Mazhoranca vulosi dje bllokimin e negociatave me Bashkimin Europian

Partia Socialiste dhe deputetët pa identitet të opozitës parlamentare rrëzuan dje me 97 vota dekretin e Presidentit Ilir Meta për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën e vendit. Votimi u krye pa e vrarë mendjen, edhe pse prej një jave autoritet më të larta të BE i kërkuan Edi Ramës që të priste opinionin e Komisionit të Venecias për këto ligje. Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, Zv/Presidenti i PPE, Andrey Kovatchev, Kreu i Komisionit të Jashtëm në PE, David Mcallister, Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, David Lega, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme në PE, Michael Gahler dhe Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero bën disa deklarata ku i kërkonin Edi Ramës të mos rrezikonte integrimin e vendit me vendime të njëanshme. Pak orë para votimit, tetë eurodeputetët i dërguan Edi Ramës një letër në adresën personale, ku i shpjegonin rreziqet që ka një vendimmarrje e tillë. Duke shprehur shqetësimin dhe habinë që në Shqipëri miratohen ligje zgjedhor pa konsensusin e opozitës, zyrtarët e BE i kujtonin kryeministrit përgjegjësinë personale për akte të tilla. E megjithatë Edi Rama me kokëfortësi dhe arrogancë doli kundër qëndrimit të BE dhe bërë fakt të kryer votimin e njëanshëm të një ligji zgjedhor që do të shkatërrojë zgjedhjet.
Me një propagande malinje, Edi Rama dhe mediat kryesore në vend shmangën këto ditë thelbin e problemit që kanë ndryshimet e njëanshme të Kodit dhe Kushtetutës. Nga ekranet e mediave dhe arenat e debateve u zhdukën kërkesat e zyrtarëve të BE dhe çështja e dekretit të Presidentit u trajtua vetëm si një problem mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Në televizionet kryesore këto ditë debati kryesor ishte deri për ngrohjen globale dhe vrimën e ozonit, por jo për ultimatumin që Edi Ramës i është vënë nga BE. Në fjalimin e mbajtur në Kuvend Edi Rama e trajtoi dekretin presidencial si një çështje personale të Ilir Metës. Gjithashtu, sipas Edi Ramës nuk ka kohë për të rihapur çështjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Të dyja këto argumente djallëzore u mbrojtjen dhe nga socialistë të tjerë që mendojnë vetëm më kokën e Edi Ramës. Në fakt, e vërteta është ndryshe. Koha për të kryer ndryshimet e reja nuk ka munguar asnjëherë, sepse Edi Rama ka treguar se kur do e ndryshon Kushtetutën brenda natës. Justifikimi se dekreti ishte qëndrim i personal i Ilir Metë është një tjetër mashtrim që nuk ka as logjikë ligjore. Një dekret është qëndrim shtetëror dhe nuk mund t’i japësh ngjyrime të tjera politike. E vërteta është se Ilir Meta ktheu ndryshimet ligjore në Kuvend me kërkesë të autoriteteve të Bashkimit Europian. Ishin autoritetet e BE që kërkuan kthimin e tyre në Kuvend dhe ato këmbëngulën që Edi Rama të mos i votojë pa ardhur qëndrimi Venecias.
Ndaj dje, Edi Rama bashkë me 97 deputetët pa identitet të Parlamentit dje nuk rrëzuan dekretin e Metës. Dje bllokuan zyrtarisht negociatat dhe firmosën mosmbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE në muajin dhjetor. Maqedonia e Veriut e ka prerë biletën për në BE dhe Shqipërisë i kërkohej plotësimi i kushteve konkrete. Kushti kryesor dhe më i afërt që duhej përmbushur ishte pikërisht reforma zgjedhore, të cilën socialistët e masakruan me vetëdije në Kuvend. Dëmi që i është bërë integrimit të vendit është i pamatë dhe efektet do e shihen shumë shpejt. Fatkeqësisht në votimin e djeshëm të PS ishin dhe ministra dhe ish-ministra që karrierën e tyre e kanë ngritur mbi ëndërrën e shqiptarëve për integrimin në BE. Askush prej tyre nuk foli dhe askush nuk guxoi formalisht të abstenoi kundër marrëzisë së rilindjes. Vota e tyre kundër BE është një provë dëshpëruese se PS është kthyer në modelin më të keq paraardhës, atë të Partisë së Punës. Kjo jo vetëm sepse të gjithë janë vënë në rresht nga “udhëheqësi”, por se edhe zyrtarisht janë rreshtuar në një parti kundër BE dhe integrimit.
Mili Xhani

SHKARKO APP