Meta, Basha, Rama dhe Yuri Kim takim në Presidencë
Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kreu i opozitës Lulzim Basha dhe Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim janë duke zhvilluar një takim në ambientet e presidencës. Takimi ka nisur pak minuta më parë.
Në takim marrin pjesë edhe ministrat Bledi Çuçi dhe Niko Peleshi. Burimet për “Koha Jonë” thonë takimi zhvillohet për çështje të sigurisë në kuadër të NATO-s.
Në Shqipëri forcat e NATOS do të zhvillojë një nga stërvitjet më të mëdha të ushtrisë amerikane në Europë.
Stërvitja quhet “Defender Europe 21” dhe në të do të marrin pjesë rreth 6000 trupa dhe qindra mjete ushtarake nga SHBA, Shqipëria dhe vendeve të tjera aleate, do të zhvillohet në bazat kryesore ushtarake të vendit tonë gjatë muajit maj të këtij viti.
Ditën e sotme, për të parë nga afër përgatitjet, vendin tonë po e viziton zëvendëskomandanti i Ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneralmajor Joseph F. Jarrard.
Gjeneral Majori u prit ditën e sotme nga ministri Peleshi, i cili e njohu atë me përgatitjet e deritanishme që vendi ynë ka ndërmarrë dhe e siguroi atë për gatishmërinë e të gjitha strukturave të shtetit shqiptar.