Meta takon Presidenten e Estonisë: Forcim i marrëdhënieve mes dy vendeve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nisi sot vizitën zyrtare në Estoni duke u pritur me nderime të veçanta shtetërore nga Presidentja e Republikës së Estonisë, Kersti Kaljulaid.

Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, dhe më pas vijuan me takimin e zgjeruar të dy delegacioneve.

Presidenti Meta falënderoi homologen e tij estoneze për mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe vuri në dukje faktin se më 18 tetor Shqipëria shpreson të marrë lajmin e mirë nga Këshilli i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Gjithashtu, Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi Memorandumin e Bashkëpunimit për procesin e Integrimit Europian mes dy vendeve tona që u nënshkrua gjatë kësaj vizite, duke e cilësuar atë si një mundësi të shkëlqyer për të mësuar nga përvoja estoneze në këtë fushë.

Të dy Presidentët ndanë të njëjtat vlerësime mbi zhvillimet në rajonet respektive, sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe proceset e integrimit euro-atlantik, si dhe për nevojën për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik midis Shqipërisë dhe Estonisë.

Presidenti Meta e ftoi Presidenten Kaljulaid për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Agjenda

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Meta do të takohet edhe me Kryetarin e Parlamentit të Estonisë, Z. Henn Polluaas, dhe Kryeministrin z. Juri Ratas.

Në këto takime do të diskutohet për sfidat e përbashkëta të sigurisë europiane, proceset e integrimit euro-atlantik dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes reciprok.

Në prani të dy Presidentëve do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e Integrimit Europian ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të të dy vendeve.

Gjatë qëndrimit në Estoni, Presidenti do të japë një ligjëratë në Shkollën estoneze të Diplomacisë, si dhe do të vizitojë Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike të NATO-s dhe Qendrën e Brifingjeve E-Estonia.

SHKARKO APP