Meta: I vendosur me vullnet të hekurt në shpartallimin e përpjekjes për vendosjen e një junte

Presidenti Ilir Meta deklaroi në një intervistë për “Ora News”, se rrëzimi i marrëveshjes së 5 qershorit është goditje ndaj demokracisë së vendit.

“Shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit synon të hedhë në erë demokracinë në Shqipëri. Marrëveshja është shkelur për çdo njeri që i ka të dy sytë në ballë. Nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri që rregullat e lojës të vendosen vetëm nga një palë”,– tha Meta.

Kreu i shtetit tha se aktet e qeverisë më rrëzimin e marrëveshjes godasin direkt procesin e integrimit në BE. “Për mua si President kjo është një përpjekje  e Ramës për ta nxjerrë Shqipërinë nga shinat e projektit europian”,- tha Presidenti Meta.

Kreu i shtetit tha se ajo që ka ndodhur me marrëveshjen e 5 qershorit është akt diktatorial. “Presidenti ka qenë dhe do mbetet gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës dhe popullit shqiptar. Presidenti ka disa vjet që paralajmëron për plotësimin e kushteve për integrimin europian. Eshtë shumë e qartë që akti i djeshëm synon të hedhë në erë pluralizimin politik në Shqipëri dhe vendosja e një muri kriminal në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Për këdo që i ka sytë në ballë e kupton që Marrëveshja e 5 Qershorit është shkelur. Kjo që ka ndodhur është një ftesë për tu rikthyer në diktaturë, për t’u rikthyer në fundit e viteve ’80 kur për fjalën e lirë varej poeti Havzi Nela”,- deklaroi kreu i shtetit.

Ilir Meta theksoi se nuk do të lejojë kurrsesi që Edi Rama të prekë zgjedhjet, pasi krejt populli shqiptar do të dalë te kutitë e votimit. Dhe do të jem vetë në krye të popullit, tha Meta.

Tempora: Tabuja u shkel, çfarë do të ndodhë tani? Intervistë me presidentin Ilir Meta  (06/10/2020)

SHKARKO APP