Meta rrëzon ndryshimet në ligjin e Vetting-ut të Policisë: Bie ndesh me Kushtetutën, cenon sigurinë juridike

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer sot për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Vetting-un në Policinë e Shtetit. Argumentet ligjore të kreut të shtetit janë shoqëruar me fakte që evidentojnë sipas tij papërgjegjshmërinë e procesit legjislativ dhe falsifikimet që bëhen me nismat, që depozitohen në Kuvend. Sipas Presidentit Meta, “kjo është ndërhyrja e 3 (tretë) që i bëhet ligjit brenda një kohe kaq të shkurtër. (5 mars 2018-8 mars 2021)”.

Kreu i Shtetit ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria, ose të pranojnë dështimin e vetting-ut në Polici dhe të nxjerrin përgjegjësit e kësaj nisme të dështuar, ose të pranojnë qëllimin politik për të mbajtur nën presion të vazhdueshëm efektivët e policisë. Interesant në arsyet e kthimit të ligjit, është dhe fakti i evidentuar nga Presidenti Meta, sipas të cilit kjo nismë ligjore ndonëse është propozim i një grupi deputetësh, në fakt, në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, projektligjin e ka prezantuar dhe eka mbrojtur Zëvendësministri i Brendshëm, që ka mbajtur të njëjtin qëndrim “copy-paste”, pa ndryshuar as presjen, nga relacioni i nënshkruar nga deputetët nismëtarë.

Nisur nga këto fakte, Presidenti i ka bërë të qartë Kuvendit se kjo procedurë e ndjekur shkel “parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë dhe është tregues se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit”.

Madje, sipas Presidentit, “këto veprime praktikisht mund të konsiderohen edhe falsifikim të vullnetit në propozimin e nismave ligjore”. Por kjo nuk është problematika e vetme e ligjit. Nisma jo vetëm shkel nenin 82, të Kushtetutës, pasi shtyn pa afat duke e pezulluar procesin e vettingut për një pjesë të trupës policore, por shkakton edhe një efekt negativ financiar në Buxhetin e Shtetit, pa marrë as miratimin e Këshillit të Ministrave siç kërkon Kushtetuta në këto raste.

Përtej shqetësimeve mbi gjendjen e procesit legjislativ në vend, në prag të një Kuvendi që pritet të riformatohet shumë shpejt në zgjedhjet e afërta të 25 prillit 2021, Presidenti ka ngritur shqetësimin për faktin se, ndryshimet e bëra me këtë ligj, po fusin në tërësi procesin vetting, në vazhdën e “pezullimit” pa afat, por edhe dosjet që janë në proces vlerësimi i pezullon, duke krijuar kështu: “një situatë pasigurie të rëndë juridike për gjithë subjektet që e kanë nisur këtë proces, apo që do mbeten në pritje për t`iu nënshtruar atij”.

“Mospërcaktimi i kohës së mbylljes së procesit të vlerësimit kalimtar (Vetting-ut), apo pezullimi pa afat i vet procesit krijon terren që ky vlerësimi kalimtar (vetting-u) të përdoret si një mekanizëm ndëshkimor apo shantazhues për gjithë strukturën policore, ç’ka mund të sjellë një situatë shqetësuese, paqëndrueshmërie dhe destabilizuese në këtë strukturë”,-argumenton gjihashtu Kreu i Shtetit në dekretin e tij. Presidenti Meta citon gjithashtu se kjo nisëm ligjore bie në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Arsyet-per-kthim-te-ligjit-30-2021-26.3.2021-final-per-prin-1-converted

SHKARKO APP