Ish-deputetja Kejdi Mehmetaj: Rama ka zbuluar se kur del apo fshihet virusi!
Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe sulmin e tij të paprecedentë ndaj mjekëve të cilët e kritikojnë qeverinë e tij lidhur me menaxhimin që po i bën pandemisë së koronavirusit në këto ditë kritike për Shqipërinë.
Ja se ç’shkruan ish-deputetja Kejdi Mehmetaj:
“Edhe pak e bëhen 24 orë nga momenti kur një Shqipëri e tërë u gajas me KM Rama që e deklaronte veten më të zotë e të ditur se profesorë e doktorë që jetën e tyre ja kanë dedikuar mjekësisë e që prej muajsh përballen me COVID-19.
Ky KM jonë që lufton virusin me tanqe e që ka zbuluar oraret e vendet ku virusi të dëmton më shumë (për shembull në rrugë është vrastar, por në qendrat tregtare e kinema nuk të bën gjë), të na shpjegojë pak pse dynden qytetarët nëpër klinika private duke paguar nga 100€ për të bërë tamponin. Pse paguajnë në privat për të bërë analiza? Pse paguajnë nga xhepat e tyre medikamente që kushtojnë në rastin më të mirë sa një rrogë minimale e sa një pension mesatar?
Kur spitalet tanë janë çudibërës, pse vetëm 2 muajt e fundit janë nisur nga Shqipëria të paktën 80 chartera drejt Turqisë? Pse vet mjekë që shërbejnë në spitalet tona zgjedhin të kurohen në Turqi? Pse figura të rëndësishme të jetës publike zgjedhin të kurohen jashtë?
Jo më larg se dje kur KM na bënte për të qeshur ndërsa na krahasonte me Italinë, Imzot George Frendo u nis për t’u kuruar në Itali e Kryepeshkopi Anastas Janullatos për në Greqi.
Sigurisht që KM nuk do përgjigjet për asnjërën prej këtyre pyetjeve, në rastin më të mirë do bullizojë ndonjë gazetar ose do përgojojë ndonjë doktor. Edhe këto do i bëj po i doli koha të shkëputet pak nga PPP-të e koncesionet. Fundja halli i tij është si të vazhdojë vjedhjen, jo si të kujdeset për jetët e shqiptarëve”, shprehet në reagimin e saj, ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.