Mbyllet “Dosja e Dibrës”, por shpëtojnë peshqit e mëdhenj

-Tallja e drejtësisë me vjedhjen e votave. Zgjedhjet në Dibër u blenë nga Partia Socialiste dhe zyrtarët e saj, por prokuroria thotë se “nuk i dënojmë dot se kaluan afatet e hetimit”. Ndërkohë një hajdut xhepash e dënojnë me burg!

Në dosje ishin emra ministrash, deputetësh, drejtorë policie, drejtorë arsimi, kryeministri dhe emra të botës së nëndheshme.

Prokuroria e Dibrës ka mbyllur dje hetimet për Dosjen 187, ose siç njihet ndryshe dosja e vjedhjes së votave. Për gjykim janë dërguar 4 zyrtarë të nivelit të ulët, ndërsa për listën e gjatë me 11 emra të tjerë që dolën në përgjime për vjedhje votash në gazetën gjermane “Bild” nuk ka asnjë akuzë. Prokuroria e Dibrës pranon se këta zyrtarë të PS,  mes të cilëve drejtues policie, drejtues të institucioneve të rëndësishme lokale, deputetë, ministra, kryeministri dhe emra të tjerë kanë vjedhur votat, por nuk mund të dënohen.

Arsyeja e mos dënimit është se krimi i vjedhjes së votave ka ndodhur në vitin 2016 dhe sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i PS dhe qeveria “Rama” vepra penale është parashkruar dhe kanë kaluar afatet e hetimit. Kjo gjë do të thotë se dosja më e bujshme e manipulimit të votave, ku u përfshinë vet Kryeministri, ministra, deputetë, drejtues policie dhe persona me precedentë penalë është katandisur në hetimin e vetëm 4 emrat pa shumë rëndësi. Ministrat që flisnin me drejtues policie sesi do vidhnin votat, deputetët që u bënin presion zyrtarëve për të votuar për PS dhe persona me precedentë penalë të cilët kanë ndikuar në zgjedhjet e Dibrës, kanë shpëtuar pa asnjë masë.

Në këtë dosje dalin emrat e Edi Ramës, Saimir Tahirit, Ulsi Manjës, Damian Gjiknurit, Xhemal Qefalisë, Ymer Lalës dhe të tjerë zyrtarë të PS. Botimi i përgjimeve në gazetën gjermane “Bild” tregoi se vjedhja e votave në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016 ishte e organizuar deri në nivelet më të larta të pushtetit. Bisedat e përgjuara faktonin atë që dihej dhe që u denoncua nga opozita, e cila nisur dhe nga kjo dosje dhe ajo e Durrësit, dogji mandatet e deputetëve. Pas gati 4 vite hetimesh, prokuroria ka falur gjithë zyrtarët e lartë si organizatorë dhe urdhëruesit e masakrës elektorale dhe ka dërguar për gjykim vetëm disa “peshq të vegjël”, që kanë zbatuar vetëm urdhrat politike të Rilindjes. Dosja e Dibrës ishte një kusht për hapjen e negociatave dhe cilësohej si një provë për drejtësinë e re. Hetimi dhe gjykimi i saj në mënyrë profesionale do të nxirrte para përgjegjësisë manipuluesit e zgjedhjeve. Dënimi i tyre ishte dhe një garanci që vjedhja e votave të mos përsëritej më. Por dosja që ka dërguar për gjykim Prokuroria e Dibrës është një dokument sa skandaloz, aq dhe qesharak.

Skandaloz për faktin se drejtësia u dha imunitetet zyrtarëve të lartë duke i shpëtuar nga burgu dhe ndëshkimi për krimin e manipulimit të zgjedhjeve. Qesharak është fakti se prokuroria e pranon që këta zyrtarë vodhën zgjedhjet, por mëqënëse kaluan 3-4 vite kaluan afatet, nuk kemi ç’të bëjmë!

Në fakt, afatet e hetimit të kësaj dosje u vonuan qëllimisht nga PS dhe emrat që përmenden në këtë dosje janë dhe ata që e zvarritën. Hetimet nisën në Tiranë dhe dosja bëri më shumë se 4 herë vajtje ardhje nga Dibra në kryeqytet. Fillimisht hetimet nisën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila më pas e dërgoi në Dibër. Prokuroria e Dibrës e dërgoi te SPAK dhe ky i fundit e ktheu prapë në Dibër. Hetimet e saj nuk u bënë vetëm nga prokurorë të drejtësisë së vjetër, por dhe prokurorë të dalë nga drejtësia e re. Ky fakt e bënë edhe më të rëndë atë që ka ndodhur, sepse rezulton që përballë presionit politik dhe emrave që mbante kjo dosje, gjithë sistemi i drejtësisë është vënë në rresht dhe nuk ka hetuar asgjë.

Mos ndëshkimi i autorëve të vjedhjes së votave është një sinjal i keq para zgjedhjeve të reja që po vijnë. Sepse të njëjtat emra do të jenë sërish në fushatë duke mbledhur dhe blerë vota për Partinë Socialiste. Opozita mbështeti aksionin e saj politik në këtë dosje që përfshinte emrat më të rëndësishëm të mazhorancës. Deri dje, qeveria thoshte se ajo dosje është kot dhe nuk ka asgjë. Sot prokuroria dha një hetim gjysmak që i shpëtoi nga burgu një pjesë të ministrave dhe deputetëve të rilindjes.

Megjithatë, në këtë hetim qesharak ka një të vërtetë, prokuroria pranon se Rilindasit vodhën votat, por nuk ka guxim të dënojë dhe prek njerëzit afër Edi Ramës se gjoja ka kaluar afati! /Mili Xhani/

SHKARKO APP