Presidenti Meta: Mafia e Rilindjes synon kapjen e sistemit të drejtësisë
Presidenti Meta ka bërë një deklaratë të fortë sot para mediave, ku iu drejtua mazhorancës dhe kryeministrit që të mos shkelin Kushtetutën dhe të mos synojnë kapjen e sistemit të drejtësisë.
“Parlamenti shpërndahet me një dekret”. Kështu u shpreh presidenti i vendit, Ilir Meta, duke thënë se një bandë uzurpatorësh po përdhosin Kushtetutën prej dy vitesh.
Meta tha se në momentin e duhur do i drejtohet popullit dhe gjithë botës në mbrojtje të demokracisë.
“Po afron dita e referendumit”, tha Meta.
“Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri sesa Kushtetuta, e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm që është Gjykata Kushtetuese. Përpjekja për të dhunuar Kushtetutën në përpjekje për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura”, theksoi Meta.
Meta theksoi se nuk ka asnjë konflikt institucional dhe kushtetues pasi çdo konflikt “është tërësisht i zgjidhur për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën”.
“Askush të mos guxojë të prekë Gjykatën Kushtetuese”, tha Presidenti, teksa shtoi se “do të jetë detyrë e popullit të Shqipërisë dhe Presidentit që t’i tregojë vendin kësaj bande uzurpatore”.
Kushtetuta ka vetëm një garant të pacënueshëm, tha Meta, Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, nuk ka institucion më të rëndësishëm në Republikë sesa Gjykata Kushtetuese dhe se nuk do të lejohet kapja e saj.
Lexoni edhe…
- Rama: Jemi konsultuar me ekspertët ndërkombëtarë për Kushtetuesen
- Majko: Na duhet dialog, jo ecje në një drejtim të paditur
- Zbulohet skandali i Dvoranit. Konflikt interesi me gjyqet e një kompanie private
- Manja: Nuk ka asnjë shans që Meta të shpërndajë parlamentin!
- Lefter Maliqi: Revolucion demokratik për të mposhtur diktaturën
Prononcimi i plotë i Presidentit Meta për mediat
Pyetje: Mirëmëngjes zoti President! Sot në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur, si anëtarja që ka marrë dekretin tuaj, ashtu edhe ajo që është betuar përpara noterit. A keni një koment se si do të zgjidhet kjo krizë?
Presidenti Meta: Është tërësisht e zgjidhur. Për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën dhe meqenëse po afron 22 nëntori, dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën, dhe këto parime të Kushtetutës që janë edhe sot të sanksionuara, pavarësisht nga deformimet e pandershme që janë bërë me pabesi ndaj popullit shqiptar gjatë këtyre 21 viteve, kam një paralajmërim të fundit për të gjithë ata, të cilët mendojnë se betimi i Ilir Metës me dorën mbi Kushtetutë si President i Republikës së Shqipërisë, ka qenë një proces formal apo ceremonial:
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka vetëm një garant të padiskutueshëm dhe të pacenueshëm në integritetin e vet, që është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë!
Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura! Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë!
Është institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi.
Parlamenti me një dekret shpërndahet!
Qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet! Presidenti, me një “impeachment” nga një parlament, jo nga ky, përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. E nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale, do t’i bëj të qartë se në fund fare kjo është Kushtetutë që mbron popullin e Shqipërisë, dhe do të jetë detyrë e Presidentit të Shqipërisë dhe e popullit të Shqipërisë që t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore dhe të gjithë shërbëtorëve e skllevërve të tyre, kudo ku janë.
Pyetje: Zoti President, a do të arrihet (a keni kompetencë) deri aty për të shpërndarë Parlamentin apo jo?
Presidenti Meta: Besoj se jam shumë i qartë. Secili të shikojë detyrën e vet, të zbatojë kompetencat e veta! Veprimet nga Presidenti do të vazhdojnë të jenë institucionale. Dhe në momentin e duhur Presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë për interesin e popullit shqiptar, që është dhunuar në mënyrën më barbare, sidomos në këto dy vite kur u la qëllimisht edhe pa Gjykatë Kushtetuese. Ju faleminderit dhe i uroj edhe një herë punë të mbarë gjithë anëtarëve më të rinj të Gjykatës Kushtetuese!