledhja e grupit parlamentar të PS bëjnë të ditur se deputeti Kokëdhima ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se më 10 mars do të diskutohej dhe votohej mandati i tij në Kuvend. Ndërkohë, kreu i deputetëve të PS-së, Gramoz Ruçi ka deklaruar se pas vendimit të Këshillit të Mandateve, kërkesa hyn automatikisht në seancën e parë. Sipas Ruçit është zbatuar procedura e Kuvendit.
Por pas kësaj “procedure”, Kokëdhima dyshon se fshihet një lojë e deputetëve të PS-së kundër tij. Një ditë më parë, në një intervistë në “Tonight Ilva Tare”, Kokëdhima tha se nuk është ndjerë mirë kur e ka mësuar vetëm pak minuta përpara se Parlamenti do të votonte për dërgimin e mandatit të tij në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendimi i Grupit duket se e ka gjetur të papërgatitur deputetin Kokëdhima, i cili u pa të bënte dhe gjeste fyese në seancën e kaluar. Me 106 vota, duke përfshirë dhe votat e kolegëve të tij në PS, Kuvendi votoi dërgimin në Kushtetuese të kërkesës së PD për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima.
Por edhe pse është cilësuar si një rutinë procedurale, votimi i të enjtes nxjerrë në pah përplasjen mes Koço Kokëdhimës dhe Gramoz Ruçit. Që nga marrja e mandatit si deputetet mes Kokëdhmës dhe Ruçit ka pasur një betejë të heshtur për ndikimin në strukturat e PS.
Përplasja ka ardhur për shkak të ndërhyrjes që Kokëdhima ka bërë në gjithë strukturat e PS-së në Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë. Gjithashtu ndërhyrjet e Kokëdhimës në drejtimin e degëve të partisë dhe emërimeve në administratën e Fierit, e cila është zona elektorale e Gramoz Ruçit kanë bërë që marrëdhënia mes tyre prej kohësh të mos jetë normale. Nga ana tjetër, Kokëdhima cilësohet si njeriu i kryeministrit Edi Rama dhe shpesh herë ka anashkaluar edhe vendimet e strukturave të PS-së, si Kryesia dhe Asambleja, e cila drejtohet po nga Ruçi.
Së fundit burime pranë PS-së kanë folur dhe për një ndryshim të strukturave drejtuese në Kongres, ku Koço Kokëdhima ka shprehur ambicien për të marrë drejtimin e Asamblesë ose postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Këto zhvillime të reja duket se kanë sjellë dhe reagimin e deputetëve të PS-së që e shohin problematik drejtimin e strukturave nga Kokëdhimën. Ndaj dhe loja ka nisur me pikën më të fortë të Kokëdhimës dhe që e mban atë zyrtarisht në politik; mandatin e deputetit.
Fakti që vetë deputeti që i diskutohet hiqja e mandatit nuk u njoftua as nga partia e tij për votimin, si dhe bashkimi i votave PS-PD për dërgimin e çështjes në Gjykatë është sinjali që Ruçi i ka dhënë Kokëdhimës. Me sa duket Ruçi mbetet prapë “shtylla kurrizore” e PS edhe pas Kongresit, ndërsa Kokëdhima mbetet shumë larg enderrës së tij për të marrë PS-në.