Presidenti Meta: Marrëveshje politike në këtë tokë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës nuk do ketë më kurrë!

Kreu i shtetit Ilir Meta ka përjashtuar çdo mundësi që në të ardhmen të ketë një marrëveshje politike mes tij dhe Edi Ramës.

“Kurrë mos e mendoni se ekziston një mundësi, që Ilir Meta të bëjë një koalicion me Ramën.  Kjo histori ka përfunduar! Kurrë më marrëveshje me Edi Ramën! Marrëveshje politike në këtë tokë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës nuk do ketë më kurrë. Arsyet janë dy: Ka vënë në diskutim integritetin territorial të Shqipërisë dhe ka vënë në diskutim kufijtë e Kosovës”,- tha kreu i shtetit.

Në intervistën e dhënë për “Syri TV”, Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve që më 25 prill të votojnë për të ardhmen e Shqipërisë në Europë dhe për t’i dhënë fund arbitraritetit.

“Në 25 prill, Shqipëria zgjedh mes dy alternativave, ose do të kthehet në shinat europiane, ose në një projekt Lindor, që e kemi provuar për 50 vite. 25 prilli është dita e demokracisë. Është dita e ndarjes nga shpopullimi. Është dita kur populli rimerr sovranitetin e tij. Është mision patriotik pjesëmarrja në zgjedhje. Fuqia e popullit është vetëm vota!”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar se cenimi i votës së qytetarëve nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë. Meta bëri një mesazh të fortë për politikanët, oligarkët apo kriminelët që do të prekin votën e shqiptarëve. “Mos prisni nga ndërkombëtarët të zgjidhin hallet tona. Një nga ata që ka problem me drejtësinë amerikane është kryeministri aktual që shkoi në SHBA i maskuar si grua për të bërë një foto me Presidentin amerikan. Vota e shqiptarëve do mbrohet me çdo çmim! Mjerë çdo bandit dhe oligark, që angazhohet për ta prekur atë!”, – tha kreu i shtetit

SHKARKO APP