Meta:Reforma nuk është në kalendarin e Kuvendit. Ftoj Bashën në takim

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi sot se paketa e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi nuk është pjesë e kalendarit të punimeve të Kuvendit. Në një konferencë për mediat Meta u shpreh se procesi është i vonuar për shkak të mungesës së konsensusit.

Kreu i Kuvendit bëri dhe një ftesë për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai tha se i ka kërkuar kreut të PD-së, Lulzim Basha që të zhvillojnë një takim për të diskutuar mbi procesin. “I kam kërkuar takim kreut të PD-së, në vendin dhe në formatin që ai do. Natyrisht deri ditën e hënë”,- tha Meta.

Sipas Metës, arsyeja për një kufizim në kohë deri ditën e hënë, është për shkak të kohës së humbur për të miratuar këtë reformë.

Kreu i Kuvendit tha se si drejtues i institucionit ligjvënës ai ka përgjegjësi kushtetuese për reformën. “Takimi mes meje dhe Z. Basha është kërkuar nga unë si takim zyrtar. Nuk është takim informal. Jam shumë fleksibël për çdo gjë që ka të bëjë me vendin e takimit, formatin e takimin. Por nuk jam fleksibël te koha. Jam gati që tani, në mesnatë, pa u gdhirë mirë, por para së hënës. Sepse koha kompliko procedurat parlamentare, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese”,- tha kreu i Kuvendit.

Ai u shpreh se procesi i reformës duhet të ecë me ritme të shpejt, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për votim, por edhe për zbatim të saj.

SHKARKO APP