Fatos Nano:Prapa më vjen historia! Ndërsa Rama thotë: Do më kërkoni, kur të mos më keni!

-Kur një politikan arrin në pikën që e sheh ikjen e tij nga pushteti  si tragjedi kombëtare, tragjedia duhet shikuar te personi. Nuk bëhet nami nëse ikën një kryeministër. Përkundrazi, bëhet nami nëse një kryeministër qëndron në pushtet me vota të blera nga bandat kriminale.

-Kjo deklaratë e kryeministrit duket si ajo e Fatos Nanos, kur thoshte se “Unë jam Fatos Nano dhe prapa meje më vjen historia!”. Edhe Edi Rama tashmë e sheh veten si shpëtimtarin e vendits, si politikanin që kush e di sa vite e kanë pritur qytetarët që t’ju sjellë lirinë, si gjeniun e politikës shqiptare dhe rajonale, si lojtarin e madh të politikës ndërkombëtare. Si njeriun për të cilin shqiptarët duhet të ndjehen me fat që e kanë kryeministër e duhet të luten Zotit që t’ju lerë mbi kokë.

Dy ditë më parë, një konflikt pronësie pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në mes të kryeqytetit, mes banorëve të një ndërtese dhe pronarit të tokës me vendim gjykate, shfaqi anën më të shëmtuar të mënyrës sesi zbatojnë ligjin institucionet e shtetit. Përmbarimi dhe Policia e Shtetit u filmuan nga kamerat duke tërhequr zvarrë fëmijë dhe gra shtatzëna. Sigurisht pronari dhe banorët e ndërtesës kanë argumentet e tyre për konfliktin. Mes deklaratave mediatike dhe një vendimi gjykate, më e besueshme është ajo çfarë ka vendosur trupa gjykuese. Por rasti i incidentit te “Petro Nini” tregoi shumë më tepër se një problem pronash. Në këtë ngjarje, roli i policisë së shtetit dhe institucioneve shkaktoi një reagim publik dhe indinjim në media. Efekti i reagimit u bë edhe më i madh në një klimë politike të mbushur me protesta, bojkote dhe revoltë opozitare. Për t’i bërë ballë një orteku që nga një konflikt pronash, por mund të kthehej në një minus të madh për mazhorancën, qeveria “Rama” u vu në lëvizje. Në një kohë rekord, reaguan Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali dhe kryeministri Edi Rama. Madje, kreu i qeverisë u mor personalisht me këtë çështje duke urdhëruar shkarkimin e drejtorit të Policisë së Tiranës. Në fakt, shkarkimi ishte bërë që të premten e kaluar, por meqë i mungonte motivacioni, u rishkarkua edhe njëherë të hënën duke e bërë përgjegjës për incidentin te “Petro Nini”, ndërkohë që thuhet se është një biznesmen pranë qeverisë dhe një politikan i lartë që fshihet pas urdhërit të policisë për ti nxjerrë me dhunë këtë familje e cila jeton prej 52 vitesh në atë ndertesë. Pra flitet për të prishur banesën dhe për të ndërtuar një pallat buzë rrugës për te Liqeni.

Por angazhimi i Edi Ramës për incidentin nuk mbaroi me kaq. Pasditen e djeshme, në një pyetje të porositur në Facebook, për shtatë minuta Edi Rama sqaroi me një video mesazh gjithë procedurën e ndjekur për këtë rast. Në sqarimin e tij, kryeministri Edi Rama kishte merak që të tregonte se qeveria nuk ka gisht në atë që ka ndodhur, pasi është vendim gjykate, si dhe të tregonte se ai merrej personalisht me çdo problem.  Kritikoi policinë, shprehu rezerva për drejtuesit e saj në Tiranë. Bëri vërejtje për sjelljen e përmbarimit, si dhe i tregonte qytetares anonime në Facebook procedurën ligjore dhe vendimin e gjykatës për pronën që është sebep i sherrit. Në fund, tha se kishte plotë gjëra të tjera më të mira për të bërë, por duke qenë se ishte ndryshe nga politikanët e tjetër ai zgjodhi të komunikonte në Facebook për ngjarje. Teksa mbyllte videon e regjistruar në ndonjë lokal luksoz në periferi të Tiranës, kryeministri lëshoi dhe thagmën që nuk ishte dëgjuar prej kohësh. “Qeveria nuk është e përsosur, por ka një virtyt, ka sytë dhe veshët katër për të parë dhe dëgjuar. Kur të mos më keni do më kujtoni, por deri atëherë ka yhyhy plot kohë për t’u dashur dhe për t’u zënë me njëri tjetrin, rëndësi ka të na bashkojë qëllimi i mirë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Deklarata e kreut të qeverisë në pak fjali, përmbledh delirin e një politikani që mendon se bota shqiptare sillet rreth kërthizës së tij.

“Kur të mos më keni, do më kujtoni”- tha kryeministri dje. Për të gjetur një deklaratë të ngjashme të politikanëve shqiptarë, duhet të shkojmë të paktën 15 vite pas. Pak a shumë të njëjtën gjë e ka thënë Fatos Nano në vitin 2004, kur ishte në kulmin e pushtetit të tij dhe nuk llogariste as Berishën dhe as rivalët në parti. Nga kongresi i socialistëve ku ndjehej si Zot i PS, Qeverisë dhe Shqipërisë, Fatos Nano lëshoi deklaratën që edhe sot i përmendet: “Prapa meje me vjen historia”. Nuk u desh shumë kohë dhe historia tregoi të kundërtën e asaj që deklaronte Fatos Nano. Në pak muaj humbi zgjedhjet dhe partinë dhe thuajse iku në ekzil në Austri. Sot historia nuk e rendit te ata burra që ja vlen të merresh. Megjithatë deklarata “Prapa meje me vjen historia”, mbeti në historinë politike të Shqipërisë, si shprehja e arrogancës, delirit dhe mënyrës sesi një politikan shkëputet nga realiteti. I verbuar nga pushteti dhe i rrethuar nga servilët dhe të korruptuarit, Nano kujtoi se ishte “burri i shtetit” që po shkruante historinë. Në fakt, nuk kishte në dorë as fatin e tij dhe jo më të vendit dhe zhvillimeve politike. Dje kjo shprehje u përsërit në mënyrë edhe më direkte dhe jo shumë modeste nga Edi Rama.  “Kur të mos më keni, do më kujtoni”, duket e ndryshme nga ajo e Fatos Nanos, por thelbi është i njëjtë, kulti i liderit të pazëvendësueshëm. Rama tashmë e sheh veten si shpëtimtarin e vendit. Si politikanin që kush e di sa vite e kanë pritur qytetarët. Si gjeniun e politikes shqiptare dhe rajonale, si lojtarin e madh të politikës ndërkombëtare. Si njeriun për të cilin shqiptarët duhet të ndjehen me fat që e kanë kryeministër.

Kur një politikan arrin në pikën që e sheh si tragjedi kombëtare ikjen e tij nga pushteti, kjo është tragjedi për vetë personin. Nuk bëhet nami nëse ikën një kryeministër. Përkundrazi, bëhet nami nëse një kryeministër qëndron shumë gjatë në pushtet dhe nuk e kupton se ka ardhur koha të iki./Qamil Xhani/

SHKARKO APP