Mikrokreditë, presidenti Begaj letër Kuvendit, drejton gishtin drejt Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë

Presidenti Bajram Begaj i ka dërguar një letër Kuvendit lidhur skandalin e mikrokrediteve, ku viktima të grabitjes janë bërë një numër i lartë individësh, të cilët në masë i përkasin shtresave të shoqërisë që si rregull janë vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse. Begaj u komunikoi sot komisioneve parlamentare të ligjeve dhe të ekonomisë gjetjet dhe konstatimet që vijnë pas komunikimit institucional dhe informimit nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë për hapat e ndërmarra prej tyre në përballimin e situatës.

“Sistemet mbikëqyrëse ligjore ngrihen për të mbrojtur, së pari, këto shtresa. Përhapja në një masë të madhe njerëzish dhe për një kohë relativisht të gjatë e kësaj skeme abuzimi ka krijuar hapësira për të hedhur dyshimin se sistemet mbikëqyrëse nuk kanë funksionuar apo që janë penguar me dashje të funksionojnë. Këto pretendime përbëjnë shqetësim të vërtetë dhe kërkojnë përgënjeshtrim bindës nga të gjitha institucionet kompetente. Unë kam ndjekur me vëmendje dhe e mbështes procedimin penal që ka nisur dhe po zbardh rolin e aktorëve të përfshirë dhe gjithë mekanizimin kriminal, por nuk mund të qëndroj pa konstatuar se përballë kemi një rast flagrant abuzimi, që ka qenë i shtrirë në një kohë relativisht të gjatë dhe, për më tepër, një vepër penale të kryer nga subjekte të cilat kanë qenë, për shkak të funksionit, nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore (kompanitë e mikrokreditit nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, kurse përmbaruesit privatë nën mbikëqyrjen e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë dhe të Ministrisë së Drejtësisë)”.

Bashkë me shqetësimin për pasojat e rënda që kjo skemë abuzive ka ngarkuar në shpinën e një numri tejet të lartë qytetarësh, të cilët u përkasin shtresave vulnerabël dhe pa mjete mbrojtëse, Presidenti i Republikës sensibilizon për nevojën për një reagim të fortë, të bashkërenduar dhe efikas të të gjithë strukturave kompetente, për të dominuar jo vetëm këtë skemë abuzimi, por për të siguruar që të tilla ngjarje në të ardhmen të parandalohen në gjenezë.

”Ndjeshmëria publike ndaj abuzimit me administrimin e kredive me probleme është shumë e lartë dhe shqetësimi qytetar është legjitim. Çështja do të krijojë qetësi kur publiku të perceptojë se institucionet janë në sintoni të plotë me këtë shqetësim, kanë identifikuar dhe po punojnë për zgjidhjet e duhura. Qytetarët kanë nevojë të kuptojë se shteti dhe institucionet janë me ta dhe kundër abuzuesve. Kjo çështje nuk zgjidhet me politizim apo me retorikë të panevojshme. Kuvendi është adresa më e saktë dhe më kompetente për t’i dhënë fenomenit zgjidhjen e plotë, të suksesshme, përfundimtare e të pakthyeshme. Si President i Republikës, shpreh besimin se mesazhet e përfshira në këtë shkresë kanë për të marrë vëmendjen e duhur institucionale”.

SHKARKO APP