Monitor: Meshkujt në Shqipëri po pakësohen me ritme dy herë më të larta se femrat
Popullsia e Shqipërisë ka nisur të përshpejtojë ritmet e rënies vitet e fundit, por meshkujt po pakësohen me ritme më të larta se femrat referojnë të dhënat e krahasueshme të viteve të fundit nga INSTAT.
Me 1 janar 2023, në të gjithë vendin zyrtarisht ishin 71,6 mijë meshkuj më pak se në vitin 2018 me rënie 5%. Në të njëjtën periudhe kishim 36,8 mijë femra më pak, me rënie 2.6%.
Shqipëria ka raport gjinor në lindje që favorizon meshkujt. Mesatarisht në një vit lindin 105 djem për 100 vajza, por emigracioni më i lartë te meshkujt dhe jetëgjatësia më ulët se e femrave po i pakëson burrat referojnë të dhënat.
Sipas qarqeve, rënien më të madhe të popullsisë së meshkujve nga 2018 më 2022 e kishte Qarku i Gjirokastrës me 18% nga 5% që është mesatarja kombëtare, ndërsa i dyti renditet Berati me rënie 15%.
Rënie dyshifrore të popullatës së meshkujve kishte edhe Dibra me -12%, Elbasani me -11, Fieri me -10%, Korça me -12%, teksa vetëm Tirana shënoi rritje të numrit te meshkujve me 4% gjatë 2018-2023.
Në anën tjetër, popullata e femrave shënoi rënie të fortë në qarqet e Gjirokastrës Beratit dhe Dibrës përkatësisht -12, -10% dhe -11%.
Në qarqe popullata e meshkujve është në rënie më të fortë për shkak të emigrimit të brendshëm dhe të jashtëm dhe jetëgjatësisë më të ulët se në Tiranë.
Ende ka një tendencë për zhvendosje nga qarqet drejt Tiranës, ndërkohë që largimi jashtë vendit ka vijuar me ritme të larta vitet e fundit.
Shumica e qarqeve të vendit 9 prej 12 gjithsej janë duke vuajtur rënien e popullsisë edhe nga emigrimi i brendshëm, përveç ikjes jashtë vendit dhe tkurrjes së lindjeve. INSTAT raportoi se në vitin 2022 migrimi brenda Shqipërisë ka një ndikim të rëndësishëm në popullsinë e njësive administrative.
Në vitin 2022, në nivel qarku, vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kishin një migrim të brendshëm neto pozitiv (më shumë të ardhur se sa të larguar). Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, të gjitha qarqet e tjera ( Berati, Dibra, Elbasani, Fieri, Gjirokastra, Korça, Kukësi, Lezha, Shkodra,) kanë pasur migracion të brendshëm neto negativ gjatë vitit 2022.
Popullsia e vendit prej tre dekadash është në trend rënës, por popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) është duke u tkurrur me ritme më të shpejta.
Sipas të dhënave të INSTAT, më 1 janar të vitit 2023, popullsia e përgjithshme e vendit pësoi rënie me 1.1% në raport me vitin 2022, ndërsa popullsia në moshë pune pësoi rënie me 1.8%.
Popullsia në moshë punë u reduktua me rreth 101 mijë persona në krahasim me vitin 2019, para pandemisë. Aktualisht popullsia në moshë pune është 1,864,062 persona nga 1,974,207 në vitin 2019, ose 101 mijë më pak.
/B.Hoxha/ Monitor