Mediat duhen dekriminalizuar

Placeholder Image
Për dy ditë me radhë nga selia e Partisë Demokratike kanë dalë deklarata të ashpra kundër dy televizioneve më të mëdhenj në vend, të cilët akuzohen për të njëjtën gjë: se janë vënë në shërbim të kryeministrit.
Të martën Top Channel u fshikullua “për servilizëm të verbër ndaj Edi Ramës” lidhur me pasqyrimin e reformës në drejtësi. Një ditë më pas, radhën e pati TV Klan, që mbajti “një qëndrim jo parimor, selektiv dhe servil ndaj kryeministrit” në mbulimin e fjalës së tij gjatë një aktiviteti për planifikimin urban dhe mos dhënien e një reagimi të PD ndaj këtij aktiviteti.
Pavarësisht se episodet për të cilat PD-ja akuzoi me nervozizëm dy TV-të kombëtarë, duken si një pikë e vogël uji në oqean, ato shprehin një shqetësim të vërtetë, shumë më të madh.
Të gjitha televizionet e rëndësishme, sot, kanë kaluar me pushtetin, marrin urdhëra dhe presin shpërblime prej tij, aq sa tani ka mbetur që parodia të shkojë deri në fund dhe Lul Basha të dalë në podiumin e partisë së tij, për t’i bërë të fala Vjollcës dhe Sandrit.
Por, sado i drejtë dhe i vërtetë të jetë ky shqetësim i opozitës, ai nuk është aspak i sinqertë. Halli i vërtetë i PD nuk ka të bëjë as me lirinë e mediave dhe aq më pak me fjalën e lirë. Ai ka të bëjë me frikën se autoparlanti ka kaluar nga dora e një bande, në dorën e bandës tjetër.
Për sa kohë që vetë demokratët qëndruan në pushtet, ata nuk u sollën aspak më ndryshe.
A nuk e frynë ata TV Klanin me reklamë të shpikur shtetërore vetëm e vetëm që pronari i tij të dilte dhe të bërtiste në ekran: “qeveria jonë”?
A nuk i vunë ata gjobë 20 milionë Top Channelit sepse ish bosi i tij i ndjerë, sipas Berishës, lahej në vaskë floriri?
A nuk i sulmuan ata egërsisht me gjoba pronarët e Vizion Plus-it deri sa arritën prishjen e një shoqërie të përbashkët dhe largimin e dy gazetarëve kryesorë politikë të televizionit?
Dhe në atë kohë, si tani, qëllimi qe i njëjtë: Ti bëjmë për vete TV-të e mëdha.
Pikërisht në kohë të PD-së u konsolidua një nga anomalitë më të mëdha të tregut televiziv në vend.
Ndërkohë që ligji shqiptar parasheh televizione me disa pronarë në mënyrë që interesat të balancohen, ndërkohë që ai nuk lejon pasjen e disa liçencave nga një bos i vetëm, për të gjitha këto u mbyllën sytë. Sot, pavarësisht nga letrat dhe emrat fallco që kanë shënuar në QKR, të gjithë televizionet janë në shkelje të hapur të ligjit.
Sot, pasi Vjollca Hoxha ka rimarrë komandën e punës së përditshme në Top Channel, në Shqipëri është regjistruar një rekord “sui generis”.
Tre televizionet më të mëdha në vend, jo vetëm janë prona të tre familjeve, por ato edhe administrohen në punën e përditshme nga anëtarët e tyre.
Shenjë më të hapur të konfliktit të interesit, të përdorimit të mediave si kioska për përfitime të familjes, të arsyes se përse ka gjithnjë e më pak borde hartimi politikash dhe më pak gazetarë me integritet që drejtojnë edicionet e lajmeve, nuk mund të gjendet.
Kjo është edhe arsyeja se pse TV-të tona fluturojnë andej nga fryn era.
Ky është edhe shkaku se pse sot PD-ja (sikurse çdo opozitë) ndjehet e përjashtuar.
Por, me mënyrën se si po artikulohen, ankesat e PD-së i ngjajnë trishtimit të një veline që i kanë ndaluar ekranin. Ato s’janë as parimore dhe as kanë për bazë të rregullojnë sistemin mediatik që është shndërruar në një hallkë të kriminalizuar. Ato s‘tentojnë të prekin një pushtet (gjoja i katërti) që jo vetëm nuk heton krimet e politikës, pazaret e gjyqësorit dhe tredhjen e shoqërisë civile, por që bashkëpunon me to për të rritur fitimet e familjeve pronare.
Ndaj, nëse nuk ka për qëllim të vetëm të nxjerrë në ekran Lul Bashën, opozita duhet të sillet ndryshe.
Ajo nuk duhet të luajë rolin e ankueses qaramane.
Ajo duhet të vërë në pikpyetje sistemin. Duhet të kërkojë zbatimin e ligjit për “eleminimin” e pronarëve fallco. Duhet të rishikojë liçencat abuzive.
Pra me një fjalë, duhet të këmbëngulë në dekriminalizimin e mediave.
Vetëm me këtë proces të gjatë dhe të vështirë mund të ketë shpresë që “pronat e familjeve” të mos presin radhën për të shkuar në shtrat me pushtetin.
Përndryshe, sa të jetë Rama, ato do gdhihen dhe do ngrysen me të. (Lapsi)

SHKARKO APP